Në lojë është shteti i Malit të Zi

Postuar në 02 Nëntor, 2023 18:18
Miljan Vešović

 

Shumica parlamentare në Mal të Zi zgjodhi më 30 tetor, Andrija Mandiç, lideri i partisë proserbe dhe pro-ruse “Për të Ardhmen e Malit të Zi” si kryetar të Parlamenti të Malit të zi. Pak më vonë, me mbështetjen e partive në fjalë, u zgjodh qeveria e re e Milojko Spajiç. Siç e ka pranuar edhe vetë Kryetari i ri i Parlamentit malazez ka shtetësi të dyfishtë, serbe dhe malazeze. Sipas ligjit dhe rregulloreve në fuqi në Malin e Zi, kjo është e jashtëligjshme. Mandiç u dënua po ashtu në shkallën e parë për tentativë grusht shteti dhe aktivitete terroriste gjatë ditës së zgjedhjeve parlamentare në Mal të Zi më 16 tetor 2016. Në të njëjtin gjyq, operativë të shërbimeve ushtarake inteligjente ruse, qytetarët rusë, Shishmakov dhe Popov u dënuan po ashtu si organizatorë të komplotit. Sipas akuzës që u konfirmua në gjyq, synimi i konspiratorëve ishte që në ditën e Zgjedhjeve, grupi terrorist të merrte kontrollin e institucioneve malazeze dhe të vriste kryeministrin e atëhershëm, Milo Gjukanoviç. Në këtë mënyrë forcat pro-ruse(lider i të cilave ishte dhe është Mandiç)do të merrnin pushtetin dhe duke vepruar në interes të Rusisë do të parandalonin anëtarësimin e Malit të Zi në NATO.

Pasi u dënua me pesë vjet në burg në shkallën e parë, Mandiç, krahas të akuzuarve të tjerë, apeloi në Gjykatën e Apelit. Ndërkohë më 30 gusht 2020, partitë properëndimore humbën zgjedhjet në Mal të Zi. Shumica e re parlamentare konsistonte në një koalicion me tri parti proserbe. Menjëherë pas formimit të qeverisë së re, ministri i atëhershëm i Drejtësië, Leposaviç, i njohur ndryshe si mohues i genocidit në Srebrenicë, nisi të ushtronte presion publik ndaj Gjykatës së Apelit për të kthyer vendimin e shkallës së parë. Gjykata e Apelit bëri pikërisht këtë gjë.

Jo shumë kohë pas njoftimit se çështja ishte kthyer për rigjykim në shkallën e parë, media raportoi sei Zyra e Prokurorit Special të Shtetit(që përgjigjet për të gjitha rastet e lidhura me krimin e organizuar) depozitoi akuza penale kundër disa personave për pastrim parash në interes të një biznesmeni rus në Mal të Zi. Mes të akuzuarve ishte edhe bashkëshorti i një prej gjyqtareve që kthyen vendimin ndaj Mandiç dhe ndaj operativëve të GRU-së, për përpjekjen për grusht shteti. Presidenti rus Vladimir Putin e quajti Kryetarin e Parlamentit të Malit të Zi, Mandiç, një “hero të vërtetë”. Mandiç po ashtu ka vetëm fjalë lavdërimi për Putin. P.sh një herë ai siguroi se “shumica e malazezëve e perceptojnë Putinin si presidentin e tyre”.

Sa për NATO-n, Mandiç ka këtë opinion: “NATO është një forcë brutale, kundërshtare e lirisë. Ajo vazhdoi me politikën e terrorit dhe të forcës edhe në vende të tjera, por koha e saj po mbaron. Kundërshtarët e NATO-s tani qëndrojnë me Rusinë e madhe, e cila edhe njëherë është bërë shpresë për njerëzimin dhe mbrojtëse e vlerave të rrethit të qytetërimit që i përkasin popujve ortodoksë”. Pak përpara zgjedhjeve parlamentare, pas të cilave u krijua shumica e tanishme, Mandiç deklaronte se “nëse do të vij në pushtet, Mali i Zi së pari do të largohet nga NATO dhe më pas do të tërheqë njohjen e Kosovës”.

