Ministri francez i Drejtësisë del para drejtësisë
Në Francë, ministri i Drejtësisë pritet të dalë para gjykatësve, ndërsa mban ende detyrën. Rasti i paprecedent në historinë e pushtetit gjyqësor francez lidhet me emrin e Eric Dupond-Moretti.
Ai ka refuzuar të japë dorëheqjen, ndërsa pritet të paraqitet në gjykatë më 17 nëntor, raporton France 24.
Dikur avokat i profilit të lartë, Dupond-Moretti akuzohet se ka abuzuar me pozitën e tij si ministër i Drejtësisë për të urdhëruar hetime që vënë në shënjestër magjistratët që e hetuan atë, miqtë e tij ose ish-klientët e tij.
Dupond-Moretti rrezikon deri në pesë vjet burg dhe gjysmë milioni euro gjobë nëse dënohet për akuzat e konfliktit të paligjshëm të interesit. Ai u emërua ministër i Drejtësisë nga Presidenti Emmanuel Macron në vitin 2020 dhe ka thënë se do të qëndrojë në detyrë gjatë gjyqit, i cili do të përfundojë më 17 nëntor.
Ai do të gjykohet në Gjykatën e Drejtësisë së Republikës, ku do të përballet me tre magjistratë profesionistë të shoqëruar nga 12 anëtarë të Parlamentit, gjashtë nga Dhoma e ulët dhe gjashtë nga Senati, të cilët do të vendosin me shumicë votash.
Sindikatat e magjistratëve thonë se një situatë e tillë e pazakontë dëmton besueshmërinë e ministrit të Drejtësisë dhe dobëson të gjithë sistemin e drejtësisë.
Dupond-Moretti njihet si një nga avokatët kryesorë të krimit në Francë, dhe është mbiquajtur "shfajësuesi" pasi ka arritur t’u japë pafajësinë 145 të akuzuarve.
Gjatë 10 viteve të fundit, ai ishte përfshirë gjithnjë e më shumë në çështje politike dhe marrëdhëniet e tij me gjyqtarë të caktuar ishin acaruar.
Menjëherë pasi u emërua ministër, ai hapi hetime administrative kundër magjistratëve të ngarkuar me procedimet që e kishin lidhur drejtpërdrejt: tre magjistratë nga zyra e prokurorisë kombëtare financiare dhe një ish-gjyqtar hetues në Monako. Gjatë hetimeve nuk u konstatuan shkelje nga ana e katër gjyqtarëve.
Sindikatat e magjistratëve e paditën ministrin, duke i cilësuar hetimet e udhëruara prej tij të pabaza dhe të gjithë përpjekjen një shfrytëzim i postit për të larë hesapet personale.
Dupond-Moretti shihet si ndër anëtarët me prirje të majtë të qeverisë së Macron, por kritikët nga e majta dhe e djathta kanë ngritur pikëpyetje pse ai nuk u tërhoq gjatë gjyqit.
Add new comment