Shifra dhe probleme për Agroturizmin
Në një shkrim për revistën ekonomike “Monitor” Prof. Asoc. Shpresim Domi shkruan rreth zhvillimit të Agrotuirzmit në Shqipëri, që promovohet shumë edhe nga përfaqësues të qeverisë. Siç ndodh rëndom, nismat për biznes vijnë edhe me keqkuptime të ndryshme për atë që është në të vërtetë sektori, ndonëse çdo investim duhet mirëpritur. Në vendin tonë, Agroturizmi paraqet megjithatë probleme karakteristike që lidhen kryesisht edhe me funksionimin e ligjit dhe standardet.
…Një agroturizëm bashkëpunon me rreth 22 fermerë lokalë, duke blerë prodhimet e tyre. Pjesa dërrmuese e agroturizmeve ofrojnë produkte apo gatime me bazë territorin lokal.
Aktiviteti agroturistik po tërheq brezin e ri, dhe fuqizon rolin e gruas. Një agroturizëm, punëson rreth 9 persona (ndërkohë mesatarja e sipërmarrjeve në Shqipëri është 6.8). Sipërmarrësit e fermave agroturizëm, kanë një moshë mesatare rreth 40 vjeç, e ndërsa ajo e fermerit është rreth 60 vjeç. Rreth 61% e stafit të subjekteve agroturizëm janë femra.
Në të gjithë territorin e Shqipërisë operojnë rreth 200 subjekte që sillen si agroturizëm, ndër të cilët, vetëm 25 janë plotësisht të certifikuara, dhe 27 të tjera të para-çertifikuara.
Megjithatë, të gjithë këto 200 operatorë, përgjatë vitit 2021 kanë mik-pritur mbi 1.2 milion vizitorë (kryesisht vizitorë ditorë/orarë), ku pjesa kryesore e tyre janë ata ndërkombëtarë. Agroturizmi në Shqipëri përbën pa dyshim një burim të ardhurash për shumë fermerë të cilët për pak desh e braktisën fermën sepse nuk kishin leverdi…Ky fenomen garanton më shumë financim në një sektor i cili i jep vendit rreth 20% të prodhimit të brendshëm bruto e merr vetëm 2% nga i gjithi financimi që injektohet në ekonominë e vendit tone
shkruan autori.
Sipas tij sektori në Shqipëri megjithatë ka ecur kënaqshëm për një kohë shumë të shkurtër dhe këtu ka nevojë për t’u thelluar mbi arsyen. Për ta mbajtur ritmin e investimeve dhe optimzimit, Domi bën disa sugjerime, që nisin edhe me kalimin e kuadrit rregullator nga një Vendim I Këshillit të Ministrave në hartimin e një ligji që do të jepte më shumë garanci.
Kërkohet vazhdimësi në mbajtjen e një fryme motivuese për operatorët aktual agroturistik dhe tërheqëse për investitorë të mundshëm. Kështu, edhe pse nuk pati thuajse asnjë ndikim konkret në termat infrastrukturës, ngritjes së kapaciteteve njerëzore, investime në subjekte agroturistike etj., Programi 100 fshatrat, krijoi një frymë nxitëse për shumë investime private. Për më tepër, një iniciativë e tillë kontribuon në ndërgjegjësimin e publikut ndaj agroturizmit...
Së dyti, jo vetëm për të kornizuar, por edhe për të lehtësuar adresimin e të gjitha problematikave të kësaj industrie, është tashmë e udhës të niset zbatimi i një strategjië dedikuar Agroturizmit. Në kuadër të kësaj strategjie duhet të parashikohen një sërë elementesh që implikojnë Politikë bërësin qendror dhe Lokal.
Së treti, duhet të nisë debati lidhur me përpilimin e një ligji dedikuar agroturizmit. Më shumë se thjeshtë një VKM, siç është aktualisht, ligji do të krijonte një frymë sigurie për investime të reja, kryesisht nga të rinjtë që duan të rikthehen nga emigrimi për të investuar në vendlindje. Ky ligj, do të krijonte më shumë qartësi në tipologjitë e agroturizmit që operojnë në territorin Shqiptar
shkruan ai.
Duhet thënë se nxitja e sektorit në fjalë ka ardhur edhe për shkak të mungesës së rregullave të qarta, ndërkohë që shtrëngimet ligjore priren ta ulin optimizmin për investime.
Add new comment