Pjesë e hetimit për Banjskën duhet të jetë edhe Dioqeza e Rashkës

Postuar në 07 Tetor, 2023 16:07

Ka një mendim të përbashkët në qëndrimet publike për një hetim ndërkombëtar për ngjarjet e Banjskës më 24 shtator në Kosovë.

Dhe ka tashmë një konfirmim zyrtar edhe nga Beogradi se Banjska ishte minimalisht një KRIM. Presidenti serb Aleksander Vuçiç deklaroi së fundmi në një intervistë për “Sky News” se nuk mund ta ekstradojë në Prishtinë Milan Radoiçiçin si një alet që e ka patur, por edhe sepse “ne nuk e njohim Kosovën”.

Por ishte një krim i madh, i madh

shtoi ai.

Mbi këtë bazë që hap rrugë për rivendosjen e kanaleve të komunikimit në terma racionalë, duhet thënë se hetimi dhe zbardhja e ngjarjes për të cilën Beogradi zyrtar ka përgjegjësinë e një zije kombëtare mbajtur tashmë për një KRIM, janë parakushte të panegociueshme. Nuk mund të ketë asnjë negociim pa njohjen zyrtare të përgjegjësive të asaj që ndodhi, pavarësisht se çfarë kërkon urgjenca e situatës.

Në këtë kuptim, ka kaluar si pa zë dhe në heshtje një element që nuk mundet kurrsesi të injorohet: roli i Kishës Ortodokse në Kosovë, ose të paktën i Dioqezës së Rashkës. Nëse kthehemi pas në datëbn 24 shtator, duhet të kujtojmë se grupi i sulmi u strehua në manastirin e Banjskës, por u kundërshtuan nga murgjit e atyshëm. Dioqeza madje doli me deklaratë duke thënë se në mjediset e manastirit kishin hyrë njerëz të armatosur, çka nënkuptonte se manastiri ishte dhunuar.

Mirëpo kontrollet që pasuan nga policia e Kosovës, nxorën në dritë se në mjediset e atij manastiri dhe afër tij ishin magazinuar armë në një vlerë prej 5 milionë dollarësh, nëse i besojmë autoriteteve të Kosovës dhe ato armë I shërbejnë shumë më shumë sesa 30 njerëzve dhe janë vendosur aty në mënyrë të organizuar.

Ndaj është domosdoshmëri që pjesë e hetimit që ka nisur e do të nisë të jetë edhe Kisha, mjediset e saj, njerëz të caktuar të saj, për më tepër që ka patur akuza muaj më parë se mjediset e manastireve serbe në Kosovë përdoren për dislokimin e armëve. Autoritetet e Kosovës kanë provën materiale tashmë dhe mbi këtë provë është e pritshme dhe detyruese që të hetohet kushdo që ka qenë pjesë e këtij skenari. Sepse është e qartë se kemi një skenar dhe jo një episod të improvizuar.

Nëse provohet lidhja direkte mes njerëzve të Kishës Ortodokse dhe njerëzve si Radoiçiç dhe ngjarjeve të Banjskës, është padyshim në të drejtën legjitime të Kosovës që të kërkojë abrogimin e detyrimeve të ndërmarra në kuadër të marrëveshjeve të Brukselit për njohjen e një statusi të veçantë të Kishës, mjedisve të saj në Kosovë, pasi këtu kemi të bëjmë me sigurinë shtetërore dhe përmbi të gjitha me një institucion që eventualisht është pjesë e drejtimit të një politike që ka si pasojë “një krim të madh, të madh”.

s.zaimi

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.