Big Tech i parë europian penalizohet nga BE-ja

Postuar në 27 Shtator, 2023 18:53

Rregullat e reja të Bashkimit Europian për internetin, të hyra në fuqi në fillim të këtij viti, u hartuan me synimin që të ndërtohej një sistem që do të mbante nën kontroll kompanitë amerikane në teknologjisë në tregun europian. Por një vendim i fundit antitrust i bllokut dërgoi mesazhin se nuk janë vetëm gjigantët e teknologjisë amerikane që do t'i nënshtrohen një kontrolli në rritje, por edhe kompanitë evropiane të teknologjisë.

Rasti në fjalë ka të bëjë me Booking, agjencia më e madhe online e udhëtimeve. Rregullatorët e BE-së ndaluan blerjen e suedezes Etraveli, duke ngritur si argument rrezikun e dëmtimit të konkurrencës dhe rritjes së çmimeve, raporton Wired.

Booking Holdings, filiali më i madh i së cilës është agjenti i udhëtimeve online me bazë në Amsterdam, Booking.com, reagoi ndaj vendimit të Komisionit Evropian, duke pretenduar se ishte "i gabuar", si për ligjin ashtu edhe për detajet e rastit.

Kjo është marrëveshja e parë teknologjike që bllokohet që kur Bashkimi Evropian prezantoi rregullat e reja të konkurrencës për këtë sektor. Akti i Tregjeve Dixhitale teknikisht nuk e bën më të vështirë miratimin e bashkimeve ose blerjeve. Por për disa analistë, vendimi që prek Booking.com - një nga kompanitë më të mëdha të teknologjisë evropiane për nga kapitali i tregut - demonstron synimin e BE-së për të sinjalizuar se edhe gjigantët europianë të teknologjisë duhet ta respektojnë rregulloren e re të Big Tech.

Komisioni nuk i bllokon shpesh shkrirjet e kompanive të tilla. Në maj, blloku miratoi blerjen nga Microsoft të kompanisë së lojërave video Activision Blizzard. Por vendimi për të bllokuar marrëveshjen e Booking.com prej 1.63 miliardë eurosh (1.73 miliardë dollarë) vjen dy javë pasi BE publikoi listën e kompanive që do të duhet të respektojnë rregullat e reja antitrust ose do të përballen me gjoba deri në 20 për qind të xhiros globale, në bazë të aktit të ri të tregjeve dixhitale (DMA).

Booking.com mungonte në atë listë. Për të qenë pjesë e saj, kompanitë duhet të kenë një xhiro vjetore prej më shumë se 7.5 miliardë euro (7.9 miliardë dollarë) dhe më shumë se 45 milionë përdorues aktivë me bazë në BE. Gjashtë prej këtyre kompanive ishin amerikane - Alphabet, Amazon, Apple, Meta dhe Microsoft-me përjashtim të ByteDance, e cila ka selinë në Pekin. Booking nuk u përfshi në listë për shkak të efektit negativ që pati pandemia në të ardhurat e saj.

Për vite me radhë, liderët evropianë kanë bërë fushatë për politika për të ndihmuar BE-në të rrisë gjigantët e saj të teknologjisë, të aftë për të konkurruar me eksportet nga Silicon Valley. Presidenti francez Emmanuel Macron kishte vendosur objektivin e 10 gjigantëve teknologjikë të BE-së me vlerë 100 miliardë dollarë deri në vitin 2030. Disa ekspertë thonë se kufizime si ai i Booking do të pengojnë rritjen e kompanive europiane të teknologjisë.

Vetë Booking.com planifikon të apelojë vendimin e BE-së. Megjithatë, epoka e shkrirjeve të kompanive të tilla, pa u vënë re nga rregullatorët, duket se ka përfunduar.

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.