Mbetjet, një aferë nga Italia
Në vitin 2014, me synimin për t’i kursyer mbi 3 miliardë euro buxhetit të shtetit, qeveria italiane prezantoi planin për reduktimin e filialeve publike. Dy vjet më vonë u miratua një ligj i ri, i cili parashikon që një administratë publike mund të krijojë, të blejë ose të mbajë një shoqëri filial vetëm nëse i përgjigjet arsyeve të interesit publik ose qëllimeve të veta institucionale. Administratat kanë detyrimin të shesin, mbyllin ose bashkojnë aksionet e tyre nëse janë në kompani:
1) pa punonjës;
2) të cilët kanë më shumë drejtorë se punonjës;
3) të cilat kryejnë veprimtari të ngjashme me ato të filialeve të tjera ose organeve publike;
4) që kanë më pak se një milion euro qarkullim mesatar në 3 vitet e mëparshme;
5) të cilët kanë katër nga pesë bilancet e fundit negative.
Në një analizë që ka bërë Corriere della Sera, rezultojnë 12 877 të tilla. Këto janë bashkitë, krahinat, rajonet, qytetet metropolitane, Dhomat e Tregtisë, ministritë, shoqatat profesionale, universitetet, organet lokale të shërbimit shëndetësor. Administratat publike sot janë pjesë e 5260 shoqërive, me 39 989 aksione, kryesisht direkte. Ka gjithçka: nga aeroportet, te shtëpitë botuese apo kompanitë publike të shërbimit të ujit, menaxhimi i mbetjeve, nga shtëpitë e të moshuarve te shoqatat kulturore, organet kërkimore, kompanitë e zhvillimit të territorit apo kompanitë e menaxhimit të panaireve, fondacionet, kooperativat, organizmat sportive. Prej tyre, 1201 janë joaktive ose në likuidim dhe 67% kanë procedura të hapura për mbi 5 vjet.
Mes tyre rezultojnë edhe Bashkitë e Veronës dhe Viçenzës, të cilat kontrollojnë në mënyrë indirekte Agsm Holding Albania, një kompani që bën edhe depozitimin e mbetjeve në Tiranë dhe që grumbullon 240 mijë euro detyrime dhe ka kushtuar, mes kapitalizimit dhe investimeve, 3.5 milionë të tjera.
I njëjti model është importuar edhe në Shqipëri. Në Tiranë, kjo kompani ka 49% të aksioneve të Eco Tirana, ndërsa 51%-shi tjetër zotërohet nga Bashkia e Tiranës. Eco Tirana si kompani publike është regjistruar në QKB në qershor të 2016-s.
Corriere në analizën e saj vëren se në shumë raste, veprimtaria e filialit mund të kryhej nga subjekti ose të vazhdonte edhe pa praninë e publikut. Dhe në vend të kësaj ka qindra administrata që ruajnë kuotat dhe kështu mund të anashkalojnë paktin e stabilitetit ose të vendosin klientët e tyre dhe ish-politikanë në bordet e drejtorëve. Në shumë raste nuk paguhet kompensim, por ato janë ende detyra të dobishme për ruajtjen e një sistemi marrëdhëniesh që janë të dobishme në tavolinat e politikës lokale. Vetëm disa shembuj: Massimo Ruggeri, drejtor i vetëm i kompanisë që menaxhon aeroportin Fano, i emëruar nga kryebashkiaku Massimo Seri, ishte kandidat në listën qytetare Noi Città që mbështeti vetë kryebashkiakun.
Kontabilistja Laura Edvige Bordoli, tashmë kandidate e qendrës së djathtë për kryetare bashkie në Komunën e Komos, është në bordin drejtues (me rrogë) të filialit Comodepur e cila është në likuidim prej 2 vitesh (këtu). Në aeroportin Amalfi Coast në Salerno, Anna Ferrazzano, këshilltare e qytetit dhe ish-kandidate për kryebashkiak për qendrën e djathtë në Salerno, dhe Domenico Mitidieri (Pd), ish-kryetar i bashkisë së Lagonegro, gjetën vende në bordin e drejtorëve. Me ligjin e ri të 2016-s duhej të mbylleshin të paktën 3000 kompani dhe në vend të tyre vetëm 275 u vunë në likuidim ose filloi procedura e mbylljes.
Add new comment