Një NATO e re në Azi
A po lind një NATO në Azi? Teza ose më saktë alarmi, vjen nga Pekini. Në fakt, kështu e prezantojnë mediat qeveritare kineze samitin trepalësh që këtë të premte mbledh liderët e Shteteve të Bashkuara, Japonisë dhe Koresë së Jugut në Camp David. Mënyra si e përshkruajnë mediat kineze mund të duket njëfarë hiperbolizimi, por është njëkohësisht e vërtetë se samiti përkufizohet si historik: asnjë event i ngjashëm nuk është mbajtur ndonjëherë në atë format, aq më pak në një vend me aq shumë kujtime si rezidenca presidenciale në Camp David. Marrëveshja mes të tre vendeve në fakt ka brenda shumë risi; dhe është e orientuar drejt krijimit të një mburoje mbrojtëse kundër dy kërcënimeve kryesore në atë zonë: para së gjithash Koresë së Veriut luftarake dhe të paparashikueshme, pastaj vetë Republikës Popullore të Kinës.
Një nga aspektet e spikatura - dhe që Xi Jinping nuk mund ta kapërdijë lehtë - është pikërisht formati trepalësh. Aleancat e dyanshme, midis SHBA-së dhe Japonisë nga njëra anë, midis SHBA-së dhe Koresë së Jugut nga ana tjetër, kanë ekzistuar për shumë dekada. Megjithatë, deri më tani ishte e pamundur "mbyllja e trekëndëshit", sepse një sërë mosmarrëveshjesh historike helmuan marrëdhëniet midis Tokios dhe Seulit, veçanërisht çështjet që lidhen me pushtimin japonez gjatë Luftës së Dytë Botërore. Klima ka ndryshuar pasi dy liderët kanë vendosur t’i lënë mënjanë mllefet e së kaluarës dhe kundërhakmarrjet e tyre: Presidenti i Koresë së Jugut, Yoon Suk Yeol, dhe kryeministri japonez, Fumio Kishida. Kjo mundëson bashkëpunimin trepalësh në fushat kyçe të mbrojtjes dhe sigurisë teknologjike.
Është ende herët për të folur për një NATO aziatike, por ky trekëndësh i shtohet entitetit ushtarak Aukus (mbrojtja e përbashkët në Paqësor midis Shteteve të Bashkuara, Mbretërisë së Bashkuar, Australisë) dhe klubit gjeopolitik Quad, i cili bashkon katër demokraci të Indo-Paqësorit (me SHBA gjithnjë në qendër, në këtë rast e rrethuar nga India Japonia Australia).
Për propagandën e Xi Jinping, e gjithë kjo është dëshmi se Amerika po nxit një "mentalitet të Luftës së Ftohtë". Por Pekini nuk është imun ndaj këtij sindromi. Dëshira për të festuar së fundmi 70-vjetorin e "fitores" kundër Shteteve të Bashkuara në Luftën Koreane të vitit 1953 - e nisur nga një agresion i Veriut komunist kundër Jugut - së bashku me përfaqësuesit e Putinit dhe Kim Jong-Un, ishte një gjest, me të cilin Kina e tradhtoi versionin e saj nostalgjik të përplasjes së blloqeve.
Samiti i Camp David mbahet nën flamurin e dy temave kryesore: ndarja e vlerave midis demokracive liberale dhe siguria. Objketivi është i fortë: i ashtuquajturi “institucionalizim” i marrëdhënieve mes tre aleatëve. Çfarë do të thotë? Do të thotë t'i jepet një strukturë e përhershme marrëdhënies së tyre, e cila varion nga bashkëpunimi në inteligjencë tek mbrojtja kundër raketave, deri te politikat për mbrojtjen e njohurive teknologjike. Kërcënimi i menjëhershëm dhe i dukshëm për t'u përballur është Koreja e Veriut, e cila vazhdon të intensifikojë testet e saj raketore dhe ndërtimin e arsenaleve bërthamore. Pas kësaj vjen një kërcënim më pak i drejtpërdrejtë, por imanent: ekspansionizmi ushtarak i Republikës Popullore në atë zonë. Institucionalizimi, për shembull duke krijuar një sekretariat të përhershëm të trekëndëshit, jep idenë se krahasimi me NATO-n është me vend, edhe nëse në Lindjen e Largët jemi ende në një fazë shumë embrionale krahasuar me strukturat ushtarake të Aleancës Atlantike. Institucionalizimi do të thotë gjithashtu garantimi i qëndrueshmërisë së marrëdhënieve midis aleatëve përtej situatës politike dhe cikleve zgjedhore: të sigurohet që bashkëpunimi i avancuar ushtarak nuk mund të vihet në dyshim, pavarësisht çdo ndryshimi qeverie në Seul (ku zgjedhjet janë afër), në Tokio dhe sigurisht, edhe në Uashington.
