Diktator për një ditë
Ish-presidenti amerikan, Donald Trump, thotë se në rast rikthimi në Shtëpinë e Bardhë, do të bëhej diktator vetëm për një ditë. Gjatë një interviste me Sean Hannity në Fox News, Trump u pyet nëse do ta shpërdoronte pushtetin për hakmarrje ndaj kundërshtarëve politikë, nëse rizgjidhet president.
“Po i premtoni Amerikës se nuk do të abuzoni kurrë me pushtetin si ndëshkim kundër askujt?”, ishte pyetja drejtuar ish-presidentit republikan.
“Përveç ditës së parë”, u përgjigj Trump. “Dua të mbyll kufirin dhe dua të bëj shpime, shpime, shpime. Pas kësaj, unë nuk mund të jem më diktator”.
Deklarata reflekton filozofinë politike të Trump gjatë mandatit të parë: ashpërsimi i politikave të emigracionit dhe ndërtimi i murit në kufirin me Meksikën dhe një qasje ekonomike që e bën Amerikën të parën (zgjerimi i hartës së shpimeve të naftës dhe gazit të lëngshëm në Alaskë, në mënyrë që të ardhurat të financojnë programet e mbështetjes sociale).
Trump, kandidati kryesor për nominimin presidencial republikan, e bëri këtë deklaratë para një audience në Davenport, Iowa. Por në kampin demokrat, deklarata e tij u komentua si provë se ai nuk është i përshtatshëm për presidencën. “Donald Trump na ka thënë saktësisht se çfarë do të bëjë nëse rizgjidhet dhe sonte ai tha se do të jetë një diktator në ditën e parë. Amerikanët duhet ta besojnë atë”, tha Julie Chavez Rodriguez, menaxhere e fushatës së Joe Biden. Ndër kritiket më të mëdha të Trumpit, në gjirin e republikanëve, Liz Cheney, paralajmëroi në fillim të kësaj jave se një diktaturë e Trumpit është një “kërcënim shumë real” nëse ai rikthehet në Shtëpinë e Bardhë.
Add new comment