Sonda indiane gjen squfur në Hënë
Roveri Pragyan, pjesë e misionit hënor indian, Chandrayaan-3, ka zbuluar squfur pranë polit jugor të satelitit të Tokës.
"Instrumenti i spektroskopit me lazer (LIBS) në bordin e Rover konfirmon pa mëdyshje praninë e squfurit në sipërfaqen hënore pranë polit jugor, përmes matjeve të para në vend", thuhet në një njoftim të Organizatës Indiane të Kërkimeve Hapësinore (ISRO).
Agjencia hapësinore konfirmoi gjetjen e aluminit, kalciumit, hekurit, kromit, titanit, manganit, silikonit dhe oksigjenit, siç pritej, dhe se "kërkimi për hidrogjen është në proces".
Misioni Chandyaan-3 po analizon përbërjen e materialeve në Hënë duke i ekspozuar ato ndaj impulseve lazer me energji të lartë, ka thënë ISRO. Teknika, e njohur si 'LIBS', mund të përcaktojë përbërjen elementare të materialeve si shkëmbinjtë dhe dheu.
Squfuri
Në vitin 2008, Chandrayaan 1 konfirmoi praninë e akullit në sipërfaqen e Hënës. Squfuri, një element i paqëndrueshëm që avullon lehtësisht, është tregues se në Hënë ka akull dhe njëkohësisht provë se mund të jetë lëshuar nga vullkanet relativisht kohët e fundit.
Gjasat janë që ky squfur mund të ketë qenë i bllokuar në akullin e ujit në polin jugor të Hënës. I ekspozuar ndaj rrezatimit hënor, ai është shpërbërë.
Ndërsa duhen kërkime të mëtejshme për të konfirmuar këtë, lidhja midis squfurit dhe akullit në Hënë do të jetë një fushë e rëndësishme studimi.
Gjithashtu, squfuri konsiderohet përthithës i mirë i ndotësve dhe mund të përdoret për të mbrojtur akullin e Hënës nga ndotja nga materiale të tjera të dëmshme. Besohet se akulli është i mbuluar nga regoliti hënor, një material që mbulon sipërfaqen hënore.
Add new comment