Napoleoni përmes Jozefinës

Postuar në 25 Nëntor, 2023 16:14

Ka nisur të shfaqet edhe në në kinematë e Tiranës filmi I Ridley Scott, “Napoleon”. Në rolin kryesor luan Joaquin Pheonix, i provuar në bashkëpunim me Scott që me rastin e filmit të suksesshëm “Gladiatori”. Napoleoni i Ridely Scott vështirë se mund të quhet biografik, ai nuk është as historik mirëfilli, pasi figura e heroit vetëplotësohet vetëm në aspektin personal dhe jo atë të njeriut që njeh dhe pranon si të tillë historia.

Ngjarjet politike, ambicia, loja, aksioni dhe veprimi mungojnë thuajse tërësisht dhe i mvishen një thuajse memeci politik që u ngjit në majë vetëm me grykën e topit dhe sjelljen ushtarake. Për atë që nuk e njeh historinë, nuk ka për të kuptuar gjë nga Napoleoni dhe as pse duhej një film për jetën e dikujt që është përkufizuar në masë të madhe nga vendimet e së ëmës, të vëllait dhe nga dashuria deri në varësi për Jozefinën. Gruan e tij të parë.

Unë jam një hiç pa ty

Fraza e Perandorit të Francës shpon tej e tej veprën e tij historike. 

Një Joaquin Phoenix i ngathët, ndonëse shprehës, që gati belbëzon dhe nuk flet. I druajtur, madje disi i tërhequr, enigmatik në vendimmarrje, Napoleoni i Scott flet vetëm përmes letrave për Jozefinën. Filmi është një arritje skenografike, kinematike dhe kostumografike, por pa asnjë tension. Thjesht një kronikë e përciptë e jetës së Çezarit të kohëve moderne, thelbi i së cilës është Njeriu i zakonshëm që dashuron, ka pasiguri, kërkon strehë te krahët e një femre për të mbetur në fund vetëm. Në Shën Helenë.

Scott e ka zhveshur Napoleonin nga çdo mitologjizim dhe çdo heroizëm duke e rindërtuar me staturën e një njeriu të zakonshëm që ndërtoi një fat të madh. E dobishme ndoshta në një aspekt, por pakkush do të gjejë arsye ta rishohë filmin edhe njëherë.

s.zaimi

Comments

Submitted by dori (not verified) on

Per gjenine ushtarake dhe politike te Napoleonit jane shkruar aq shume libra, jane bere aq shume dokumentare dhe ekranizime, sa nje perpjekje e re zor se mund t'u shmangej klisheve. Regjisoret e mire, ashtu si shkrimtaret e talentuar, ju shmangen klisheve te tilla, duke kerkuar per kendveshtrime te tjera per personazhet e famshme. Njejte ndodh, prsh, me "Keshtjellen" e Kadarese; eshte pikerisht kjo qasje qe ka zgjedhur me mendjemprehtesi Kadareja, nje nder arsyet kryesore se pse kjo veper eshte nder me te vleresuarat.
Klishete e formuara ne kohe, nga historiane, shkrimtare, regjisore etj, per heronjte, krijojne pritshmeri tek publiku.Me kalimin e kohes, cdo trajtim ka rrezikun te zhgenjeje dyfish: ose te jete konform klisheve, pra nje mediokritet, ose te zhgenjeje pritshmerite qe ka kultivuar klisheja.
Ky eshte nje problem i perhershem, si per shkrimtaret ashtu edhe per regjisoret; prandaj ata gjejne qasje te reja, per t'iu shmangur kurthit te klishese.
Ne kinematografine perendimore qasja "ngjarjet politike, ambicia, loja dhe veprimi" ( ne kuptimin qe i jepet ne shkrim) eshte tejkaluar qe ne gjysmen e pare te shekullit te kaluar, ku heroikja ishte mbizoteruese. Kete lloj qajsjeje sot mund ta gjesh vetem ne kinematografite Lindore, indiane, kineze, turke deri ne qesharakezim.
(Kritikat me te medha ia kane bere francezet , sepse filmin e kane bere "anglezet"... ja pra ku dalim tek vaniteti njerezor qe shkelqen mbi te gjitha virtytet e tjera, edhe kur njerezit qe i mbartin ato mund te jene profesioniste te zote, te talentuar apo gjenij)

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.