Rreth botës për 10 vjet

Postuar në 17 Gusht, 2023 14:35

Torbjorn “Thor” Pedersen ka mbyllur me sukses sfidën e jetës së tij: të vizitojë të gjitha vendet e botës pa marrë avionin. Udhëtimi epik i danezit ka nisur më 10 tetor 2013 dhe ka përfunduar më 26 korrik 2023, në portin e Aarhausit në vendin e tij, ku e prisnin një numër i madh njerëzish.

Para se të nisej në vitin 2013, Pedersen punonte në industrinë e transportit dhe logjistikës, ku shquhej për aftësitë e jashtëzakonshme në planifikimin e udhëtimeve. Ai kishte llogaritur katër vjet për udhëtimin rreth botës, por iu desh më shumë se dyfishi i kësaj kohe. Pedersen kishte parashikuar të vizitonte 203 vende) OKB njeh 195 shtete sovrane, por udhëtari danez futi në listë edhe vendet që janë pjesërisht të njohura).

Në udhëtimin e tij rreth botës, Pedersen hasi dy pengesa: politika dhe Covid-19. Atij iu desh të priste gjatë parasë të hynte në Siri, Iran, Nauru dhe Angola. U infektua me malarie në Gana dhe i mbijetoi një stuhie të fortë ndërsa kalonte oqeanin nga Islanda në Kanada, ka kaluar në këmbë kufijtë e mbyllur tokësorë në zona konfliktesh dhe i është dashur të riprogramojë shumë rrugë, për shkak të burokracive.

Pandemia e Covid-19 e “mbylli” për 2 vjet në Hong-Kong, nga ku u martua përmes një ceremonie online me të fejuarën, të cilën e kishte lënë në Danimarkë, dhe nisi të punonte për Kryqin e Kuq, ndërsa i mbeteshin edhe 9 vende për të mbyllur listën.

Në janar 2022, ai la Hong-Kongun për të shkuar në Vanatu. Prej atje kaloi kufirin dhe hyri në Malajzi, mori anijen për Sri Lanka dhe stacioni i parafundit ishin Maldivet. Gjatë kësaj kohe ka fituar shumë ndjekës në rrjetet sociale dhe ka mbajtur statistika: 3576 ditë, 37 anije mallrash, 351 autobusë, 219 taksi, 33 varka, 43 biçikleta me tre rrota. Ka përshkuar saktësisht 223 000 milje, praktikisht sa nëntë udhëtime rreth Tokës, pa llogaritur kthimin nga Maldivet në Danimarkë.

Por më shumë sesa numrat, ajo që ai dëshiron të ndajë me njerëzit është kënaqësia e udhëtimit, njohja e njerëzve dhe vendeve të reja.

E ndërmora këtë nismë me moton “Një i panjohur është një mik që nuk e ke takuar kurrë më parë” dhe i provova vetes disa herë se kjo është e vërtetë.

/ Corriere.it /

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.