Greqi-Turqi: Rregulla, kompromise, lëshime

Postuar në 07 Gusht, 2023 18:40
Nikos Kotzias - Ish-ministër i Jashtëm i Greqisë

 

Askush nuk i zgjedh fqinjët gjeografikë. Për këtë arsye është thelbësore të gjenden rregulla për të jetuar me ta, si p.sh:

Rregulli numër një: Një vend si Greqia duhet të ketë një strategji të nivelit të lartë dhe afatgjatë për t'u përballur me një fqinj që shpesh provokon dhe pretendon territore dhe dete – një strategji që duhet të kombinohet me vlerat dhe interesat e vendit. Vendi duhet të synojë bashkëjetesën paqësore dhe zgjidhjen e problemeve kur dhe nëse është e mundur, por gjithashtu duhet të jetë në gjendje të përballojë çdo sfidë me çdo mjet të mundshëm.

Rregulli numër dy: Çdo kompromis duhet të jetë i dobishëm për të dyja palët. Ne flasim dhe, kur është e nevojshme dhe e mundur, ne negociojmë me fqinjin. Asnjëherë nuk i bëjmë të ditura lëshimet paraprakisht dhe as i mbajmë nën rrogoz, sepse pala tjetër do t'i marrë të mirëqena që në fillim. Dhe si rrjedhojë, gjatë ecurisë së negociatave, do të kërkojë më shumë. Në këtë këndvështrim, duke bërë lëshime dhe aq më keq, duke shpallur një humbje të sovranitetit, që as që duhej hedhur në tavolinë, kryeministri ka bërë një gabim historik.

Rregulli numër tre: Një opsion i përgjithshëm i politikës (debat, negocim, kompromis) nuk është në formulimin e përgjithshëm i gabuar apo i drejtë. Ai bëhet i gabuar ose i drejtë nga konteksti në të cilin është krijuar dhe nga kushtet e zbatimit të tij. Për shembull, referimi i mosmarrëveshjeve greko-turke në një gjykatë ndërkombëtare (mundësisht në Hagë) nuk është i gabuar apo i drejtë në vetvete. Është gabim nëse bëhet pa kushte dhe përgatitje. Dhe këtu qëndrojnë gabimet dhe të metat e pushtetit aktual.

Që vendi të shkojë në Hagë, duhet të ketë bërë përgatitjen e duhur. Ai duhet t’i studiojë të gjitha vendimet e gjykatës si dhe publikimet e stafit të gjyqtarëve dhe deklaratat e tyre. Gjithashtu, duhet të ketë vënë rregull në shtëpinë e vet, duke përfshirë mbylljen e të gjitha gjireve (që prodhojnë sovranitet), si dhe zgjerimin e ujërave territoriale në 12 milje detare në të gjitha zonat jashtë kontrollit diplomatik. Në të njëjtën kohë, vendi duhet të hapë kanale ndërkombëtare për të shmangur interesat dhe pikëpamjet e vendeve të treta që duan të kalojnë tranzit në dete, në të cilat vendi ushtron sovranitet – dhe jo vetëm të drejta sovrane, siç është rasti me zonat ekskluzive ekonomike (EEZ) – nga përfshirja në këtë çështje.

Përsa i përket ZEE-ve, tashmë mund të jetë e sigurt se gjykata do të marrë parasysh lëshimet e shumta të bëra nga qeveria greke për të pranuar të gjitha kërkesat e Italisë dhe Egjiptit – lëshime që do të kërkohen edhe nga Turqia. Për më tepër, besoj se ka gjasa që së shpejti të ketë një marrëveshje midis Egjiptit dhe Turqisë për ZEE-të e tyre, e cila mund të përfshijë fare mirë pjesën e detit që qeveria "Mitsotakis" gabimisht u sigurua se ishte lënë jashtë marrëveshjes greko-egjiptiane.

Madje, duket se kryeministri ka rënë dakord që Greqia nuk do të zgjerojë asnjë zonë pa marrëveshjen e Turqisë. Nëse kjo është e vërtetë, do të thotë se ai ka braktisur linjën e politikës për të mos pasur asnjë mosmarrëveshje tjetër me Turqinë përtej ZEE/shelfit kontinental. Dhe jo vetëm që shtoi zyrtarisht një tjetër mosmarrëveshje, por i dha Turqisë fjalën në zonat e tjera greke dhe jo vetëm ato detare.

Rregulli numër katër: Turqia duhet të angazhohet të respektojë të gjitha dispozitat e së drejtës ndërkombëtare. Ajo duhet të pranojë plotësisht juridiksionin dhe vendimet e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Me fjalë të tjera, ajo duhet të ratifikojë UNCLOS (Konventa e Kombeve të Bashkuara për të Drejtën e Detit). Përndryshe, si mund t'i besojmë asaj që të respektojë rezultatet e një apeli të tillë? Të mos harrojmë shkeljet e vazhdueshme të rezolutave të OKB-së për çështjen e Qipros.

Pasi Turqia të ketë ratifikuar UNCLOS-in, ajo duhet të tërheqë menjëherë casus belli. Përndryshe, si do të shkojmë në gjykatë? Nën kërcënim? Po sikur Turqia të mos miratojë asnjë vendim?

