Ali Pasha, përbindëshi më romantik i Historisë

Postuar në 16 Gusht, 2023 19:10
Maria Thermu

 

Nëse shprehja “Pasha në Janinë” ka sot kuptimin e jetesës së mirë dhe të moskokëçarjes, në fund të shekullit të XVIII, fillim i shek. XIX, kjo referencë mund t’u kallte datën shumë njerëzve. Sepse Ali Pasha i Janinës, i ashtuquajturi “Luan i Epirit”, nuk ishte as si njerëzit e tjerë dhe as si hegjemonët e tjerë. Gjysma e hapësirës greke, tronditej në themel, kur ai tërbohej. Armiqtë e tij nuk gjenin dot mëshirë, por as miqtë. Madje edhe Porta e Lartë në Stamboll ia kishte frikën, ndërkohë që në Europë po lindte legjenda e tij. 

I vetmi kolos i shekullit të XIX, që mund të krahasohet me Napoleon Bonapartin, është Ali Pasha i Janinës”, shkruante Viktor Hygo në 1829-n. “Ali Pasha është përbindëshi më romantik që lindi ndonjëherë Historia dhe një nga tmerret më të bukura, që lindi natyra”, pat shkruar gazetari francez George Hoffmann në 1822. Jeta e tij, një roman marramendës, që u rrëfye jo vetëm përmes shkrimesh të shumta, por edhe u pasqyrua në qindra portrete – piktura të atij  e të njerëzve, që kishte pranë.

Një galeri, veprat e së cilës u rrek t’i mblidhte Anastasios Papastavru, ish - Kryebashkiak i Janinës, në mënyrë që të përfshihen për herë të parë në dy vëllime me titull “Ali Pasha. Nga hajdut në hegjemon” (Botimet Apiratan), vendosin lexuesin në botën e errët, plot intriga e krime të oborrit të Ali Tepenlelliut. Edhe vetë shkrimtari, e karakterizon veprën e vet “galeri alipashakçe”! Si mund të ishte ndryshe, përderisa Ali Pasha bashkë me Marko Boçarin, kanë numrin më të madh të portreteve të pikturuara në Greqinë e shek. XIX.

Portretet e Ali Pashës janë vepra të piktorëve të shquar të kohës së vet, por ka dhe shumë portrete të mëvonshme. Pamjen e tij, por edhe skena nga jeta e vet, mund t’i ndeshë ndokush kudo: nëpër tablo pikture, në vizatime të thjeshta artistësh popullorë, në qëndisma, në karta letrash, në vepra druri, në porcelan, në qilime, në kuti duhani, në stoli zbukurimi, në figurat e Karagjozit e gjer në postera. Pasi Ali Pasha qeverisi vendin e vet për 33 vjet me ashpërsi, totalitarizëm, duke pasur juridiksion të plotë mbi jetën e vdekjen e nënshtetasve të tij, pushtet që e përdorte shpesh.

Antitezat

Sipas autorit të veprës së tij:

gjithë jeta e Aliut ishte një kontrast. Kalonte njerëz në hell dhe në të njëjtën kohë i falej eshtrave të pater Kozmait. Shkatërronte fshatra të tërë dhe paralelisht ndërtonte kisha. E donte gruan e tij të parë, por në të njëjtën kohë shkaktoi vdekjen e saj. Vishej me rroba luksoze dhe ndonjëherë me rroba lypsari. Ishte analfabet, por mbështeste arsimimin grek. S’i trembej syri në betejë, por tmerrohej nga vetëtimat e bubullimat. Sillej në mënyrë poshtëruese ndaj djemve të tij, por u ndërtonte pallate. Ishte i pamoralshëm, por edhe i patutur në çështje morali, i drejtë, por edhe egoist i padrejtë, i dhënë pas parasë, por edhe dorëlëshuar

Në portretet e tij, piktorët shkrinin gjithë mjeshtërinë, por shumë pak arritën të portretizonin Aliun e vërtetë, atë që mbeti në histori. Portretet e tij me mjekrën e bardhë, të mirëmbajtur e të gjatë, shpesh me llullën e famshme në dorë a nargjilenë dhe tunikën me gunë rreth e rrotull, të japin ndjesinë e një plaku dashamirës e të shëndoshë. Hunda e tij e madhe dhe e kërrusur gati nuk tregohet dhe vështrimi i tij flakërues, që fliste shumë më tepër nga goja, rrallë duket.

