Sanchez në “dorë” të separatistëve
Në Spanjë, Partia Popullore e qendrës së djathtë, nuk ia doli të formonte kabinetin e ri. Pasi lideri i saj, Alberto Nunez Feijo, nuk siguroi dot mbështetjen e Parlamentit për t’u bërë kryeministër, mbreti Filip VI ngarkoi kryeministrin e përkohshëm, Pedro Sanchez, të përpiqet të formojë një qeveri.
Partia Socialiste e Sánchez-it doli e dyta në zgjedhjet kombëtare të korrikut. Ai e ka udhëhequr vendin qëkur fitoi një mocion mosbesimi kundër kryeministrit konservator, Mariano Rajoy, në vitin 2018. Por atij do t’i duhet mbështetja e disa partive të ekstremit të majtë për të mbetur në pushtet.
Ai pritet të hyjë në aleancë me koalicionin e ekstremit të majtë Sumar të Yolanda Díaz, një pasuese e partisë Podemos me të cilën socialistët qeverisnin gjatë legjislaturës së mëparshme, dhe të kërkojë mbështetje nga jashtë nga grupe si Partia Nacionaliste Baske, Partia separatiste baske EH Bildu dhe Blloku Nacionalist Galician.
Por më të vështirë do ta ketë të bindë grupin separatist katalanas, Junts, dhe të Majtën Republikane të Katalonjës (ERC), të cilat kërkojnë një amnisti të plotë për të gjithë ata që u përfshinë në referendumin e dështuar të pavarësisë së Katalonjës në vitin 2017.
Sánchez është shprehur i gatshëm të dorëzohet ndaj kërkesave për amnisti, por partia e tij kundërshton me ngulm çdo dritë jeshile për një referendum tjetër pavarësie.
Ndërkohë, lideri aktual katalanas dhe udhëheqësi i ERC Pere Aragonès ngul këmbë se kërkesa është e panegociueshme, duke deklaruar se "nëse Sanchez dëshiron të jetë kryeministër, ai duhet të angazhohet për të mbajtur një votim në Katalonjë".
Ndërsa negociatorët janë vënë në lëvizje për një marrëveshje që duket e vështirë për t’u arritur, liderit socialist do t’i duhet të punojë shpejt, pasi numërimi mbrapsht ka nisur.
Koha për arritjen e një koalicioni qeverisës është vetëm dy muaj. Në përfundim të këtij afati, nëse Sanchez nuk ka marrë mbështetjen e shumicës së deputetëve, Spanja shkon sërish në zgjedhje më 14 janar 2024.
Add new comment