Disney nuk duhej ta anulonte Ataturkun

Postuar në 23 Gusht, 2023 14:55
George Monastiriakos*

 

Njëqind e një vjet më parë, ushtria e Ataturkut dëboi stërgjyshen time dhe familjen e saj nga Yeronda, që tani njihet si Didim, atdheu i parardhësve të tyre në Anadoll. Unë jam aktiv në fushatën për të ndërgjegjësuar qeverinë amerikane dhe atë kanadeze të njohin gjenocidin grek. Vazhdimisht kritikoj hapat mbrapa të Ankarasë në raport me demokracinë, keqtrajtimin e pakicave dhe politikën e jashtme agresive. Madje, kam shkaktuar polemika në Turqi, kur argumentova se Ankaraja duhet të përjashtohet nga NATO nëse presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan bllokon Finlandën dhe Suedinë që t’i bashkohen aleancës. Pavarësisht historisë dhe avokimit tim, Disney nuk duhej ta anulonte Mustafa Kemal Ataturkun.

Shumë armenë, asirianë, kurdë dhe grekë e perceptojnë Mustafa Kemalin si organizatorin përgjegjës për gjenocidin e kryer kundër paraardhësve të tyre. Historia është më e ndërlikuar se kaq. E thënë thjesht, krimet e Perandorisë Osmane kundër pakicave joturke të Anadollit ndodhën para ardhjes së Ataturkut në pushtet. Edhe pse xhonturqit dhe Lëvizja Kombëtare Turke e vijuan këtë politikë gjenocidale, anulimi i Ataturkut është qasja e gabuar për të marrë rrugën drejt njohjes dhe pajtimit të gjenocidit. Është më mirë të kritikohet paraqitja e pabalancuar e një figure historike sesa të censurohet tërësisht vepra, siç bëjnë në regjimet totalitare si Koreja e Veriut.

Fatkeqësisht, ne nuk mund ta ndryshojmë të kaluarën. Është e vërtetë që Perandoria Osmane, xhonturqit dhe Lëvizja Kombëtare Turke zhvilluan një fushatë gjenocidale mbi 30-vjeçare kundër pakicave joturke në Azinë e Vogël. Po, Turqia e mohon këtë të vërtetë dhe e kriminalizon njohjen e saj pavarësisht provave të pakundërshtueshme. Po, pranimi i kësaj padrejtësie historike është i domosdoshëm për përmirësimin e mënyrës sesi Turqia i trajton pakicat e saj dhe marrëdhëniet diplomatike të Ankarasë me pasardhësit e viktimave të saj në vendet fqinje. Megjithatë, Turqia ekziston, është një shtet i fuqishëm. Ne nuk na mbetet rrugë tjetër veçse të ndërveprojmë me të dhe Ataturku mbetet një nga ndërtuesit më të rëndësishëm të kombeve dhe shteteve të shekullit XX.

Mustafa Kemali i bashkoi turqit e Azisë së Vogël për të ndërtuar Turqinë mbi kockat e pakicave të saj joturke dhe njëkohësisht edhe nga hiri i Perandorisë Osmane. E çmontuar edhe para se të mposhtej, ajo që mbeti nga perandoria pas Luftës së Parë Botërore ishte një shtet i dështuar, i vënë poshtë nga ushtritë e huaja që kërkonin plaçkën e luftës. Për pasardhësit e pakicave joturke nga Azia e Vogël, Ataturku kujtohet si dëbuesi i të parëve tanë. Për popullin turk, Mustafa Kemali nderohet për ndryshimin e status quo-së poshtëruese të imponuar nga aleatët mbi atë që mbeti nga "Perandoria Osmane" në Sevres në vitin 1920. Pas Traktatit të Lozanës të vitit 1923, Ataturku zbatoi reforma masive sociale, politike, ligjore dhe kulturore që e shndërruan Turqinë brenda pak vitesh, nga "i sëmuri i Evropës" dhe shtet i dështuar, në një republikë kushtetuese moderne dhe laike.

Mustafa Kemal modernizoi gjithçka: nga arsimi dhe sistemet ligjore të Turqisë, deri te institucionet e saj politike. Sulltani, i cili më parë kishte autoritetin më të madh politik dhe fetar në Perandorinë Osmane, u detyrua të mërgonte. Sovraniteti nuk ishte më në duart e një sundimtari të vetëm, por në ato të kombit turk. Pavarësisht shekujve të konsolidimit, shteti kryesisht islamik u laicizua pothuajse brenda natës. Urdhrat tradicionale fetare dhe qendrat islame të mësimit u zëvendësuan me shkolla publike laike. Alfabeti turk, i shkruar më parë me alfabet arab, u latinizua. Turqia krijoi një kod civil të bazuar në atë të Zvicrës, një kod penal të kopjuar nga Italia dhe modernizoi ligjin e saj tregtar. Turqia miratoi kalendarin gregorian dhe sistemet perëndimore të matjes. Grave iu dha e drejta për të votuar dhe për të mbajtur poste disa vite përpara atyre të Francës, Italisë, Greqisë dhe Kebekut.