Gjithë njerëzit e tij të afërt, nga nëna e tij e përbindshme Hamko, motra gjakpirëse Hajnica, të bijtë me gratë e tyre e të tijat, haremi me virgjëreshat, të privilegjuarit, por edhe rivalët e vet, janë pjesë e kësaj historie të ilustruar. Bashkë edhe kapedanët grekë, suliotët e përndjekur dhe viktimtat e tij, anonime ose me emër si zonja Frosinë, dashuria e tij për të dhe mbytja e saj në liqen. Të pafundme janë portretet e Vasiliqisë, dashurisë së fundit të madhe të Aliut – ai ishte 65 vjeç dhe ajo 15 – që himnizojnë bukurinë e saj.

Megalomania

Megalomania e tij s’njihte limite, sikurse edhe oreksi për luks e mondanitet, që e “paguanin” në masë të madhe vasalët e vet. Pat blerë tre karroca shumë të shtrenjta nga Europa; stoli e gurë të çmuar, pëlhura luksoze, pasqyra të gdhendura hollë, kristale e porcelane nga dyqanet me të mira të kohës së tij, që ndodheshin në Romë, në Trieste, Venecia, Paris, Liburn, por kryesisht në Vjenë. Në kryeqyetin austro-hungarez, administratori i financave të tij, Stavros Ioanu kishte një degë bankare, që e drejtonte i biri, Giorgios Stravru, i njohur më pas si bamirës i Greqisë. Ai ekzekutonte porositë, që i dërgonte i ati.

Në prill 1814, bleu nga Nailing, një nga argjendarët më të njohur në Vjenë, “një gur unaze brijan 17 karatësh”, që u pagua gjysma nga Aliu dhe gjysma nga taksapaguesit e timareve. Në gusht 1817, blen gjëra mjekësore dhe “muzikë’’. Vitin tjetër, ngarkon Luka Vajën t’i sjellë nga Vjena giulesi (vaj trëndafili), plumb, punime ari të qëndisura dhe objekte të tjera, që u paguan nga taksa bujqësore e Zicës.

Për të birin, Muhtarin, porositi sërish nga Vjena “një kuti tabakoje me kapak të ngjitur ari, fildish dhe diamante, që të kushtojë deri 2000 groshë” dhe për vetë atë “një hasan (veshje për kalin) si e kadiut, por shumë më e pasur, në çdo kuptim, dhe të ketë thekë”. Të gjitha këto u plaçkitën pas vrasjes së tij në ishullin e Pamvotidës në 1822, por kanë mbetur endje mjaft objekte personale në Greqi e jashtë. Nga dëshira e tij e papërmbajtur për të njohur gjëra të reja, bleu një aerostat, por demonstrimi i tij në dasmën e të birit Salih në Janinë në 1803, rezultoi në dështim të plotë, përderisa mori flakë e u bë shkrumb e hi. I pranishëm ishte dhe poeti Ioannis Vilaras, që e përshkroi ndodhinë: “Ku jeni o njerëz! Mblidhuni/Kudo qofshi, rreshtohuni/Mrekullinë e madhe shikojeni/Përmbyset sfera poshtë e lart/Dhe menjëherë merr zjarr nga pas/Ngatërrohen mes tyre vllehët/Hidhen e ulërasin si zhapikët”.

