Vaksinat, Big Pharma e detyroi Afrikën e Jugut të paguante dyfish
Kompanitë e mëdha farmaceutike ia kanë shitur Afrikës së Jugut vaksinën anti-Covid shumë më shtrenjtë se Bashkimit Europian. Kontrata mes Pfizer dhe qeverisë së Afrikës së Jugut është bërë publike së fundmi pas një beteje gjyqësore.
Detaje konkrete të kontratave mes qeverive dhe Big Pharma nuk janë bërë publike asnjëherë, ndërsa akuzat se Pfizer po përfitonte financiarisht nga pandemia janë hedhur menjëherë pas shpërndarjes së dozave të para të vaksinës.
Afrika e Jugut e nënshkroi marrëveshjen me gjigantin amerikan të vaksinave në kulmin e pandemisë. Detaje të kontratës flasin për imponim nga pala furnitore në një kohë kur mijëra njerëz po vdisnin dhe vendet në zhvillim kërkonin dëshpërimisht doza vaksine.
Sipas kontratave të nënshkruara në vitin 2021, Afrika e Jugut duhej të paguante të paktën 734 milionë dollarë amerikanë, përfshirë pagesat paraprake prej gati 95 milionë dollarësh, pa asnjë garanci që dozat do të dorëzoheshin në kohë.
Detajet flasin qartë për marrëveshje të hartuara në favor të Big Pharma. Kontratat kanë një sërë klauzolash konfidencialiteti dhe parashikojnë dëmshpërblime për të mbrojtur kompanitë nga kontrolli dhe përgjegjësia ligjore, ndërsa klauzola të tjera i kanë përjashtuar ato nga detyrimi për rimbursim nëse dërgesat e tyre vonoheshin ose anuloheshin.
Sipas marrëveshjeve të qeverisë me Pfizer, Afrika e Jugut është detyruar të paguajë një çmim prej 10 dollarë amerikanë për dozë për 30 milionë doza. 40 milionë dollarë nga totali i është kërkuar të paguhen paradhënie, nga të cilat vetëm gjysma ishte e rimbursueshme. Çmimi për dozë ishte 32 për qind më i lartë se "çmimi i kostos" prej 6,75 dollarësh që Pfizer i faturoi Bashkimit Afrikan.
Një furnizues tjetër, Instituti Serume i Indisë, i faturoi Afrikës së Jugut një çmim prej 5.35 dollarë amerikanë për dozë, sipas kontratave. Ky ishte më shumë se dyfishi i çmimit që i kërkoi Bashkimit Evropian dhe kërkonte pagesë paradhënie.
Një furnizues i tretë, Johnson & Johnson, i faturoi Afrikës së Jugut 10 dollarë amerikanë për dozë dhe kërkoi një paradhënie të pakthyeshme prej 27.5 milionë dollarësh. Çmimi për dozë është 15 për qind më shumë se sa kompania i ka faturuar Bashkimit Europian dhe rreth 25 për qind më shumë se çmimi i vlerësuar pa llogaritur fitimin.
Publikimi i kontratave është finalizimi i një beteje gjyqësore të aktivistëve të shëndetësisë së gjykatat e Afrikës së Jugut. Muajin e kaluar, një gjykatë urdhëroi bërjen publike të kontratave dhe qeveria u tërhoq, duke mos e apeluar vendimin.
Add new comment