Tre dështimet e Izraelit
Ish-kreu i Inteligjencës së Mbrojtjes së Izraelit (AMAN), gjeneral major Amos Yadlin, thotë se pas 7 tetorit, objektivi i Izraelit është të shkatërrojë Hamastanin, një neologjizëm ky që po përdoret në vendin e tij për sundimin e Hamasit në Rripin e Gazës.
Ka dy objektiva kryesore për të cilat është udhëzuar Forca Mbrojtëse e Izraelit. Së pari, për të shkatërruar Hamasin ushtarakisht dhe për t'i dhënë fund Hamasit si forcë sunduese në Gaza. Pra, ne do të shkatërrojmë vendin e quajtur "Hamastan", i cili është në kufi me ne. Ky është qëllimi numër një dhe në të njëjtin nivel është synimi për të rikthyer 240 izraelitë dhe të tjerë që u rrëmbyen nga territori i Izraelit më 7 tetor. Hamasi nuk mund të asgjësohet si ide, si besim fetar, apo si një ideologji xhihadiste. Por Izraeli nuk do t'i kushtojë më vëmendje synimeve të Hamasit. Ne do të sigurohemi që ushtria dhe kapacitetet qeverisëse të Hamasit të mos jenë më aty. Ky është qëllimi i luftës.
Pesëdhjetë vjet e dy javë pas Luftës së Yom Kipurit, oficeri veteran që ishte në vijën e parë të luftës në 1973 dhe dekada më vonë arriti të drejtonte shërbimin më të fuqishëm ushtarak të Izraelit, analizon gabimet dhe lëshimet e forcave izraelite.
Ajo që ndodhi më 7 tetor ishte një dështim trepalësh. Ishte një dështim i inteligjencës; një dështim operacional dhe ishte një dështim lidershipi apo dështim politik. Të tria këto u rreshtuan në mënyrën më të keqe të mundshme që çoi në dështimin e inteligjencës. Do të duhet të hetojmë se cili ishte dështimi, një pjesë e tij tashmë dihet, domethënë çështja e paradigmës së gabuar që Hamasi nuk ishte i gatshëm për një luftë tjetër. Ne menduam se Hamasi kujdesej shumë për qytetarët e Gazës, për mirëqenien e tyre dhe standardin e tyre të jetesës. Ne menduam se Hamasi kërkonte paratë e Katarit dhe dëshironte që punëtorët nga Gaza të punësoheshin në Izrael, ndërsa, përveç kësaj, nuk i janë bashkuar dy raundeve të konfrontimit me Xhihadin Islamik. Prandaj, paradigma e përgjithshme në inteligjencën dhe skalionin politik ishte se ata nuk donin të shkonin në luftë dhe çdo sinjal i referohej një stërvitjeje që po bënin për një skenar që nuk do ta ekzekutonin kurrë. Çështja nëse kishte sinjale në të gjithë këtë zhurmë që mund të ndryshonte parametrat mbetet për t’u analizuar.
Bota myslimane ka reaguar me protesta ndaj sulmeve të Izraelit në Gaza, ndërsa presidenti turk, Erdogan, i quajti sulmet krime lufte. Yadlin thotë se për Izraelin si pjesë e kampit properëndimor në Lindjen e Mesme, qasja e Erdoganit nuk është gjë e re. Ai thotë se Vëllazëria Myslimane e udhëhequr nga Turqia e mbështet hapur Hamasin, që është në armiqësi edhe me shumë shtete arabe.
Mund të përcaktojmë katër kampe në Lindjen e Mesme. Së pari është boshti i së keqes "radikal shiit" i udhëhequr nga Irani: Irani, Siria, Hezbollahu dhe Houthi, Turqia i përket kampit të dytë në Lindjen e Mesme të quajtur "Islami politik". Ky aks përfshin Turqinë, Katarin, Vëllazërinë Myslimane dhe Hamasin. Por pjesa e Hamasit është edhe më e keqe se ISIS, që është kampi i tretë, janë “xhihadistët sunitë”. Pra, ne kemi "xhihadistët shiitë", "xhihadistët sunitë" dhe Vëllazërinë Myslimane të udhëhequr nga Turqia. Prandaj, nuk na habit fakti që Turqia e mbështet Hamasin. Izraeli i përket kampit të katërt, që është kampi pragmatik properëndimor. Ky kamp përfshin Egjiptin, Jordaninë, Arabinë Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Izraelin. Nuk kemi asnjë pritshmëri nga Turqia. Megjithatë, shumë shtete arabe sunite duan që Hamasi të shkatërrohet sepse Hamasi i përket armiqve të tyre. Vëllazëria Myslimane është një armik i Egjiptit, një armik i Emirateve të Bashkuara Arabe dhe një armik i sauditëve. Në fund të fundit, Hamasi është një kombinim i veçantë i xhihadistëve dhe Vëllazëria Myslimane dhe Turqia i mbështesin ata. Dhe nuk është një zhgënjim për Izraelin, sepse ne e dimë se kush është Erdogan dhe sa herë që kemi një përplasje me Hamasin në Gaza, ai mbështeti organizatën terroriste që kontrollon "Hamastanin".
Me shkurtime nga Kathimerini
Add new comment