Historia e akullores

Postuar në 12 Gusht, 2023 19:22
Lindsay Middleton*

 

English Heritage (organizata që menaxhon mbi 400 monumente dhe sajte historike në Britani) ka nxjerrë në shitje atë që e quan "gjëja më e mirë që nga buka e prerë" në 13 nga sajtet e saj - akullore me bukë të zezë, frymëzuar nga një recetë gjeorgjiane.

English Heritage nuk është e vetme në përpjekjet e saj për t’u ofruar turistëve ushqime të dikurshme. Në Edinburg, Trusti Kombëtar për Tokën e Gladstone të Skocisë ka një sallon akulloresh që lidhet me bulmetin që prodhohej aty në vitin 1904. Aty gjen akullore të bëra sipas një recete të vitit 1770.

Ndërsa akullorja me bukë të zezë, e lavdëruar për aromën e saj të karamelit, mund të jetë një shije më e njohur për nespqarët bashkëkohorë sesa ofertat e tjera historike, ëmbëlsirat e ftohta në Britaninë e shekujt e mëparshëm kishin një larmi të madhe shijesh dhe formash.

Agnes Marshall, mbretëresha e akullores gjatë fundit të shekullit të 19-të, botoi dy libra gatimi, në mënyrë specifike për "akulloret" (1885) dhe "akulloret e zbukuruara" (1894). Akulloret e saj kishin shije që nisnin nga spinaqi ala creme, deri te akulloret me filxhanë. Këto kishin brenda pate pule të mbushur me pluhur kerri dhe salcë Worcestershire, të verdha veze dhe açuge, e cila më pas përzihej me lëng mishi, xhelatinë dhe krem pana, përpara se të ngrihej në gota dekorative dhe të shërbehej shpesh si pjatë e dytë.

Libra të mëparshëm në këtë fushë përmbajnë shije edhe më të çuditshme.

 “L'Art de Bien Faire les Glaces d'Office” (1768) nga Emy M. ka receta për tartufin, shafranin dhe akullore të ndryshme me shije djathi.

Historia e akullores

Në kohën kur zonja Marshall botonte librin për të, akullorja ishte shumë më e aksesueshme për publikun sesa në shekujt e mëparshëm. Para viteve 1800, akulli mblidhej nga burimet ujore të ngrira dhe ruhej në shtëpi akulli nëntokësore, të kufizuara kryesisht në prona të mëdha me tokën, pasurinë dhe burimet e nevojshme.

Megjithatë, nga vitet 1820, akulli u importua në Britani nga Evropa dhe më pas nga SHBA dhe ruhej në puse dhe magazina akulli. Importimi i rezervave më të mëdha të akullit uli kostot, ndërkohë që në të njëjtën kohë, novatorët po projektonin aparate për ngrirjen mekanike.

Do të duhej një kohë e gjatë derisa akulli të prodhohej lehtësisht brenda shtëpisë, por akulli më i lirë e bëri akulloren më të disponueshme dhe u krijuan mjete që të mund të bëhej në shtëpi. Librat e gatimit të Emy-t dhe Marshall-it që përshkruanin prodhuesit e akullores dhe ngrirësin e patentuar të Marshall-it kishin të njëjtën teknikë të ngrirjes si Sarbotiere et son Seaau i Emy-t.

Akulli dhe kripa vendoseshin rreth një kove, brenda së cilës përzierja e kremit ose uji trazohej ose rrotullohej derisa të ngrinte. Risia e Marshall ishte tigani i cekët, i cili kishte sipërfaqe më të madhe për ngrirje më të shpejtë. Të pajisura me një ngrirës të tillë (dhe ndoshta me patentën e Marshall-it Ice Cave, për ruajtjen e akullit), amvisat e klasës së mesme mund të prodhonin akullore në kuzhinat e tyre.

Akullore dhe kohë e lirë

Akullorja është e përshtatshme për ta përfshirë vizitorin në kontekstin e asaj që po viziton, jo për shkak të historisë se si është prodhuar brenda shtëpisë, por për shkak të konotacioneve të festave. Pavarësisht nëse është një "99", një "gocë deti" e shijuar në plazh, apo zhurma e afërt e një kamioni me akullore, akullorja vetë ka lidhje të qarta kulturore dhe emocionale me rekreacionin dhe kënaqësinë. Ishte njësoj edhe në të kaluarën.

Në Britaninë e shekullit të 19-të, shitësit ambulantë (shumë prej tyre emigrantë italianë) filluan të shisnin “lëpirëse” (penny licks), ose "hokey-pokey" në tezgat ose karrocat në rrugë. Ndryshe nga delikatesat e formuara në mënyrë të përsosur në librin e gatimit të Marshall – që kërkonte blerjen e disa pajisjeve – kjo akullore duhej shijuar ndërsa vije vërdallë. Ishte edhe e lirë, siç nënkuptohet nga "peni" në emërtim.

Konsumatorët e blinin në një gotë të vogël qelqi, e hanin atë dhe më pas do t'ia kthenin gotën shitësit për ripërdorim. Me rritjen e numrit të resorteve bregdetare dhe rritjen e industrisë së argëtimit gjatë shekullit të 19-të, akulloret shijoheshin gjatë pushimeve ose ekskursioneve ditore dhe në evente publike si ekspozita apo panaire.

Është pikërisht mënyra e saj e servirjes që e bën akulloren një ëmbëlsirë të shijshme që mund të shijohet, me një dorë, si pjesë e një përvoje më të madhe. Prandaj, akti i të ngrënit të akullores së përgatitur nga një recetë gjeorgjiane ose viktoriane i lidh vizitorët e sotëm me një traditë të gjatë të shijimit të saj në mënyrë rekreative.

Ndërsa në këto sajte nuk ka gjasa t’u rikthehen praktikave josanitare të ngrënies së akullores, servirja e recetave historike u jep vizitorëve një shans për të shijuar një shtresë të re ndijore të së kaluarës. Kjo shije mund të lidhet me histori më të mëdha. Nga akullorja, ne mund të mësojmë për zhvillimet teknologjike, ndryshimin e qëndrimeve ndaj higjienës, udhëtimin global, disponueshmërinë e përbërësve gjatë gjithë kohës, tendencat, modën dhe zakonet e kohës së lirë.

Hulumtimi në historinë e ushqimit – nga konservat në raftet e kuzhinave tona, te një filxhan çaji ose një akullore në plazh – mund të sjellë perspektivë të re si për të kaluarën, ashtu edhe për të tashmen.

/ The Conversation / 

*Historiane e ushqimit dhe bashkëpunëtore e shkëmbimit të njohurive, Universiteti i Glasgow

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.