Borrell: Një horror nuk justifikon një horror tjetër
Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, i ka kërkuar Izraelit të vetëpërmbahet në operacionet kundër Hamasit, të cilat po u marrin jetën civilëve palestinezë të Gazës. Gjatë vizitës së tij të parë në Izrael, Borrell tha se sulmi i 7 tetorit nuk duhet të shërbejë si justifikim për masakra të tjera.
“E kuptoj inatin tuaj, por më lejoni t'ju kërkoj të mos ju vërë përpara zemërimi,” tha ai, duke shtuar: “Jo shumë larg nga këtu është Gaza. Një horror nuk justifikon tjetrin.”
Borrell vizitoi Kibbutz Be'eri, ku sipas autoriteteve izraelite 130 civilë u masakruan nga Hamasi gjatë inkursionit të befasishëm muajin e kaluar.
"Unë e di se çfarë do të thotë një kibutz për izraelitët," vazhdoi zyrtari i BE-së, duke iu referuar kohës kur ka jetuar vetë në një të tillë, një lloj komuniteti bujqësor, në vitet 1960.
Ministri i Jashtëm izraelit Eli Cohen, i cili e shoqëronte, tha se Hamasi në fund të fundit mban të gjithë përgjegjësinë jo vetëm për viktimat izraelite, por edhe për palestinezët e vrarë në sulmet hakmarrëse të Izraelit në Gaza.
“Ka vetëm një përgjegjës për këtë mizori, për masakrën e shtatë tetorit, për botën që filloi më pas dhe gjithashtu vuajtjet e njerëzve në Gaza – është Hamasi, i cili sponsorizohet nga Irani”, tha Cohen.
Më shumë se 11,500 palestinezë kanë humbur jetën në operacionet ajrore dhe tokësore izraelite në Gaza, përveç mijëra të tjerëve të plagosur, sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Gazës. Zyrtarët izraelitë thonë se rreth 1 200 njerëz u vranë dhe më shumë se 200 u morën peng gjatë sulmit nga Hamasi, duke përfshirë një numër shtetasish të huaj.
Borrell pritet të diskutojë gjendjen e palestinezëve në një takim të ardhshëm me emirin e Katarit, Sheikh Tamim bin Hamad al-Thani, si pjesë e një udhëtimi katër-ditor në shtetet e Lindjes së Mesme.
Add new comment