Një alternativë amerikane për Belt&Road prezantohet në G20

Postuar në 10 Shtator, 2023 17:57

Një projekt shumëkombësh hekurudhor dhe i transportit detar që lidh Indinë me Lindjen e Mesme dhe Evropën është njoftuar në nisje të samitit të G20 në Nju-Delhi. Propozimi i ri shihet si një sfidë për ambiciet ekonomike të Kinës në rajon.

Korridori, i cili do të përfshijë Indinë, Arabinë Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Jordaninë, Izraelin dhe Bashkimin Evropian, do të ndihmojë në nxitjen e tregtisë, ofrimin e burimeve të energjisë dhe përmirësimin e lidhjes dixhitale.

Jake Sullivan, këshilltari për sigurinë kombëtare të Bidenit, tha se ky projekt pasqyron vizionin e presidentit amerikan për "investime të gjera" që vijnë nga "udhëheqja efektive amerikane" dhe një gatishmëri për të përqafuar kombet e tjera si partnerë.

Sullivan tha se infrastruktura e përmirësuar do të nxisë rritjen ekonomike, do të ndihmojë në bashkimin e vendeve në Lindjen e Mesme dhe do ta kthejë këtë rajon në një qendër për aktivitetin ekonomik, në vend që të jetë një "burim sfidash, konflikti apo krize" siç ka qenë vitet e fundit.

Nisma shihet si një alternativë e projektit kinez Belt&Road.

Sipas Al Jazeera-s, zyrtarët e G20 e kanë përshëndetur marrëveshjen, duke e cilësuar një "ndryshues të lojës". Nisma konsiderohet një korridor ekonomik i krijuar për të lidhur Indinë, Lindjen e Mesme dhe Evropën. Ai do të përbëhet nga linja hekurudhore dhe linja detare që do të kalojnë nëpër Emiratet e Bashkuara Arabe, Arabinë Saudite, Jordaninë dhe Izraelin.

Për momentin, detajet janë të pakta. Por projekti synon të shkurtojë kohën e tregtisë midis Indisë dhe Evropës me 40 për qind.

Televizioni Al Ekhbariya i Arabisë Saudite citoi princin e kurorës Mohammed bin Salman, sipas të cilit projekti i ri do të përfshijë tubacionet për energjinë elektrike, hidrogjenin dhe hekurudhat dhe do të kontribuojë në sigurinë ndërkombëtare të energjisë.

Një memorandum mirëkuptimi për marrëveshjen pritet të firmoset nga Bashkimi Evropian, India, Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, SHBA dhe partnerë të tjerë të G20. Vlera totale nuk është bërë ende e ditur.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.