Beteja e fituar e Kinës
Dhjetë vjet pasi nisi luftën kundër ndotjes, Kina po sheh rezultatet e para. Nëse dhjetë vjet më parë, kryeqyteti kinez shihej i mbuluar nga një re e dendur smogu, sot situata është përmirësuar.
Nivelet e ndotjes së ajrit në Kinë kanë rënë me 42% në periudhën 2013-2021. Në raport i publikuar së fundmi tregon se “lufta kundër ndotjes”, për të cilën Kina ka investuar miliarda dollarë, ka rezultuar e suksesshme. Ndërkohë, në vendet fqinje të rajonit, gjendja po përkeqësohet.
Indeksi i Cilësisë së Ajrit, një raport vjetor i hartuar nga Instituti i Politikave të Energjisë në Universitetin e Çikagos, vlerëson se jetëgjatësia mesatare e qytetarit kinez është tani 2.2 vjet më e gjatë, pikërisht për shkak të reduktimit të ndotjes.
Më parë, qytetet kineze dominonin renditjen globale për cilësinë më të keqe të ajrit në botë. Disa prej tyre mbeten ende në listë, por janë lënë pas nga qytetet e Azisë Jugore dhe Lindjes së Mesme.
Në vitin 2021, Pekini regjistroi cilësinë më të mirë mujore të ajrit që nga fillimi i regjistrimeve në vitin 2013.
Megjithatë, raporti paralajmëron se Kina ka ende punë për të bërë pasi ajo mbetet vendi i 13-të më i ndotur në botë. Dhe ndotja e grimcave të Pekinit - ndotësit e vegjël por shumë të rrezikshëm që mund të shmangin mbrojtjen e zakonshme të trupit të njeriut - është ende 40% më e lartë se ajo në qarkun më të ndotur në Shtetet e Bashkuara.
Ndërsa nivelet e ndotjes së grimcave të Kinës janë brenda standardeve të saj kombëtare, ato "tejkalojnë ndjeshëm" udhëzimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), thuhet në raport.
Megjithatë, progresi i bërë në Kinë tregon se ndryshimi është i mundur, nëse qeveria dhe njerëzit e saj janë të gatshëm dhe të aftë të punojnë për të arritur objektivin.
Add new comment