Rregulli numër pesë: Kur je në marrëveshje me një fqinj, përjashton çdo qëllim irredentizmi. Në rastin e Marrëveshjes së Prespës, Maqedonia e Veriut hoqi dorë që në fillim nga çdo irredentizëm gjeografiko-territorial me bazë popullsie dhe u detyrua të hiqte dorë edhe nga të gjithë irredentizmi tautologjik “modern” historiko-kulturor. Në Marrëveshjen e Prespës, në paragrafin 7, Maqedonia e Veriut pranoi detyrimisht se vendi dhe popullsitë e saj nuk kanë asnjë lidhje me historinë e lashtë greke apo Maqedoninë e Aleksandrit të Madh, e cila ishte dhe është ende greke. Fatkeqësisht, në marrëdhëniet tona me Turqinë, kryeministri ka bërë pikërisht të kundërtën. Ai bëri të ditur se dallimet tona do të kalojnë nga fusha e së drejtës në atë të gjeopolitikës. Duke vepruar kështu, ai na riktheu në irredentizmin e shekullit XIX.

Rregulli numër gjashtë: Përpara se të shihni "të mirën" e një negocimi dhe një marrëveshjeje, nuk duhet hequr dorë, as me fjalë, nga armët e tua, qofshin këto ligjore apo mbrojtëse. Lajmi i keq është se kryeministri pranoi të fliste për çmilitarizimin e ishujve grekë me 40% të territorit qipriot nën pushtimin turk. Duke mos kujtuar se çfarë ndodhi kur brigada greke u tërhoq nga Qipro. Për këtë arsye, unë pohoj se ka shumë lloje kompromisesh. Ka pozitive, kreative, si dhe taktike, të përkohshme, afatgjata, por ka edhe – dhe gjithçka tregon se në këtë rast kemi të bëjmë me njërën prej tyre – kompromise të kalbura e të gabuara.

Rregulli numër shtatë: Nuk duhet t’i përziejmë kurrë çështjet për të justifikuar lëshimet e panevojshme. Partia Demokracia e Re, me pëlqimin e një pjese të SYRIZA-s, pretendon se kryeministri po përgatit “Prespën e Egjeut”. Pyes veten, nëse Prespa ishte një “tradhti”, si mundet kryeministri të ketë një synim të ngjashëm në marrëdhëniet greko-turke? Por le të supozojmë se kryeministri tani pranon që ajo e Prespës ishte një marrëveshje e shkëlqyer, siç shprehet ai në takimet e tij ndërkombëtare, a mund të jetë koha për ta zbatuar atë dhe marrëveshjet shoqëruese të saj? Më e rëndësishmja, është një fyerje ndaj Marrëveshjes së Prespës të sillet si shembull për të justifikuar përgatitjen e dobët të qeverisë për një kompromis të gabuar. Më lejoni të shpjegohem:

Së pari, Marrëveshja e Prespës krijoi të gjitha kushtet për t'i vënë një gur lapidar irredentizmit. Një gjë e tillë jo vetëm që nuk ndodh me “spostimin gjeopolitik a la Mitsotakis” të marrëdhënieve greko-turke, por po riprodhohet gjerësisht.

Së dyti, me Marrëveshjen e Prespës, Greqia mori përsipër të mbështesë dhe deri diku të kontrollojë dhe trajnojë mekanizmat mbrojtës të fqinjit. Përkundrazi, ajo që po përgatit kryeministri parashikon çarmatimin e një pjese të Greqisë me kërkesë të Turqisë.

Së treti, Maqedonia e Veriut si emër dhe status kushtetues erdhi përmes ndryshimeve të parashikuara në mënyrë të detyrueshme në Marrëveshjen e Prespës, në këmbim të lehtësimit të procesit të anëtarësimit të saj në BE. Pyetja është se çfarë saktësisht do të marrë Greqia nga Turqia? Kryeministri dhe stafi i tij argumentojnë se dërgimi i Turqisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë është një tërheqje nga ana e saj. Nuk është kështu, sidomos pa kushtet që unë kam vendosur. Për më tepër, ndryshe nga ajo që ndodhi me Maqedoninë e Veriut, qeveria e Demokracisë së Re pranoi riemërtimin e një pjese të madhe të Detit Egje si Turkagean…

Së fundi, ndërsa Greqia dhe Maqedonia e Veriut bënë kompromise reciproke të shëndetshme që sollën përfitime për të dyja palët, në atë që ka njoftuar kryeministri, përfitimet janë akumuluar kryesisht në mënyrë të njëanshme në Turqi.

Pyetja është pse po ndodh kjo? Ndoshta sepse disa njerëz në qeveri nuk i kuptojnë pasojat afatgjata për vendin dhe duan të kënaqin palët e treta? Ndoshta sepse disa po braktisin opsionin e anëtarësimit të barabartë në BE dhe po përgatiten të bëhen partneri i vogël i Turqisë? Apo, në fund, mund të jetë edhe për shkak se po u shërbehet disa interesave biznesi?

Burimi: Kathimerini

Përkthimi: ResPublica

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.