Hileqar dhe i vogël deri në fund

Postuar në 02 Nëntor, 2023 00:16
Skerdilajd Zaimi

 

Edi Rama i hapi sytë Bashkimit Europian për Ballkanin Perëndimor dhe me propozimin e vet për draft-statutin e Asocacionit të komunave me shumicë serbe hodhi bazat e një dokumenti europian. Kështu e përcjellin media pranë qeverisë shqiptare sfondin e propozimit të ri europian. Një kokë nga një dokument që mund të jetë gjithçka dhe media e Baton Haxhiut, një lloj kaçaku mediatik i Albin Kurtit, sugjeron gjenialitetin e kryeministrit të Shqipërisë. 

Mirëpo në të njëjtën media, e në të tjera që i shkojnë pas ekspertit të mllefit, shënohet se pranimi prej Kurtit i propozimit të ri europian, përfaqëson një dështim të tijin spektakolar, një dorëzim madje, sepse ai ka pranuar firmosjen e Asocacionit që është në thelb automomi territoriale për serbët. Pra diplomacia e Ramës është e spikatur dhe madje i ka ndihmuar Kosovës që të dalë nga bataku, por me pranimin e rezultateve të saj, kryeministri i Kosovës dhe presidentja e saj po i hapin gropën vendit.

Lajthitje të tilla nuk kanë nevojë të shpjegohen. Ne këtu jemi para një përpjekjeje me teknikën e zakonshme të dikujt që do medalje të një suksesi diplomatik që është ende teorik dhe më së shumti atmosferik. Asgjë nuk ka lëvizur në terren. Kjo për arsye se marrëveshja e propozuar nga BE ka si paradigmë një tekst bidireksional që lidh Asocacionin me Njohjen de Facto nga Serbia dhe kjo u bë e qartë kaq mirë saqë detyroi Aleksandër Vuçiç të deklarojë se nuk do ta njohë Kosovën. 

Vuçiç i dha Kurtit kredite kur deklaroi se pranimi prej kryeministrit të Kosovës i të gjitha kërkesave europiane ishte taktikë dhe truk përderisa ai e dinte se Serbia nuk do të pranonte dhe në këtë pikë është e kotë të flitet për përmbajtjen e tekstit për Asocacionin, të cilin Prishtina e tematizoi në fazën e negociatave para tensioneve në Zveçan. Duhet të kemi parasysh se protestat në Zveçan dhe plagosja e ushtarëve të KFOR duke tensionuar marrëdhënien e këtij të fundit me qeverinë e Kosovës, synonte të maksimalizonte presionin mbi Prishtinën që të pranonte në ato kushte artificiale vetëm një kërkesë të dyshes se diskredituar Lajçak – Borrell: Asocacionin. Kjo nuk ndodhi dhe ndërkohë që Kurti sugjeroi termin e papranueshëm për Beogradin “vetëmenaxhim” u vu në lëvizje z. Rama që në fakt rienergjetizoi momentumin e vdekur të diplomacisë okulte Lajçak -Borrell me një propozim teknik, ndërkohë që Kosova duhet të negocionte stabilitetin e cenuar nga  pala serbe që po donte të tregonte se “Veriu ishte tokë e askujt”. 

Sikur të pranojmë për një moment si të vërtetë këtë që sugjeron Baton Haxhiu, pra se drafti i gjithëpranuar i Ramës(edhe nga Vuçiç sipas tij) është në bazë të një dokumenti europian cilësisht ndryshe dhe optimal, atëherë mund të pyesim: pse u organizua Banjska? Ç’nevojë kishte Serbia për atë autogol dinamikën e të cilit ende nuk e dimë? Për çfarë i duhej Serbisë ai incident që i solli likujdimin e një pjese të mirë të dispozitivit paramilitar në Kosovë? E dëmtoi rëndë imazhin e saj dhe madje dëmtoi edhe potencialin shpërthyer të saj në Kosovë? Dhe mos vallë ajo konferenca e alarmuar e z. Rama kur njoftoi propozimin e ri lidhet me diplomacinë e shantazhit ndaj Kosovës, zëdhënës i së cilës u bë(për të mirën e kombit patjetër) z. Rama? A ishte kjo lloj diplomacie e pas kuintave që “autorizoi” Banjskën me heshtjen e vet? T’ia lëmë kohës...

Drafti i ri europian erdhi pra në kushtet e një katalize të tensionit  ushtarak dhe ai këtu i shërben më mirë Serbisë që ka sërish në tryezë një ofertë të ndryshuar, por të diskutueshme, të cilin ende nuk e njohim. Në ditën e propozimit të tij më 8 qershor, ai nuk u kushtëzua me njohjen de facto si sot nga pesë vendet europiane dhe ShBA dhe ky ishte një defiçit i madh strategjik pasi e ruante negociimin në të njëjat pozita për Serbinë. Pa shtrëngime për të. Siç e tha edhe Vuçiç, “Kurti e pranoi sepse e dinte se Serbia do thoshte Jo”. Por kjo ndodhi kur Serbisë iu kërkua NJOHJA. 

Dhe në fund, është mjerane, qesharake në kulm, por e denjë për një gjallesë vanitoze si ky Edi Rama, që një kryeministër të kërkojë merita për një propozim me natyrë teknike, lëm i ekspertëve, ndërkohë që një nismë diplomatike do të kërkonte në fakt një kuadër për marrëveshjen, që të mund të quhej diçka cilësisht e re. Por jemi mësuar tashmë me këtë mësues të vetvetes dhe çirakët entuziastë të tij kur është fare e qartë se në qershor 2023, problemi mes Serbisë dhe Kosovës nuk ishte më përmbajtja e draftit për Asocacionin. E për Kosovën, as interes i saj.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.