Kina investon 40 miliardë dollarë në industrinë e çipave

Postuar në 05 Shtator, 2023 10:54

Kina ka krijuar një fond shtetëror për mbështetjen e industrisë së gjysmëpërçuesve. Mbi 40 miliardë dollarë do të përdoren për këtë sektor, një përpkejke kjo e Kinës për të kapur ritmin e SHBA-ve dhe rivalëve të tjerë.

Fondi mendohet të jetë më i madhi nga tre fondet e lançuara nga Fondi i Investimeve në Industrinë e Integruar të Kinës, i njohur edhe si Fondi i Madh.

Objektivi i tij prej 300 miliardë juanë (41 miliardë dollarë) tejkalon fonde të ngjashme në 2014 dhe 2019, të cilat sipas raporteve të qeverisë mblodhën përkatësisht 138.7 miliardë juanë dhe 200 miliardë juanë.

Një fushë kryesore e investimit do të jetë pajisjet për prodhimin e çipave, bën të ditur Reuters, duke cituar persona që kanë dijeni mbi planet e qeverisë kineze.

Shkëputja e Kinës nga varësia ndaj të tjerëve për prodhimin e gjysmëpërçuesve ka qenë gjithnjë një synim i rëndësishëm i presidentit Xi Jinping. Aktualisht, kjo është kthyer në një nevojë imediate pasi Uashingtoni vendosi një sërë masash të kontrollit të eksportit gjatë dy viteve të fundit, me argumentin se Pekini mund të përdorë çipa të avancuar për të rritur aftësitë e tij ushtarake.

Në tetor, SHBA-ja nxorri një paketë gjithëpërfshirëse sanksionesh që ndërpreu aksesin e Kinës në pajisjet e avancuara të prodhimit të çipave. Këtij vendimi iu bashkëngjitën edhe Japonia dhe Holanda.

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.