Terapi përmes kulturës
Në dhjetor të vitit të kaluar, u zhvillua në Muzeun Benaki në Athinë, Konferenca e 12-të ndërkombëtare CoMuseum me titull “Civilizim, Përkujdesje dhe Terapi”, ku u diskutua mbi terapinë përmes rrugëve kulturore e krijuese. Për këtë arsye folëm me Brenda Cowan, pedagoge për zhvillimet e vlerësimin e ekspozitave dhe për objektet muzeore në Universitetin shtetëror të New York-ut në USA dhe autore e librit “The Relationship between Exhibitions and Wellness”.
Nga Stela Pajsanidhi
Gjatë punimeve të konferencës “Co Museum”, folët mbi studimin tuaj “Objekte muzeore, Terapi dhe Prosperitet”. Si vendosët të fokusoheni në këtë temë kërkimore?
Kjo është një pyetje e mrekullueshme, por njëkohësisht dhe kaq e ndërlikuar. Mendoj, se ndodhën njëkohësisht dy gjëra. E para është, se jap mësim mbi objektet muzeore prej shumë shumë vitesh në kolegjin tim dhe asnjëherë nuk arrija të kënaqesha plotësisht. Flisja mbi forcën e tyre, ndikimin që kanë në jetën e njerëzve, se si njerëzit bëjnë ndërlidhje të fuqishme me objektet e kështu me radhë, dhe nuk arrija kurrë të gjeja shkakun. Përse njerëzit lidhen me objektet? Kjo ishte pyetja, që u bë shkas, që të fokusohem në këtë temë kërkimore. Ndërkohë, kaloja kohë në një vend, duke parë se si bënin terapi, për t’i ndihmuar adoleshentët në këtë proces. Atëherë mendova, “O Zot, njerëzit e bëjnë këtë çdo ditë”. Mendoj, që njerëzit përdorin objekte çdo ditë për shëndetin dhe terapinë e tyre, jo vetëm me terapistët. Dhe më pas, fillova të studioj, se si mësojnë njerëzit të bëjnë gjëra e të kenë përvoja me objekte muzeore. Isha e zhgënjyer, desha të mësoja më shumë dhe kisha një frymëzim të paparë.
Në bazë të studimit tuaj pesëvjeçar, që prezantuat në konferencë, njerëzit përdorin fjalë terapike të caktuara, që të përshkruajnë përvojat e tyre me objekte ekspozitash. Cilat janë këto?
Njerëzit i kararakterizojnë objektet si “shpirtërore”, si “të gjalla”. Thonë, që objektet i shpien pas në kohë. Flasin, se si objektet i bëjnë të ndihen sikur po udhëtojnë në një vend tjetër, sikur ndodhen diku tjetër gjeografikisht. Pra, fjala që dëgjoj më shpesh është “i mbartur”. Dëgjoj gjithashtu njerëz, që thonë se si objektet i bëjnë të ndihen si në shtëpinë e tyre, kur janë në muze. Madje edhe në rastet, kur këto objekte janë të rralla e të pazakonta. Mund t’ju jap dy shembuj. Shembulli, kur njerëzit ndihen sikur po mbarten: kur po intervistoja një emigrant sirian, i cili ecte në një galeri objektesh të lashta, ku ekzistonte një koleksion llambash vajguri, e pyeta si ishte kjo përvojë dhe ai m’u përgjigj “llambat ndezën një dritë brenda meje, më folën dhe më bënë të ndihem, që po kthehesha në atë periudhë të lashtë dhe në ato vende të lashta”. Dhe më pas, një shembull tjetër: Një grua, që po shikonte disa enë gatimi në një ekspozitë, tha: “Kjo është shtëpia ime”, “këto janë, ato, që dua të gatuaj”. Mendoj, që kur flasim për objekte e fjalë, fjalët janë shumë konkrete. Ka ndryshim mes “ndiej, sikur jam në shtëpinë time” nga “jam në shtëpinë time’”. Njerëzit flasin, sikur ekspozita të jetë shtëpia e tyre.
Çfarë mund të konkludojmë nga fjalët terapike dhe cilat janë përfundimet e këtij studimi?
Studimi tregon, që në përgjithësi ekzistojnë përvoja konkrete dinamike, që njerëzit rregullisht kanë me objektet në jetën e përditshme dhe në mjedise muzeore, të cilat lidhen drejtpërdrejtë me shëndetin mendor e terapinë. Konkluzionet kanë të bëjnë edhe me dinamikën e dhënies e marrjes. Kur njerëzit, kanë rastin të bëjnë një donacion ose të marrin pjesë në ekspozita, impakti terapik është i jashtëzakonshëm. Ndjenja e pronësisë, e të qenit pjesë e një muzeu, e një shoqërie më të gjerë, është shumë i madh.
Mendoni se njerëzit, arrijnë të kuptojnë rëndësinë, që ka një muze në lidhje me shëndetin e tij?
Përgjigjia është jo, jo në mënyrë të vetëdijshme. Disa herë, ka edhe qëllimësi. Njerëzit shkojnë në një muze që të “rimbushen” dhe kjo është një shtysë konkrete. Shkojnë që të ribashkëpunojnë, ndoshta edhe të qëndrojnë pak vetëm, por edhe që të fokusohen. Dhe kështu “rimbushja”, është një gjë shumë e qëllimshme. Do të shkojnë në një muze “për të ndihmuar vetveten”, “që të kem një çast shëndeti të mirë”, “do shkoj të rimbushem”. Ndërkohë, njerëzit nuk shkojnë domosdoshmërisht në muze, që të kenë një përvojë terapike. Por, ama kur shkojnë, ndiejnë energjinë e një objekti.
Meqenëse po flasim për objekte muzeore, terapi e prosperitet, ku mendoni, që duhet të fokusohen kërkimet e ardhshme?
Në njëfarë mënyre mendoj vetëm pjesën praktike. Mendoj, që njerëzit duhet të zhvillojnë më shumë ekspozita, me fokus të veçantë në shëndetin mendor, në mënyrë që, ciladoqoftë qoftë tema apo “historia” e ekspozitës, mënyra se si është ndërtuar, të japë efekt mbi shëndetin e njerëzve, prosperitetin dhe terapinë e tyre. Dhe kjo nënkupton, realizimin e sa më shumë ekspozitave për çështje traumatike. Nënkupton gjithashtu, që krijohen më shumë mundësi për muzetë, që të bashkëpunojnë me profesionistë të shëndetit mendor për zhvillimin e ekspozitave. Besoj gjithashtu, që duhet të bëhen shumë gjëra për vlerësimin e ekspozitave dhe mënyrën se si ndikojnë mbi publikun, përsa i përket shëndetit mendor e terapisë.
Besoni, që muzetë janë në gjendje ta bëjnë këtë?
Nëse bashkëpunojnë me profesionistë të shëndetit mendor, po. Unë edhe kur flas me njerëz për objekte dhe mbledh gjithë këto informacione, gjithmonë ndodhet me ne edhe një terapist, në mënyrë që të sigurohem, që kur një njeri flet ose merr intervistë, nuk ka ndonjë rrezik (sepse, ekziston një specialist, që mund të ndihmojë në rast se diçka nuk shkon mirë). Muzetë në USA e në Britaninë e madhe, gjithmonë e më tepër bashkëpunojnë me lloj-lloj mënyrash me specialistë dhe bëjnë programe të posaçme.
Burimi: parallaximag.gr
Përktheu: Eleana Zhako
Add new comment