Athinë, prindërit patrullojnë për të ruajtur rendin në Kifissia
Prindërit e fëmijëve në Kifissia të Athinës në Greqi, kanë krijuar një grup patrullimi për t’i ardhur në ndihmë policisë pas rritjes së kriminalitetit të të miturve. Ata kanë krijuar grupin "Kifissia Watch", përmes të cilit organizohen për patrullimin e fundjavës. Fundjava është koha kur numri i të rinjve në rrugët dhe baret e qytetit verior shumëfishohet dhe kjo rrit shqetësimin te prindërit.
“Vëllimi i turmave është shumëfishuar dhe si rrjedhojë kërkohet që të marrin pjesë më shumë njerëz. Besoj se ia vlen të kalojmë dy orë nga koha jonë e lirë. Pëlqimet në rrjetet sociale janë të mira, por nuk mjaftojnë! Ndoshta nëse në vend të 95 pëlqimeve do të nxirrnit në rrugë 95 persona, situata do të ishte ndryshe?”, shkruan në grup njëri nga prindërit. Grupi ka mbi 2000 anëtarë, nga të cilët 100 janë më aktivët, por maksimumi 15 persona dalin në rrugë në të njëjtën kohë.
Gjithçka filloi pranverën e kaluar, pas një sërë incidentesh të dhunshme në një lagje. Dy adoleshentë grabitën një të moshuar, një 17-vjeçar kërcënoi me thikë një 14-vjeçar për t'i vjedhur telefonin dhe dy të mitur të moshës 15 dhe 14 vjeç kërcënuan me thikë xhepi dhe dorezë hekuri dy fëmijë 12 dhe 14 vjeç.
“Incidenti i fundit me kërcënimin me thikë ishte shkas për të bërë diçka më drastike”, thotë Asfis për "Kathimerini". Që nga pandemia, Kifisia, dhe në veçanti qendra tregtare ku ndodhet pista e boulingut, është kthyer në një pikë takimi për grupe të miturish nga pjesë të ndryshme të Athinës, të cilët lënë takime përmes Tik-Tok ose mediave të tjera sociale. Grupi ka për qëllim t’ia lehtësojë punën policisë, me patrullat e vëzhgimit. “Nëse vërejmë diçka, mund të informojmë autoritetet,” tha ai.
Udhëzimet janë të qarta për të gjithë anëtarët e grupit. Në asnjë rrethanë, ata nuk reagojnë. Ata duhet të qëndrojnë të qetë dhe të përpiqen të regjistrojnë incidentin në celular dhe të lajmërojnë policinë.
Add new comment