SHBA mund të bëjë çdo gjë, por jo të shpikë opozitën

Postuar në 11 Dhjetor, 2023 13:37

I Ngarkuari me Punë i SHBA në Tiranë, David Wisner, ka dhënë një intervistë për gazetën “Panorama”, një dalje kjo disi e pazakonshme. Përtej fjalëve të përhereshme për korrupsionin, e partneritetin, Ëisner ka preferuar ta mbyllë intervistën me një fjali si kjo:

Shqipëria po shkëputet nga e shkuara dhe ecën përpara drejt Perëndimit, më e fortë dhe më e aftë se kurrë më pare

Një klishe e dëgjuar shpesh këto dekada në të vërtetë. Në cilin kuptim ta marrim këtë lloj përcaktimi? Si prirje e shoqërisë në tërësi, apo si vlerësim për politikën e tanishme që përmes një kryeministri ekzibicionist mëton të bindë shumëkënd në këtë vend se ai është i pazëvendësueshëm për amerikanët në Tiranë. Zoti Wisner duhet të ketë vetëdijen minimale për të kuptuar se shumë nga fjalët e tij do të përdoren për konsum të brendshëm, kryesisht në dikotominë e rreme: kryeministër i duartrotikitur përballë opozitës non grata.

Mirëpo është pak e vështirë të besohet se politika e SHBA në Tiranë të ndërtohet me garancinë e një njeriu të vetëm si Edi Rama. Një e dhënë për ta kuptuar këtë është akuza e fundit që bëri presidenti serb, Aleksander Vuçiç, sipas të cilit diplomati amerikan Mathew Palmer, kishte tentuar ta rrëzonte nga pushteti duke koordinuar opozitën serbe. Vuçiç fitoi në zgjedhjet e 2020-s dhe jemi tashmë dëshmitarë të politikës së re të “paqëtimit” të Perëndimit me të. Për rrjedhojë edhe të SHBA-ve. E njëjta gjë vihet re në Hungari, Çeki, teksa në Poloni ishte Donald Tusk që theu rregullin. 

Shembulli është instruktiv për të kuptuar se çfarë ndodh në Shqipëri. Ne mund të imagjinojmë se përfaqësues të kësaj ambasade kryejnë rregullisht intervista me përfaqësues të politikës në Tiranë, të opozitës dhe jo vetëm. Dimë me siguri që njerëz të medias janë të ftuar të zakonshëm të kësaj selie diplomatike që përcakton në një masë të madhe rrjedhën politike të këtij vendi. Por ajo që duhet kuptuar ndoshta është fakti se askush nuk mund të shpikë opozitën. Askush nuk mund t’i dhurojë kujt pushtetin nëse asksush nuk e do.

SHBA-të bënë një gabim duke investuar te Lulzim Basha të cilit i ngarkuan detyrën e largimit të Berishës nga politika në këmbim të faktorizimit të tij si alternativë pushteti. Nuk e dimë ende nëse kjo është politikë gjenuine e SHBA apo aty kanë dorë fijet e pushtetit në Tiranë. Megjithatë, Basha si alternativë rezultoi I dështuar. Njësoj si opozita serbe. E në këto kushte, kur përfaqësues të opozitës janë njerëz më të diskredituar sesa kryeministri, vetvetiu politika e status quosë merr jetë pavarësisht se z. Rama përpiqet të shfaqet si kampion i oksidentalizmës në këtë vend. Edhe përmes fjalive të pakujdesshme si këto të z. Wisner.

SHBA duket se po eksperimenton diçka me Adriatik Lapajn, një gatim politik ky që nuk konsumohet dot as në media. Kështu që gabim pas gabimi ne kuptojmë dhe duhet kuptuar se as drejtësia dhe asgjë nuk e ndryshon qeverisjen nëse nuk krijohet një opozitë që Lufton për pushtetin dhe jo privilegjet. Kjo jo për të thënë se çdo opozitë reale duhet të rendë për mbështetjen e SHBA, por për ta parë ndryshe këtë sjellje të këtij shteti që mesa duket operon me mjete rrethanore dhe jo ndonjë strategji në këtë vend, ose në këtë rajon.

s.zaimi

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.