Shqipëria nuk është vetëm e Shkëlzenit dhe e Zahos, por edhe e fëmijëve tanë

Postuar në 07 Nëntor, 2023 12:31
Skerdilajd Zaimi

 

Disa vite më parë, kur nisi të diskutohej ideja Vuçiç-Thaçi për ndarjen e Kosovës, qarkulloi në disa media apo gazetarë mendimi se nëse do të arrihej në paqen serbo-shqiptare, dyshja në fjalë do të shërbehej me çmimin Nobel për Paqen. Nuk është e jashtëzakonshme: çmimin në fjalë e ka marrë Obama që urdhëronte vrasje dhe sulme ushtarake, e ka marrë edhe një person si Arafat që e nisi karrierën me sulme terroriste.

Kjo nuk ndodhi dhe është pak e besueshme se dikush si Thaçi apo Vuçiç ka merak të marrë një medalje si Nobeli veçse si pjesë të interesit politik. Kemi një të Dytë që me gjasë po luan për një karrierë ndërkombëtare apo çmim prestigji. Ky është një njeri që ka në dispozicion një vend të tërë, të bëjë me të çfarë të dojë, ta përdorë si të mundet. Deklarata e Edi Ramës se në këmbim të kampeve të migracionit të kërkuar nga Italia, nuk është kërkuar asgjë, përfaqëson një përçartje që duhet konsideruar në suazën e asaj që thamë më sipër: kam unë Shqipërinë, pa merak se diskutojmë.

Është e vërtetë që shqiptarët kanë një detyrim ndaj Italisë dhe italianëve, por nëse problemi do të ishte i ngjashëm me emigrimin tonë. Italia ka marrë pagesa edhe për valën migratore të shqiptarëve, ndërkohë që sot ne kemi thjesht dhe vetëm një salvaxhente për Melonin të cilës i duhet të japë një zgjidhje për problemin e mprehtë të migracionit. Dhe njësoj si Britania me Ruandën, Shqipëria shërben për Italinë. Në këmbim të Asgjëje. Një falemnderit ndërkombëtar për Edin. Zoti Rama shton me mburrje se ka pritur afganë, pra ka përvojë. Dhe përvojë pati ky edhe me muxhahedinët iranianë derisa u detyrua të mësynte me polici në kamp.

Ne pyesim: çfarë fitojmë nga kjo që po vendoset pa na pyetur kush? Ne pyesim dhe përgjigjet për aspektin teknik të marrëveshjes i marrim vesh nga zyrtarët italianë.

Një shtet përherë udhëhiqet nga interesi, jo nga trillet delirante të dikujt. Edhe pse delirantët dhe sharlatanët kanë qenë me shumicë në këtë vend. Sepse ky vend që të funksionojë duhet edhe të jetë në funksion të interesave të njerëzve. Mirëpo ne kemi 30 vjet që veshët na janë mësuar të dëgjojmë emra dhe mbiemra të sublimuar: Berisha, Meta, Rama. A thua Zoti vetë këmbeu urdhëresat me këta. Të tre ca hajdutë të deklaruar si të tillë dhe në krye të qeverive më të korruptuara në Europë dhe partive ku ka aksione krimi.

Kemi dëgjuar në vijim emrat e sojit të tyre: Argita, Shkëlzeni, Monika e tani edhe Linda me Zahon. Mirëpo Shqipëria është jo e Tyrja, por edhe e Tyrja dhe nëse këtë e ka shpjeguar keq si kuptim demokracia e kapur shqiptare, me dalldinë e fundit të kërpudhës kryeministrore po na bëhet e qartë se ne Shqipërinë do të duhet ta shohim vetëm si hotel. Sepse kështu duan disa. Dhe kjo është ofertë me përfitim Zero për çdo shqiptar, të cilët nuk kanë ndoshta asnjë mirënjohje apo detyrim për ata më sipër që ta pranojnë. Jo në këtë formë të paktën.

Comments

Submitted by Anonymous (not verified) on

Me sa duket su perket te tjereve.jemi ne kohen e koleres.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.