Përveç partisë së Mandiçit, “Për të Ardhmen e Malit të Zi”, shumica në pushtet përbëhet nga tre të tjerë. “Për të Ardhmën e Malit të Zi”, aktualisht nuk ka ministra në qeveri, por do të përfaqësohet në nivel zv.ministrash. Po ashtu, parashikohet që pas një viti qeveria do të rindërtohet në mënyrë që aty të hyjnë edhe anëtarë të partisë së Mandiç në nivel ministrash. Anëtarë të partive të tjera që formojnë qeverinë, sikurse kryeministri Spajiç, kanë shprehur vazhdimisht orientimin e tyre proeuropian dhe pro-NATO dhe janë zotuar të ndjekin rrugën euroatlantike që ka ndjekur vendi që nga restaurimi i shtetësisë. Duke mbajtur parasysh se kush është partneri i tyre, nuk është e lehtë të besohen këto premtime.

Spajiç e nisi aktivizimin e tij politik duke lobuar për një Kishën Ortodoke Serbe, që është pa asnjë dyshim pro-ruse. Pasi u bë ministër i Financave në qeverinë e Malit të Zi dhe më pas lider i partisë aktualisht më të madhe në vend, Lëvizjes “Europa Tani”, ai u përpoq të lëvizte nga fillimet e tij proserbe për ta pozicionuar veten si një politikan perëndimor, pro-perëndimor, që vinte theksin te zhvillimi ekonomik. Partitë proserbe në Malin e Zi, si dhe aparati i shërbimeve dhe media e regjimit të Vuçiç në Serbi, nuk ia falën. Duke krijuar disa skandale politike, ata parandaluan fillimisht që ai të bëhej një kandidat për president dhe më pas, u përpoqën të dobësojnë pozicionin e tij pas zgjedhjeve parlamentare të qershorit 2023.

Presioni i Serbisë dhe përmes saj i Rusisë po ashtu, u ndje më shumë në procesin e formimit të qeverisë dhe shumicës së re parlamentare pas zgjedhjeve. Ideja origjinale e Spajiç ishte të përjashtonte partitë pro-ruse nga negociatat dhe formimi i një qeverie me proserbë të moderuar dhe partitë e pakicave. Megjithatë, ai u dorëzua ndaj presionit të organizuar nga Beogradi dhe përfshiu Mandiçin dhe grupin e tij në shumicën qeverisëse. Ka shumë mundësi që mjeti kyç i presionit serb të ketë qenë presidenti aktual i Malit të Zi, Milatoviç. Të dy këta vijnë nga e njëjta parti, “Europa Tani”. Media ka arsyetuar shpesh se ishte presidenti i tanishëm që ndikoi disa deputetë të partisë në fjalë që të refuzonin propozimin e Spajiç që qeveria dhe shumica qeverisëse të formohej pa elementët pro-rusë. Kështu, Milatoviç i mohoi Spajiçit shumicës për atë propozim.

Meqë ra fjala, këshilltari i sigurisë së Milatoviçit, Vuksiç, njohet po ashtu(kur ishte avokat korporate) për lidhjet e tij me anëtarë të komunitetit rus të biznesit. Pasi partitë proserbe erdhën në pushtet në gusht 2020, Vuksiç u caktua në krye të shërbimit sekret malazez, ANB. Ka patur disa raportime në media që kanë siguruar se gjatë mandatit të Vuksiç, ANB-ja u infiltrua nga agjentë të shërbimeve serbe dhe ruse dhe për pasojë u bë një problem sigurie për NATO-n.

Nga ana tjetër, pati mesazhe të qarta nga Perëndimi dhe sipas të Dërguarit Special të presidentit Biden për Ballkanin Perëndimor, Escobar “SHBA ishte shumë e qartë se donte që qeveria të ishte e përbërë ekskluzivisht nga parti të përqendruara në integrimin europian dhe dedikuar ndaj NATO-s, që ndajnë pozicionin e SHBA në lidhje me Rusinë”. Është e dukshme se ky mesazh u injoruar dhe se shumica qeverisëse gjykoi se pikëpamjet e Beogradit, Kishës Ortodokkse Serbe dhe tërthorazi të Moskës, ishin më të rëndësishme dhe se kryeministri Spajiç, të paktën për tani, dështoi t’i rezistonte presionit anti-perëndimor me të cilin u përball.

Kjo është pra situata aktuale në Mal të Zi: postet e kryetarit të Parlamenti, disa zv.ministrave në qeveri dhe këshilltarët e afërt të Presidentit mbahen nga zyrtarë anti-perëndimorë, anti-NATO dhe pro-rusë. Kjo krijon dy probleme të mëdha sigurie për aleatët perëndimorë dhe partnerët e Malit të Zi.