E pathëna është se aleatët duhet të qetësohen në rast të kthimit të Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë. Perspektiva e fitores së Trump në zgjedhjet e vitit të ardhshëm shqetëson japonezët dhe koreano-jugorët, duke pasur parasysh tendencën izolacioniste të kandidatit republikan dhe përbuzjen e tij për aleancat. Ky shqetësim ka shkaktuar tashmë një efekt që shumë e konsiderojnë shqetësues: rihapjen e një debati si në Japoni ashtu edhe në Korenë e Jugut për ndërtimin e armëve bërthamore autonome, në mënyrë që të mos varen nga parandalimi amerikan. Deri më tani, shumica e opinionit publik të Koresë së Jugut është në favor të armës atomike: kjo është e kuptueshme, duke pasur parasysh fuqinë bërthamore të Koresë së Veriut në duart e Kim Jong-Un. Doktrina strategjike e Uashingtonit është kundër kësaj përhapjeje bërthamore, madje edhe midis aleatëve. Amerika gjithmonë ka menduar se është e rrezikshme, Pentagoni beson se një garë armësh bërthamore në Tokio dhe Seul mund të destabilizojë zonën. Por nëse Shtetet e Bashkuara duan të bllokojnë këtë evolucion, duhet të japin garanci se ombrella e tyre bërthamore do të vazhdojë t’i mbrojë miqtë në Lindjen e Largët: ky është një tjetër arsyetim bindës pas samitit të Camp David dhe objektivit të institucionalizimit të aleancës, në mënyrë që ata të mbijetojnë, pavarësisht se kush vjen në Shtëpinë e Bardhë në 2024 ose më pas.
Tema të tjera në axhendën e samitit janë kufiri midis mbrojtjes, sigurisë dhe ekonomisë. Elasticiteti i zinxhirëve të prodhimit industrial do të jetë në qendër të diskutimit: si të shmanget rënia në mëshirën e furnizimeve kineze, veçanërisht në sektorë teknologjikë si gjysmëpërçuesit, bateritë elektrike, materialet thelbësore (minerale dhe metale të rralla) ku Republika Popullore ka deri tani një pozitë dominuese.
Ata që takohen në Camp David janë liderët e tre superfuqive të teknologjisë: ata do të diskutojnë aderimin e tyre përkatës në embargon e Joe Biden për furnizimet me teknologji të avancuara në Pekin. Japonia, dhe akoma më shumë Koreja e Jugut me Samsung, kanë lobe industriale për të cilat humbja e tregut kinez do të ishte një sakrificë e stërmadhe. Një gjigant si Samsung ka vazhduar deri tani t'i shesë gjysmëpërçues Republikës Popullore dhe t'i prodhojë në fabrikat që zotëron në Kinë, edhe nëse së fundmi ka rënë dakord të ndalojë furnizimin me disa lloje të sofistikuara. Për më tepër, Japonia dhe Koreja e Jugut tërhiqen nga subvencionet bujare që Biden u ofron atyre që ndërtojnë fabrika të reja gjysmëpërçuese në territorin amerikan. Këtu gjejmë një temë të njohur në dialogun midis Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian: aleatët, edhe kur konvergojnë në analizën e tyre të kërcënimit kinez, janë kritikë ndaj formave të proteksionizmit amerikan, nga të cilat ata e shohin veten të dëmtuar. Është një terren në të cilin Biden duhet të ofrojë kompromise, që të mos ndihet i akuzuar se ka implementuar versionin e tij të sloganit trumpian "Amerika e para".
Nëse embrioni i një "NATO-je aziatike" është i destinuar të lindë në Camp David - me të gjitha dallimet e rastit - kjo do të vijë në çdo rast për shkak të politikës së Xi Jinping. Incidentet e vazhdueshme në Detin e Kinës Jugore (përsëri kohët e fundit kundër Filipineve) kanë rritur nivelin e shqetësimit për agresivitetin e Pekinit. E njëjta gjë vlen edhe për çështjen e Tajvanit, e cila qëndron pezull mbi samitin. Rilegjitimimi i Kim Jong-Un, i cili vetëm një dekadë më parë u trajtua si një pabesë nga vetë kinezët, dhe tani është përkëdhelur si një aleat i respektuar (si dhe furnizuesi i Putinit me armë); Zgjedhja e Xi Jinping për të mbështetur në fakt agresionin kundër Ukrainës: e gjithë kjo ka shkaktuar dinamika vetëmbrojtëse në Lindjen e Largët që nuk janë shumë të ndryshme nga ato që po zhvillohen në Evropë. Japonia dhe Koreja e Jugut i kishin provuar në lëkurë para kujtdo tjetër sanksionet e njëanshme të vendosura nga Pekini si ndëshkim për ndonjë "rreng" në politikën e jashtme: rivlerësimin e Kinës e kishin nisur edhe para Ukrainës, kjo luftë thjesht e përshpejtoi.
/ Corriere.it /
Add new comment