Secili simbolin e vet

Postuar në 25 Dhjetor, 2023 18:02

Kristi Pinderi shkruan sot(ose opinioni i tij publikohet sot në disa media) për Elsa Lilën. Një këngëtare që jeton jashtë Shqipërisë dhe që paraqitet në festivalet e RTSH-së së fundvitit.

Shkruan Pinderi:

Per Shqiperine, Elsa mbetet nje pike referimi. Si te gjitha vendet e vogla, edhe Shqiperia ka nevoje per referime te medha, qe e ndihmojne te kuptoje te kaluaren e vet, qe ia bejne me te lehte te ndjeje nje sens perkatesie, te kuptoje nga ka ardhur e ku po shkon.

Elsa eshte si nje gur kilometrik qe ka vlere vetem nese eshte e palevizshme. Ka vleren qe ka stabiliteti per kedo sistem qe eshte ne kaos. Qe te mbetet perjetesisht verbues shkelqimi i idese qe trupezon Elsa ne kulture, ne memorien dhe ne ndergjegjen kolektive, ajo eshte e destinuar te jete statike. Elsa e viteve 90-te eshte produkt i nje vendi qe ne kohe krize dhe pasigurie kishte nevoje per shpresen dhe optimizmin qe percillte imazhi i pafajshem dhe i dlire i nje femije (sic ishte ajo) me ze e fytyre engjellore.

Elsa eshte keshtu e denuar te jete perjetesisht nje simbol, mundesisht nje kujtim qe nuk duhet trazuar, as shpluhurosur, e as duhet perditesuar

Tani, ky lloj panegjiriku që shohim këtu vjen si refleks i zakonit të vjetër që çdokush që është pak i dëgjuar e ka gjak shqiptari duhet sjellë e risjellë para shqiptarëve si Simbol. Si përfaqësues.

Lexon këtë Pinderin dhe epitetizimet e tij dhe nuk u beson syve: të duket vetja se jeta jote është tërësisht e ndryshme nga ajo e të gjithë shqiptarëve të tjerë që kanë simbol Elsën.

Po për çfarë është simbol Elsa Lila? Ja një pyetje të cilën z. Pinderi mund ta shtjellonte disi më mirë pasi në një botë ku kultura si e tillë është në një proces fragmentimi, ku emëruesit e përbashkët po zëvendësohen nga vetë-emërimet imazherike në rrjete sociale, ku gjallon identeti në proces pasurimi sasior I individit që konfliktohet, tëhuajëzohet, veçohet nga kultura nacionale për t’u globalizuar mandej, këto simbole tradicionale ngjajnë disi kallp. Ngjajnë si kallëpe të gatshme të njerëzve që pretendojnë se statusi rrjedh nga plateja.

Nuk kemi asgjë me zonjën Lila. Ajo është një këngëtare me një karrierë dhe ambicie të vetat, ajo debuton në skenën e këngës së lehtë shqip, asaj që ka mbetur, por duhet të jemi të vërtetë: ajo nuk është simbol për ndonjë gjë. Edhe vetë Festivali i kumtohet si ngjarje kulturore një publiku që ulet aty ose me preferencat për dikë, ose me nostalgjinë e festivaleve të dikurshme. Festivali nuk është më ngjarje për kulturën shqiptare.

Zakoni për të veneruar qenka një lloj sëmundjeje që krijon disa referenca të rreme që vijnë e prezantohen si model konkurues me atë që prodhon vetë Shqipëria. Ky është një sugjestionim pa kuptim dhe që vetëm të mira nuk sjell. Është prirja që çon në snobizëm ndaj asaj që është bërthama e këtij vendi e që një fije e ndan nga banaliteti i tallavasë, që konkuron edhe ajo vetë me kordat e veta për një vend në skenën e dukjes dhe kapardisjes.

E mbani mend emrin e Aleksandër Moisiut. Shqiptari I madh të thonë. Ai punoi e jetoi jashtë. Ai nuk ka një lidhje të vetme me kulturën shqiptare. E megjithatë atë ne do ta tregojmë e ritregojmë sa të lodhemi. Po Ibrahim Kodrën? Patjetër që edhe ai ishte piktori i shquar shqiptar. Po a gjejmë ne motive nga Shqipëria në veprën e tij? Po çfarë rëndësi ka kjo? Këtu ta marrin emrin e ta varin në derën e ndonjë shkolle apo rruge dhe ja, kultura lulëzon ndër emra të mëdhenj.

Tani që mbaruan këto lloj mitesh, do shpikim të rinj. Kushdo që është jashtë vendit, që ka një sukses andej, patjetër që është një simbol. Tenorë e tenore, koreografë e fotografë, të gjithë një ditë do të jenë shqiptarë të mëdhenj, do të jenë simbole këtu, sepse kështu ne amortizojmë komplekset tona. Dhe ndërkohë ajo që ndodh përditë në Shqipëri është një djerrinë anonimësh që zhgërryhen e importojnë simbole në një litaninë e një asgjëje, një boshi pa ndalim të këtij vendi që mbeti duke prodhuar gjeni, duke qëndruar në përjetësi një kënetë ligësie.

s.zaimi

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.