Në termat afatshkurtër, problem më i madh do të jetë siguria e informacionit të klasifikuar të NATO-s, në të cilin Mali i Zi ka akses si të gjithë aleatët. Mandiç, si kryetar i Parlamentit, është po ashtu anëtar i institucionit epror të sigurisë në vend, indtitucioni që komandon Forcat e Armatosura të Malit të Zi – Këshillin e Sigurisë dhe të Mbrojtjes. Kjo trupë merr vendime unanime, që do të thotë se ka shumë gjasa që Moska, përmes Mandiç, të jetë e aftë të bllokojë pjesëmarrjen e Malit të Zi në misionet e NATO-s dhe operacionet e saj. Shtuar kësaj, Mandiç, “Heroi i Putinit”, i dënuar në shkallën e parë për përpjekje terroriste nën urdhërat e GRU-së, si një anëtar i Këshillit të Sigurisë dhe Mbrojtjes, ka automatikisht akses në nivelin më të lartë të informacionit të klasifikuar. Të gjitha kabllogramet diplomatike që përmbajnë raporte nga komitete të ndryshme të NATO-s, takimet e tyre, të cilat dërgojë vazhdimisht të dërguarit tanë(siç duhet të bëjnë sepse është puna e tyre), do të mbërrijnë në tavolinën e Mandiç. Kjo do të thotë më tej se ka një mundësi shumë të madhe se hollësi të tyre, p.sh vlerësimet ushtarake dhe inteligjente të NATO-s për poizicionin dhe kapacitetet e forcave ruse dhe ukraniase, do të përfundojnë në ambasadën ruse në Podgoricë po atë ditë.

Në planin afatgjatë, përfshirja formale e partive proserbe dhe pro-ruse në qeveri dhe shumicën parlamentare është një tjetër hap drejt aktivizimit të skenarit të zhbërjes së shtetësisë së Malit të Zi për ta kaluar atë nën kontrollin politik, të sigurisë dhe ideologjik të Serbisë dhe Rusisë si dhe destabilizimi i rajonit. Këto tre vite e gjysmë, kur dy qeveritë proserbe e lanë vendin praktikisht nën mëshirën e operativëve dhe agjentëve influencues të shërbimeve ruse dhe serbe, krijuan një tokë pjellore për këtë skenar.

Hapi i parë në këtë plan është falsifikimi i censusit të popullsisë në mënyrë që të deklarohet rrejshëm se shumica e popullsisë malazeze janë serbë etnikë. Bazuar mbi këto rezultate të rreme, hapi tjetër është ndryshimi i rendit kushtetues të Malit të Zi, që nuk do të jetë më një shtet civik, por një shtet i ndarë mes vijave etnike si Bosnje-Hercegovina. Kjo kjo të ketë mbaruar, është koha e abrogimit të shtetësisë së Malit të Zi dhe unifikimit të tij me Serbinë. Sigurisht, kjo do të thotë tërheqje nga NATO(shteti anëtar nuk do të ekzistojë më) dhe tërheqje e njohjes së Kosovës. Këto janë synimet politike të Kryetarit të Parlamentit të Malit të Zi.

Ose, nëse nuk ka një shumicë për këtë anullim tërësor të shtetësisë së Malit të Zi, Beogradi dhe Moska mund të provokojnë sulme terroriste dhe deklarata pavarësie në bashkitë me shumicë të popullsisë serbe. Njësoj si Rusia në Donbas dhe siç u përpoq Serbia në Veriun e Kosovës.

Sigurisht kjo do të dojë vite dhe ky është skenari më i keq. Megjithatë, ky skenar është më shumë i mundshëm sesa mendojnë forcat properëndimore në Malin e Zi, apo aleatët perëndimorë vetë. Le të kujtojmë se në vitin 1996, pak njerëz në Mal të Zi dje jashtë tij mendonin se vendi ynë do të ishte i aftë të krijonte shtetin. Vetëm 10 vjet më vonë kjo ndodhi. Vetëm ky fakt tregon se mundësia e procesit të anasjelltë – duke kthyer Malin e Zi në një lloj unioni de facto me Serbinë – po ashtu ekziston.

