Eksodi i dimrit të madh

Postuar në 16 Gusht, 2023 17:30

Një epokë e papritur akullnajash i dëboi banorët e hershëm të Europës për 200 000 vjet, por ata u përshtatën dhe u kthyen, tregon një studim i ri.

Analizat që i janë bërë sedimentit në shtratin e oqeanit tregojnë një rënie të papritur të temperaturave me 5 gradë. Banorët e dikurshëm të Europës nuk u mbijetuan dot kushteve të reja dhe u detyruan të largoheshin.

Studimet e deritanishme kanë treguar se Europa ka qenë e populluar në mënyrë të vazhdueshme për 1.5 milionë vitet e fundit.

Por një studim i kryer nga IBS Centre for Climate Physics në Korenë e Jugut tregon se temperaturat ranë disa gradë nën zero në Europë, madje edhe në Mesdhe. Një rënie e tillë sot nuk do të ndikonte në zhvendosjen e popullatave për shkak të mundësive për ta përballuar të ftohtin dhe ushqimit më të mirë. Të papërgatitur për kushte të tilla ekstreme, banorët e hershëm të Europës zgjodhën të largoheshin 1.1 milionë vite më parë, për t’u kthyer sërish pas 200 mijë vitesh.

Gjurma më e hershme e njeriut në Europë është ajo e Homo Erectus, një specie që mendohet se erdhi nga Afrika në atë që është Spanja e sotme, duke kaluar përmes Azisë jugperëndimore.

Studiuesit rishikuan të dhënat për vendbanimet e para në Europë, për të verifikuar nëse ka gjurmë nga periudha 200 mijë vjeçare e të ftohtit. Ata vunë re një mungesë mes 1.1 milionë dhe 900 mijë viteve më parë. Pikërisht pas kësaj mungese, që përkon me epokën e gurit, shfaqen gjurmë në shtresat e argjilës, të gjetura në Happisburgh, Norfolk, Angli. Krahasimi me mbetjet e gjetura në pjesë të tjera të Europës tregon se gjurmët i përkasin një specieje më të avancuar, Homo antecessor.

Europa që ata rigjetën ishte sërish e ftohtë, më e ftohtë seç është sot.

Nick Ashton, profesor dhe arkeolog që bashkëpunon me Muzeun Britanik, thotë se specia ishte përshtatur mjaftueshëm për të përballuar kushtet më të ftohta në Evropë.

Mund të ketë shkaktuar ndryshime evolucionare te njerëzit, si rritja e yndyrës së trupit si izolues, ose rritja e qimeve”, tha ai për BBC News.

Mund të ketë çuar gjithashtu në zhvillime teknologjike si përmirësimi i aftësive të gjuetisë ose pastrimit dhe aftësive për të krijuar veshje dhe strehim më efektiv.

Mund të kenë qenë këto përparime që i kanë mundësuar njerëzit të përballojnë periudhat pasuese të të ftohtit ekstrem dhe të zhvendosen edhe në pjesë të tjera të Evropës.

"Evropa ishte një laborator për përshtatjen njerëzore," tha ai.

Një specie më elastike u kthye në Evropë ose sepse mësuan se si të mbijetonin më mirë, ose ishte një specie tjetër që kishte sjellje më të sofistikuara që u mundësoi atyre të përshtateshin.

Kjo specie mund të jetë ajo që më pas evoluoi në Neandertal, 400 000 vjet më parë.

Paraardhësit tanë, Homo sapiens, besohet të ketë evoluar në Afrikë rreth 400 000 vjet më parë. Ne u vendosëm në Evropë 42 000 vjet më parë dhe patëm një bashkëjetesë të shkurtër me Neandertalët përpara se ata të zhdukeshin para rreth 40 000 vjetësh.     

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.