Πιθανώς “una razza, due facce!"

Postuar në 30 Gusht, 2023 20:08
 Leonard Mitro 

 

Dua të dyshoj te entusiazmi që shfaqi kolegu i gazetës “Kathimerini” për komunikimin e drejtëpërdrejtë dhe intervistën me kryeministrin shqiptar Edi Rama. Ose zoti Papadopulos  nuk ka njohuri të plotë për “reformatorin” Edi Rama, qeverisjen e tij dhe demokracinë në Shqipëri, ose për arsye të etikës perëndimore iu desh të kornizonte me naivitet impresione ndaj një politikani që të fanepset në cellular, të kap nga “xhaketa” për të bërë atë që mendon se di të bëjë më mirë, jargavitjen karakteriale  të  një “superstari” politik.  Natyrisht që kryeministri shqiptar e ka vuajtur injorimin dhe mungesën e ftesës për takimin e Athinës, përjetim që ndoshta ndikoi edhe tek “strategu” që kemi President, i cli i sapokthyer nga Festa e Birrës në Gramsh refuzoi pjesëmarrjen në darkën informale të organizuar nga zoti Micotakis. 

Zoti Papadopulos ndoshta nuk e di që kryeministri shqiptar ka aftësinë të bëhet i neveritshëm kur të tjerët mund të kuptojnë se brenda amballazhit të artistit shumëdimensional mund të gjesh ordinerin, të korruptuarin, të paaftin, budallain, frikacakun dhe të pabesin. Një karnavale shëtitëse që shkeli edhe Zappion e Athinës me një ekspozitë gala të poçarit dhe ngjyrosësit me famë, Edi Rama.

Zoti Papadopulos ju sugjeroj të merrni një ndjesi dhe  të shikoni kryeministrin e Shqipërisë teksa u shkon mbrapa të huajve duke sforcuar veten me buzëqeshje infertile. Këto sa u takon prshtypjeve të jashtme dhe gjuhës së trupit e gjesteve, por le të shohim argumentat.

Po ju shpjegoj tani edhe brendinë e këtij amballazhi dhe cilësimet më sipër. Pamë në fushatë një kryeministër të indinjuar për injorancën dhe analfabetizmin e Fredi Belerit. Jashtënxorri nga goja (po përdor shqipen e Edi Ramës) etiketime dhe fyrje për një kandidat që sipas tij ishte shprehur për helenizmin e Himarës. 

E para, si mund të shqetësohet një erudit dhe një intelektual si zoti Rama nga vizioni i një krybashkiaku injorant. Që në nisje do ishte një betejë e humbur, ndonëse rezutati i zgjedhjeve  në Himarë e ridimensionoi diptikun në fjalë dhe përmbysi hipotezën se intelektuali fiton gjithmonë përballë të paditurit. 

E dyta, pse shqetësohet një erudit dhe një intelektual si zoti Rama se një kryebashkiak injorant flet për helenizmin në Himarë, kur vetë ai ka komentuar gravura dhe ka folur për shqiptarizmin autokton të Athinës dhe mbijetesës së Akropolit.  Dhe këtu Zoti Rama kujton kohë të errëta. Ashtu është në fakt ,nëse gërrmojmë të shkuarën dhe flasim me gjuhën e fillesës, që nga kohët më të errëta të njerëzimit dhe zanafillës aty  mbi Himarë janë Malet Akrokeraune, (në greqisht.. Ακροκεραύνια Όρη). Këtë duhet ta mirëkuptonte pa komplekse djali i një “vunjotisa” siç u vetëdeklarua zoti Rama në intervistën për Kathimerini. Absurde të jetë i shqetësuar nga “kozmopolitia”e Himarës dhe kuptimet helenistike të Bregut një fluturak i identeteve shpirtërore dhe kulturore që mban Urdhërin e Kryqit të Lartë të Kalorësit të Varrit të Shenjtë, i deklaruar katolik i përbotshëm i urdhërit të Nilo Catalano-s  dhe hijes së tij në kishën e Shën Thanasit.
Siç do thoshte vetë kryeministri në këtë rast  jemi në kushtet e “mia facca, mia razza”, çka edhe këtë e citoi gabim, pasi filmi nga e huazoi këtë frazë nuk ishte i Xhuzepe Tornatores por i regjisorit Gabriele Salvatore. Por injoranca e këtij lloji u tolerohet bohemëve të gjezdisur që rastësisht bëjnë edhe kryeministrin. 

E treta, metri i zotit Rama për injorancën është relativ, po flasim për një politikan që ka promovuar modele të injorancës në institucione, pushtetin lokal dhe atë qëndror. Falë këtij njeriu, trafikantë droge, fatorino furgonësh, injorantë të llurbit politik u bënë kryebashkiakë, deputetë e ministra. Për cilin standard të injorancës e ka fjalën zoti Rama?

Raportet e Departamentit të Shtetit flasin për një nga qeveritë më të korruptuara të rajonit, një mazhorancë që përdor administratën në zgjedhje dhe institucionalizoi shitblerjen e votës.   Një qeveri me dhjetra zyrtarë të arrestuar, të tjerë nën hetim dhe një mazhorancë me dhjetra nisma ligjore antikushtetuese. A mund të predikojë ky kryeministër shtetin e së drejtës?

Le të flasim shkurtimisht për qasjen e zotit Rama në politikën e jashtme,  që në 2013 foli për zero probleme me fqinjët dhe në veçanti për raportet me Greqinë. Përveçse u inspirua nga një ushtarak në pension për të zbuluar “tradhëtinë” e detit, në 3 mandate të qeverisjes nuk zgjidhi asgjë, për të mos thënë që veproi në pabesi dhe malinjitet. Dhe jo vetëm kaq, tradhëtoi një hap cilësor në marrëdhëniet mes dy vendeve  në 2018 kur dy ministrat e jashtëm Kotzias e Bushati kishin bërë gati firmosjen e një pakete për zgjidhjen e çështjeve të mbetura pezull mes dy vendeve. Tani ka premtuar zgjidhjen e çështjes së detit në Hagë, por  nuk ka as vullnetin dhe as qëllimin për ta bërë. Ky është politikani I madh dhe kontravers Edi Rama që vjen vërdallë dhe kërkon të habisë Europën me cilësitë e tij.  

Në fund zoti Beleri ia dha vetë përgjigjen kryeministrit  nga burgu, duke e përgëzuar për kthesën dhe rrugën e reflektimit që ka nisur. Besoj që dhe vetë zoti Rama e ka vlerësuar këtë reagim, nisur nga suksesi që pati në mediat shqiptare intervista e tij për gazetën “Kathimerini”.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.