Është veçanërisht shqetësuese se Mali i Zi, në dallim p.sh nga Kosova, aparati i sigurisë të së cilës është kompakt dhe vendosmërisht pro-perëndimor në mbrojtje të interesave kombëtare të vendit, nuk ka më një apparat sigurie të aftë t’i kundërvihet përpjekjeve të tilla. Dhe është e pamundur të kërkosh mbrojtjen e NATO-s përmes aktivizimit të Neneve 4 apo 5 të Traktatit të Uashingtonit. Zyrtarët më të lartë të Malit të Zi, përgjegjësia e të cilëve është aktivizimi i Neneve 4/5 janë vetë njerëzit që mendojnë se NATO është një “kundërshtare e lirisë”

Paqëtimi me Serbinë doli të ishte një politikë kundërproduktive. Për të njëjtat arsye të qenit i butë me Kinën në vitet ’90, me Rusinë në fund të dekadës së parë të shekullit të 21-të dhe heqja e sanksioneve ndaj Iranit në mënyrë që të arrihej marrëveshja bërthamore, u provua të ishte po kaq kundërproduktive. Në të gjitha këto raste duket se është deluzionale të mendosh se vendet anti-perëndimore, autoritariste, interesat e të cilëve nuk përputhen me ato të SHBA dhe Perëndimit, befas do të bëhen miqësorë nëse vendoset bashkëpunimi ekonomik me ta dhe praktikat e tyre autoritariste tolerohen. Si “realpolitika” ashtu edhe papërputhshmëria e plotë e shoqërive bazuar mbi lirinë dhe atyre bazuar mbi frikën dhe bindjen, përcaktojnë se Perëndimi nuk mund të ketë miqësi me Partinë Komuniste të Kinësm KGB-në dhe Këshillin Islamik Revolucionar të Iranit, as edhe këto entitete nuk duan miqësi apo bashkëjetesë paqësore me Perëndimin.

E njëjta situatë është me Serbinë e Vuçiç. Nëse mendon në termat e “realpolitikës” Serbia konsideron Malin e Zi, Kosovën dhe Bosnje-Hercegovinën, Maqedoninë e Veriut dhe një pjesë të Kroacisë, ose si territore që historikisht i përkasin asaj, ose si sferë të sajën të interesit. Anëtarësimi në NATO i tyre dhe prania e KFOR-it në Kosovë, perceptohet nga nacionalistët serbë të cilëve padyshim që Vuçiç u përket, si pengesa më e madhe e realizimit të këtyre interesave. Kjo është arsyeja pse synimi i politikës serbe është të reduktojë praninë dhe ndikimin e NATO-s sa më shumë të jetë e mundur. Natyrisht, Moska dhe Pekini kanë po atë qëllim.

Duke menduar në terma të vlerave, prania e madhe e Perëndimit në Ballkanin Perëndimor është po ashtu një kujtesë e vazhdueshme për qytetarët e Serbisë sesi duket jeta e bazuar në lirinë, demokracinë, tregun e lirë dhe përparimin ekonomik. Për një regjim autoritarist referenca të tilla janë shumë shqetësuese. Sigurisht që regjimi i Vuçiç është i vetëdijshëm se NATO nuk mund të mposhtet ushtarakisht. Megjithatë ata duan të arrijnë te reduktimi i ndikimit perëndimor përmes fuqizimit të aleancave me Rusinë dhe Kinë nga njëra anë dhe një përpjekje për ta paraqitur Vuçiçin në Perëndim si një “faktor stabiliteti” lëshimet ndaj të cilit duhet të bëhen në mënyrë që ta bëjnë Serbinë bashkëpunuese, nga ana tjetër.

Shembulli i vizitës së tij të fundit në Kinë, tregon po ashtu sesi “ripagoi” Perëndimin për lëshimet e bëra dhe mbylljen e njërit sy nga BE-ja dhe SHBA-ja ndaj operacioneve hibride të Serbisë në Kosovë, Malin e Zi dhe Bosnje….Ai njoftoi po ashtu se Serbia po konsideron transferimin e pjesshëm të rezervave të veta nga dollari ddrejt jenit kinez. Me këtë Vuçiç mbështet drejtpërdrejt sulmin financiar ruso-kinez ndaj SHBA-ve përmes një përpjekjeje për të reduktuar dominimin e dollarit në rezervat e huaja monetare dhe transaksionet globale financiare.

Ndaj mund të konkludohet se prej kohësh tashmë ka nevojë për një ndryshim të kursit në politikën e Perëndimit drejt Ballkanit Perëndimor, përfshirë Malin e Zi.

Marrë me shkurtime nga: AntenaM

Përkthimi dhe titulli: Skerdilajd Zaimi 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.