Mizoritë

Ali Pasha ka në ngarkim shumë genocide, vrasje e shtazëri të çdo lloji. Një jetë e mbushur me gjak, akte mizore, tortura, pazare me skllevër, plaçkitje dhe tmerre; hidhte të dënuar me vdekje në kafazin me leopardin që kishte në Janinë dhe ndiqte shfaqjen e frikshme. Gjatë luftimeve të shpeshta me suliotët, 20-30 koka njerëzish priteshin një më dy në rrugët e Janinës.  

Udhëtari Thomas Smart Hughes, shkruan që kur dëgjoi në Lefkadë që e krahasonin Aliun me tiranin legjendar të Epirit, Eheton, i cili e kishte zakon t’u priste hundët dhe veshët kundërshtarëve e t’ua hidhte qenve të tij; Aliu ishte pasha-aga akoma më i përbindshëm. Sipas Hughes, midis pazarit të Janinës dhe kalasë, ndodhej një rrugicë, ku bëheshin për demonstrim ekzekutimet më të tmerrshme: “Digjnin njerëz në zjarr të avashtë, i kalonin në hell, i rrjepnin të gjallë, u prisnin duar e këmbë dhe e linin kështu viktimën, derisa të jepte shpirt”.

Ali Pasha kujdesej për veten e vet deri në ekstrem. Ndonëse kishte fizik shumë të fortë, vetëm në moshë të vonë vuante nga një artrit i lehtë, ishte paranojak me sëmundjet. Nuk ka pasur hegjemon të kohës së vet, që të ketë pasur më shumë doktorë se Ali Pasha, të cilët merrnin shpërblime të majme dhe gëzonin privilegje të larta, visheshin me rroba të kushtueshme, qarkullonin në qytet me kalë dhe me ombrellë.

Spiunët

Me gjithë këto, nuk është e çuditshme, që Ali Pasha frymëzoi letërsinë e muzikën në Greqi e jashtë, me vepra teatri në vargje si ajo e Rangavisë, Valaoritit, Vernardakit, etj., melodrama europiane, tragjedi e opera që u prezantuan në skenat më të mëdha të botës. “Madhëria e tij është 60 vjeç, shumë i shëndoshë dhe jo i gjatë, por me fytyrë të bukur, sy të kaltër e të shndritshëm dhe mjekër të të gjatë e të bardhë… Nga paraqitja e jashtme, nuk mund të kuptohet karakteri i tij i vërtetë, pasi është një tiran i pamëshirshëm, i fajshëm për mizoritë më të tmerrshme, trim dhe ushtarak i shkëlqyer, aq sa e quanin “Bonaparti otoman”. Aq sa i suksesshëm, po aq barbar është, përderisa pjek kundërshtarët e vet”, shkruan Lord Bajroni në 1809 në letrën drejtuar nënës së tij, pas njohjes që kishte me Aliun. Një vit më vonë, do të takonte në Tripoli të birin e Aliut, Veli Pashanë, guvernator të Moresë, i cili ishte miqësor me të në masë të ekzagjeruar, përmend në letrat e tij.

Aliu kishte të paktën katër hareme në Janinë me 300 gra, një në Tepelenë me 60 dhe dy më të vogla në Prevezë e Konicë. Vajzat e haremit i quante “çupat e mia” ose “vajzopulet e mia’’ dhe ua dinte emrat të gjithave. Rrëmbimi i vajzave të reja, si edhe i djemve për haremin e burrave bri atij të grave, bëhej nga njerëzit e tij të besuar. Kishte krijuar një shtet të ashpër policor dhe unik në perandorinë otomane për rrjetin e spiunëve dhe gjurmimeve. Momentin e fundit arriti të shpëtonte nga haremi i djemve të Aliut e të mos bëhej “ganimid” (ose jusufaki) edhe bashkëthemeluesi i mëvonshëm i Filiki Eterisë, Athanasios Cakalof.

Burimi: tovima.gr

Përktheu: Eleana Zhako

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.