Tunizia kthen mbrapsht fondin për emigrantët: Nuk i nisëm ne luftërat
Marrëveshja e arritur në korrik për emigrantët ka shënuar dështimin e parë. Tunizia i ktheu 60 milionë euro Bashkimit Europian, të akorduara nga ky i fundit në këmbim të pengimit të fluksit të emigrantëve përmes Mesdheut drejt Europës.
Një zëdhënës i Komisionit konfirmoi për POLITICO se vendi i Afrikës së Veriut e ktheu mbrapsht fondin e dorëzuar nga ekzekutivi i BE-së në shtator.
Vendimi i Tunizisë reflekton pakënaqësinë e saj ndaj Komisionit. Ajo e ka akuzuar ekzekutivin e BE-së se nuk ka dhënë fondet që kishte premtuar në marrëveshjen e emigrantëve.
Marrëdhëniet midis Tunizisë dhe Brukselit u acaruan në korrik, pasi BE-ja nuk realizoi dorëzimin e parave të premtuara - me vlerë 255 milionë euro - për vendin e Afrikës së Veriut, mes kritikave në rritje për financimin.
Qeveria tuniziane tha se 60 milionë euro të dorëzuara nga BE-ja ishin pjesë e planit të rimëkëmbjes së vendit pas COVID-19, pra një marrëveshje që ka ekzistuar më parë sesa marrëveshja për emigrantët, por fondet nuk janë disbursuar kurrë më parë.
“Sot ata po i japin [këto para] për vitin 2023 dhe si mbështetje buxhetore”, tha ministri i Jashtëm tunizian Nabil Ammar për të përditshmen lokale Echourouk të mërkurën.
Ne nuk filluam luftëra dhe nuk e zhytëm njerëzimin në luftëra botërore si ju.
Por pavarësisht tensioneve të fundit, ekzekutivi i BE-së këmbëngul se marrëveshja e Tunizisë mbetet një model për marrëveshjet e ardhshme me vendet e Afrikës Veriore.
Disbursimi është pjesë e një pakete financiare prej 127 milionë eurosh të shpallur muajin e kaluar, bazuar në memorandumin e mirëkuptimit të nënshkruar midis Bashkimit Evropian dhe Tunizisë në mes të korrikut.
Fondet ndahen në dy pjesë: 60 milionë euro për të mbështetur ekonominë në vështirësi të Tunizisë dhe gati 67 milionë euro për të përforcuar menaxhimin e kufirit dhe për të parandaluar nisjen e anijeve të emigrantëve.
Presidenti tunizian Kais Saied, tha se fondi prej 127 milionë eurosh i BE-së është "përqeshës" dhe në kundërshtim me memorandumin.
"Tunizia, e cila pranon bashkëpunimin, nuk pranon asgjë që i ngjan bamirësisë apo favorit, sepse vendi ynë dhe populli ynë nuk duan simpati dhe nuk e pranojnë atë kur është pa respekt", tha Saied pak ditë më parë. “Rrjedhimisht, Tunizia refuzon atë që është shpallur ditët e fundit nga BE-ja”.
Kjo fillimisht shkaktoi habi në Bruksel, ku memorandumi me Tunizinë është vlerësuar si një plan për marrëveshjet e ardhshme me vendet fqinje për të frenuar flukset e migracionit. Por paralajmërimi i Tunizisë, sot është bërë fakt.
Add new comment