Përveç kryeministrit Lee Kuan Yew të Singaporit, ka pak – në mos asnjë – shtet-ndërtues tjetër që ka kontribuar kaq ndjeshëm si në suksesin e vendit të tij, ashtu edhe në identitetin e kombit të tij në shekullin XX. Për këtë arsye, Ataturku nderohet nga dhjetëra miliona njerëz - turq dhe joturq - në mbarë globin. Në fakt, Asambleja e Madhe Kombëtare Turke miratoi një ligj që i jep Mustafa Kemalit mbiemrin "Ataturk", që do të thotë babai i turqve, për nder të kontributeve të tij në Turqi. Për dekada të tëra, edhe panarabistët pritën shfaqjen e "Ataturkut" të tyre. Ndërsa monumentet e ndërtuara për nder të Mustafa Kemalit janë të shpërndara në të gjithë Turqinë, fyerja e Ataturkut dënohet nga një deri në pesë vjet burg. Rëndësia që ka Mustafa Kemali për popullin turk dhe ndikimi i tij në Turqi janë të pamohueshme. Anulimi i Ataturkut nuk do t'i bindë turqit për të kundërtën. Madje, ka më shumë gjasa të përkeqësojë tensionet dhe të zgjerojë hendekun ekzistues midis Turqisë dhe pasardhësve të viktimave të saj.

Mustafa Kemalin e respektonin edhe armiqtë e tij. Kryeministri grek Eleftherios Venizelos luftoi kundër Perandorisë Osmane, xhonturqve dhe Lëvizjes Kombëtare Turke për katër dekada: në Luftën e Parë Greko-Turke, Luftërat Ballkanike, Luftën e Parë Botërore dhe Luftën e Dytë Greko-Turke. Shprehja e tij vite më vonë mbahet mend edhe sot: “Në jetën e një kombi është shumë e rrallë që ndryshimet në një shkallë kaq radikale të kryhen në një periudhë kaq të shkurtër kohore. Pa dyshim, ata që kanë kryer këto akte të jashtëzakonshme, kanë fituar atributet e një njeriu të madh në kuptimin e plotë të fjalës. Dhe për shkak të kësaj, Turqia mund të jetë krenare për veten.” Pavarësisht nga rivaliteti i tyre prej dekadash, Venizelos e propozoi armikun e tij Mustafa Kemal për Çmimin Nobel për Paqe në vitin 1934. Kjo ngre pyetjen: Nëse Venizelos nuk e anuloi Ataturkun në atë kohë, pse duhet ta anulojë Disney pothuajse një shekull më vonë?

I adhuruar nga disa dhe i përbuzur nga të tjerë, Mustafa Kemal mbetet një figurë historike polarizuese, por me pasoja. Ndërsa Turqia është e indinjuar nga vendimi i Disney-t për të anuluar serialin, audienca joturke humbet më së shumti pasi i hiqet mundësia për të mësuar më shumë për "Babanë e turqve". Në fund të fundit, është e pamundur ta kuptosh Turqinë moderne pa kuptuar Ataturkun.

*Qendra për Politikat e Sigurisë në Gjenevë

Kathimerini

Comments

Submitted by dori (not verified) on

Qe ne paragrafin e pare, per te mos thene qe ne fjaline e pare, me erdhi vetvetiu ne mendje krahasimi me gjenocidin grek ndaj shqiptareve te Camerise. Eshte nga ato raste te rralla kur krahasimi, jo vetem qe nuk calon, por eshte i plotkuptimte. Ne te njejten periudhe, kur Ataturku debonte greket nga Turqia, ky Venizellua debonte shqiptaret nga Greqia! Viktimat, si greket dhe shqiptaret, ishin autoktone aty ku ishin (mbase shqiptaret pak me shume se greket, po te kemi parasysh se greket dihen pak a shume se kur emigruan ne Azine Vogel, por shqiptaret aty kane qene dajm). Ndersa genocidi turk ndaj grekeve ka nje kontekst historik (lufta greko-turke), genocidi grek ndaj shqiptareve u be ne kontekstin e Megalidhese. Kontrasti eshte kaq i forte; dhe kaq fyes e poshterues per shqiptaret. Genocidi grek ndaj shqiptareve ka tre kohe: para luftes greko-turke, gjate luftes greko turke dhe ne perfundimin e saj me shkembimin e popullatave, dhe ate te spastrimit total ne fund te luftes II-te boterore.
Ka shume mundesi, pse jo, qe ky zoteria qe vajton debimin e paraardhesve te tij nga Anatolia, te jete lindur e rritur ne ndonje shtepi a prone te ndonje te debuari shqiptar ne Anatoli!

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.