Në krizë edhe industria e energjisë së gjelbër. Siemens lyp para nga qeveria gjermane

Postuar në 30 Tetor, 2023 10:52

Aksionet e "Siemens Energy" kanë rënë në mënyrë drastike pasi u mor vesh se kompania gjermane, një nga prodhuesit më të mëdhenj në botë për turbinat e energjisë nga era, ishte në bisedime me qeverinë për të shmangur falimentin.

Siemens Gamesa ka kërkuar një garanci prej 15 miliardë euro nga qeveria gjermane, pasi defektet në modelet e reja të turbinave çuan kompaninë në humbje.   

Kjo ka ngritur dyshimin se në një krizë të ngjashme mund të gjendet e gjithë industria e energjisë së erës. Kostot për financimin dhe ndërtimin e centraleve të erës janë rritur. Inflacioni po vë në pikëpyetje projektet me vlerë miliarda dollarë në këtë fushë. Frika është se kjo mund të pengojë qeveritë të arrijnë objektivat në energjinë e rinovueshme.

Rritja e kostove për centralet e energjisë së erës jashtë kufijve u bë problem gjatë kësaj vere edhe për gjigantin suedez, Vattenfall. Kompania raportoi për një rritje të kostove në masën 40%, që do të thotë se aktiviteti nuk ishte më me fitim.

Vattenfall u detyrua të ulë çmimin në 37.35 paund për megavat, për të fituar mbështetjen e qeverisë.

Edhe danezja Ørsted ka ngritur shqetësime në lidhje me problemet e zinxhirit të furnizimit dhe rritjes së normave të interesit, duke raportuar te investitorët një ulje prej afro 2 miliardë paund për shkak të vonesave në disa projekte që përfshijnë prodhimin e energjisë nga era në SHBA.

Ekspertët parashikojnë ngadalësim të progresit drejt objektivave klimatikë të vendosura për vitin 2050. Instituti Cornawall Insight, i cituar nga The Guardian, parashikon që Britania të jetë ndër të parat që do të dështojë në këtë pikë.

Edhe analistët e Bloomberg NEF parashikojnë që SHBA të vërë në pikëpyetje përmbushjen e objektivave të marrëveshjes së Parisit, për uljen e emetimeve të CO2.

  

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.