Ndahet nga jeta Totto Cutugno
Toto Cutugno, një nga këngëtarët më të mirë të muzikës italiane, ndërroi jetë në një spital në Milano, pas një beteje të gjatë me kancerin. Italiani i vërtetë me kitarën në dorë, siç thonë vargjet e këngës së tij, lë pas një listë të gjatë suksesesh muzikore dhe një karrierë që i kaloi shumë herët kufijtë e vendit fqinj.
“L’italiano”, me të cilën ai mori pjesë në Sanremon e vitit 1983, u bë kënga që do ta identifikonte atë si këngëtar, por edhe mbeti si një fotografi e kohës kur u shkrua.
Edhe pa vargjet, versioni i saj instrumental, është ngulitur aq thellë në kujtesën e italianëve dhe plot të tjerëve që e duan muzikën, saqë përcjell të njëjtin emocion.
Debutimi i tij i parë në San Remo ishte në vitin 1976, kur u ngjit në skenë së bashku me grupin e tij, “Albatros”, me "Fluturimi AZ 504". Zuri vendin e tretë. Në vitin 1978 bashkëpunon me Çelentanon për këngën “Soli”, një sukses që në ditën e parë të publikimit që u pasua nga muaj të tërë në krye të klasifikimeve muzikore.
Në vitin 1980, Cutugno paraqitet në San Remo me “Solo noi”, vit në të cilin Cutugno vë firmën e tij mbi të gjitha këngët e albumit «Il tempo se ne va» për Celentanon.
Në vitin 1990 fiton Eurovizionin me “Insieme 1992”, një himn për Europën e bashkuar.
Toto Cutugno nuk shkroi këngë vetëm për veten. Vargjet e tij iu bashkuan zëri të Domenico Modugno-s, Adriano Çelentanos, Gigliola Cinquetti-t, Ornella Vanonit, Mireille Mathieu, Dalidës, Johny Hallyday-t etj.
Cutugno njihet si këngëtari i çmimeve në dyta në Sanremo, por vargjet e këngëve të tij janë mësuar përmendësh nga italianët për breza të tërë. Cutugno u bë simboli i kulturës nacional-popullore në ekranin e karakterizuar nga spektaklet e Pippo Baudos në fund të viteve ’70-fillimi i viteve ’80.
Në rrëfimet e tij, ai thotë se e shkroi “L’italiano” gjatë një koncerti në Toronto, kur kuptoi se pothuajse të gjithë ata që e dëgjonin ishin emigrantë italianë. Menjëherë pas koncertit lindi vija melodike, që më pas iu bashkuan vargjet e Cristiano Minellono-s. Në atë kohë, në Canale 5 jepej programi “Buongiorno Italia”, një përshëndetje që u bë vargu i parë i këngës, e cila do t’i jepte Cutugnos famën ndërkombëtare.
Më poshtë një prej më të bukurave të Cutugnos:
Add new comment