Sulm masiv i Hamasit mbi Izraelin. Netanyahu shpall luftën

Postuar në 07 Tetor, 2023 17:04

Botës i është shtuar në menunë e konflikteve të nxehta edhe ai më tradicionali për kohën tonë: izraelito-palestinez. Media të shumta raportojnë se të shtunën militantë të grupimit islamik palestinez, Hamas kaluan përmes Rripit të Gazës në territorin izraelit dhe nisën bombardimin me mijëra raketa. Të dhënat për viktima ndryshojnë shumë shpejt, por deri më tani flitet për të paktën 100 të vdekur nga pala izraelite dhe qindra të plagosur.

Forcat ajrore izraelite janë kundërpërgjigjur me goditje në Rripin e Gazës, një territor që kontrollohet nga Hamas dhe pretendon se ka vrarë rreth 200 persona Presidenti Netanyahu ka deklaruar se “Jemi në luftë”, kurse ministri i Jashtëm izraelit, është shprehur se “Hamas do ta paguajë shtrenjtë sulmin”.

Episodi i tanishëm po provon megjithatë një element të ri: nivelin krejt tjetër logjistik dhe operacional të Hamasit që përfaqëson kështu forcën kryesore palestineze. Aq sa edhe presidenti Mahmoud Abas ka deklarur në një takim emergjent në Rramallah se “palestinezët kanë të drejtë të mbrohen nga terrori i kolonëve dhe Izraelit”. Abas i përket krahut nacionalist palestinez që ka ardhur në tkurrje që nga viti 2000, kur me Intifadën e Dytë doli në skenë me forcë të re grupimi islamik, Hamas.

Pamje të ndryshme që qarkullojnë në media tregojnë kapjen e mjeteve ushtarake izraelite, përballje dhe konfrontime në Sderot, një qytet në kufi me Rripin e Gazës dhe raportohet se militantët palestinezë kanë qëlluar edhe mbi civilë. Dita e sulmit është zgjedhur Sabathi, ditë pushimi për izraelitët, çka tregon për një plan të mirëmenduar, i koduar me emrin “Përmbytja Al Aqsa”, sipas emrit të xhamisë në Jeruzalem. Në mbështetje të Izraelit ka dalë thuajse e gjithë bota perëndimore dhe Shtëpia e Bardhë ka premtuar “çdo ndihmë të mundshme”.

Po monitoroj nga afër zhvillimet në Izrael. Angazhimi ynë ndaj të drejtës së Izraelit për t’u mbrojtur mbetet i palëkundur dhe i përcjell ngushëllimet e mia familjeve të atyre që humbën jetën në këtë sulm të urryer ndaj civilëve

është shprehur sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin.

Ajo që ka krijuar më shumë pështjellim megjithatë është befasia e sulmit masiv nga Hamasi që ka kapur të papërgatitur Izraelin. Në një shënim të korrespondentit të BBC-së në Izrael, Frank Gardner vihet në dukje pikërisht ky element, që vjen disi i pashpjegueshëm nëse merr parasysh se shërbimet izraelite presupozohet se kanë informacion të hollësishëm mbi lëvizjet e militantëve palestinezë.

Me përpjekjet e kombinuara të Shin Betit, shërbimi i kundërzbulitmit, Mossadit, shërbimit të zbulimit dhe të gjitha aseteve të Forcave Izraelite të Mbrojtjes, është me të vërtetë mahnitëse sesi askush nuk e pa që kjo do ndodhte

shkruan Gardner.

Po kështu Izraeli ka kamera në të gjithë kufirin e telëzuar me Rripin e Gazës, ka sensorë të ndjeshëm ndaj lëvizjes në tokë dhe patrulla. Megjithatë grupimi ka publikuar video që tregojnë se trupat e tij kanë përdorur parashutimin si mjet penetrimi të fshehtë. 

 

Përgatitja dhe drejtimi i një sulmi të tillë të koordinuar dhe kompleks që përfshin dislokimin dhe aktivizimin e mijëra raketave, nën hundën e izralitëve do ketë kërkuar masa të jashtëzakonshme operacionale nga Hamas

vijon Gardner.

Sulmi kumton edhe një simbolikë tjetër: ai vjen në 50-vjetorin e luftës së Yom Kipurit që nisi thuajse njësoj, në mënyrë të befasishme. Dhe në media kanë nisur të pyesin sesi mund të ndodhte një gjë e tillë. Sipas BBC-së, ushtria izraelite dhe shërbimet sekrete deklarojnë se kanë nisur një hetim për këtë çështje që mbetet sekondare në krahasim me imperativin ushtarak.

Deri më tani Jeruzalemi nuk ka ngritur asnjë akuzë për aktorë të tretë, por duhet thënë se Irani zyrtar ka përshëndetur sulmin e Hamasit duke e quajtur një faqe të re në rezistencën palestineze. Këshilltari i Ajtallohaut Ali Khamenei, Tahya Rahim Safavi, ka shprehur mbështetjen për operacionin e nisur nga Hamas, ndërkohë që zëdhënësi i Ministrisë të Jashtme iraniane, Nasser Kanani e ka përshëndetur atë. Duhet thënë se në muajin qershor liderët e Hamasit ishin në Iran dhe që nga fitorja strategjike iraniane në Siri, është sjellë në vëmendje se Teherani është shndërruar në mbështetësin kryesor të Hamasit.

s.zaimi

Comments

Submitted by dori (not verified) on

Shprehje te tilla "sesi eshte e mundur, qe aksh gje te kete kaluar pa vene re nga agjensite me te afta ne bote" i kam degjuar jo rralle. Keshtu eshte thene per atentate te bujshme, per sulme terroriste si ai i 11 shtatorit 2001 etj. Jane pikerisht keto habi, nga njerez qe mund te jene edhe eksperte ne fushat e tyre, qe sjellin si pasoje teori te ndryshme konspirative. Kam pershtypjen se aftesia e ketyre agjensive eshte kthyer ne mit. Ka kaq shume gjera qe u kane kaluar para syve dhe nuk i kane vene re. Keto agjensite e famshme perbehen nga agjente, nga njerez prej mishi dhe kocke; edhe informacioni i mbledhur nga aparaturat me te sofistikuara qe punojne nonstop, prapeseprape kontrollohet dhe analizohet nga keta njerez prej mishi dhe kocke.
( kujtoj ate zhurmen e madhe qe u be me ate balonen kineze ne qiejt amerikane, hapesires me te mbrojtur te supozuar ne bote!)

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.