Pasardhësit e kaonëve në PD
![](https://www.respublica.al/sites/default/files/styles/large/public/2023/08/Ina-Zhupa_2023_08_05_20.jpg?itok=mN9IXb5H)
Në një deklaratë për mediat një zyrtare e Partisë Demokratike, krahu i Rithemelimit, Ina Zhupa, ka folur për gërmimet arkeologjike në Butrint. Ndër të tjera zonja në fjalë ka bërë këtë vërejtje:
Koncesioni i Butrintit sot është në Gjykatën Kushtetuese, por kjo nuk e ndalon koncensionarin AADF në formën e fondacionit, që të zgjedhë kush do të gërmojë dhe të vazhdojë me gërmimet në qytetin antik. Së fundmi, i përzgjedhur është David Hernandez. Për ata që ky emër nuk u thotë asgjë, dua t’ju njoftoj që ky është një studiues kubanez, dhe një nga autorët bazë që ka zgjedhur AADF, në planin e menaxhimit të Butrintit. Sigurisht edhe student i antishqiptarit me famë Richard Hodges, që si anëtar i bordit të drejtorëve, vazhdon me tezat e tij kundra shqiptareve.
Sipas Hernandezit, i cili gërmon në Butrint prej kohësh, në këtë qytet antik nuk ka asnjë gjurmë të popullatave lokale të njohura me emrin e kaonëve apo të prasaibëve. Pra sipas tij, nuk ka asnjë gjurmë të paraardhësve tanë.
Ai thotë se nuk është asgjë më shumë se një koloni greke ku çdo gjë ishte greke dhe e ardhur nga deti. I pyetur me të drejtë nga Mema mbi fatin e vendasve, Hernandes thotë se vendasit thjesht vinin dhe iknin me dele në një qytet tërësisht grek. Pra, ne jemi barinj dhe Butrinti është grek. E njëjta teori që përpiqet të vërtetojë e të lartësojë edhe Richard Hodges. Një e pavërtetë e madhe dhe qendrim antishqiptar pa asnjë evidencë historike.
A ka dëm më të madh se ky që mund t’i behet një vendi se sa Butrintin, pasuri botërore UNESCO, t’ia zhdukësh identitetin e paraardhësve tanë, t’i mohosh historinë, vlerat kulturore? Ky dëm nuk zhbëhet me shekuj nëse tjetërsohen gjetjet, prishen provat materiale, keqinterpretohen, manipulohet e vërteta. Ndaj konventa e Parisit ka detyruar shtetin palë të jetë përgjegjës, sepse duhet jetë përgjegjës për historinë e identitetin të vet, dhe jo fondacionet private me individë privatë me interesa meskine, në këtë rast antishqiptare
Që shpallet këtu pasardhëse e kaonëve në PD.
Ka një shprehje: hedh një budalla një gur në lumë, e 100 të mençur nuk e gjejnë dot. Në këtë rast për "Gurin e Hernandezit dhe Hodges antishqiptar" asnjë i mençur nuk u hodh ta gjente, por u hodhën 100 budallenj të PD-së. Me budallenj e kemi fjalën për një metaforë, pasi zonjat dhe zotërinjtë në fjalë, përfshi pasardhës të prasaibëve në Facebook, janë padiskutim të mençur mjaftueshëm sa për ta justifikuar genin ilir që me siguri e kanë.
Përtej kësaj, është e pabesueshme sesi një forcë politike katandiset në këtë derexhe. Me finokërinë karakteristike është zgjedhur një person si Zhupa, me zero kredenciale në këtë fushë, që të përsërisë nga selia e partisë së vet një status "polemik" të Auron Tares që luan prej kohësh me patologjinë e patriotit të shqetësuar.
Pse nuk zgjodhi një arkeolog kjo parti për të thënë kësi gjërash, që janë marrëzira? Cili interes, cili standard i vendos kërkimet mbi kritere kombësie? Pse nuk e kërkon komplotin antishqiptar edhe në Lin kjo zonjë, meqenëse me logjikën e mjerë që e përshkruan shqipen e tekstit të saj, do të dilte identiteti ynë edhe në palafitet e Linit.
Butrinti është zbulim arkologjik i të huajve dhe është i tillë jo nga rrëfenjat e paraardhësve të imagjinuar të z. Tare apo Ina Zhupës që për nga mbiemri është nga aty afër. Por për nga rrëfimet e atyre që ia bënë historinë atij vendi, në mos edhe ia shpikën, duke frymëzuar mandej arkeologë. Cila mendje e sëmurë e kërkon komplotin ndaj kulturës dhe identitetit te rrënojat e Butrintit, që është dokumentuar në përgjithësi se çfarë përfaqëson dhe cilat janë etapat e tij të zhvillimit?
Me çfarë përfaqësohet në Butrint, rrënojat e atyshme identiteti dhe kultura materiale shqiptare që të mund të ngrihet një komplot i këtillë për ta zhbërë atë? Lufta me mullinjtë e erës që bëhet këtu tradhëton një tezë që as pranohet më si e qëndrueshme derisa nuk është provuar: praninë kulturore ilire në Butrint, elementë të dallueshëm të fiseve epirote aty për të mundur sadopak ta barabarizojmë Epirin që të mund ta bëjmë tonin. E duke e barbarizuar me fjalët e helenëve ne e shpallim ilir. Më tutje çdo gjë është e qartë: ne dihet që vijmë nga ilirët dhe ja Butrinti është i yni. Që duhet të gërmohet nga “arkeologët tanë të mrekullueshëm”.
Do vijë një ditë që këto marrëzira province do tentohet të harrohen e fshihen, por ato në të vërtetë duhen ruajtur si pasuria më e madhe sepse nuk ka mënyrë më origjinale dhe autentike për ta dokumentuar një kohë sesa lista e gjatë e pasthirrmës ilire në katalogun e kopjuar të intelektualëve si këta.
s.zaimi
Comments
Zonjen mund ta perkufizoj si
Zonjen mund ta perkufizoj si gjithologe te riciklueshme ne tentative per te krijuar nje profil politik. U promovua si zedhenese e PD nga Lulzim Basha e me pas si drejtuese per zgjedhjet ne jug ku spikati per autoritarizem. Sot pa iu dridhur qerpiku, e ricikluar si foltoriste, mbron cdo kauze per te cilen edhe pse nuk ka asnje kompetence apo eksperience sillet si gjithologe, duke e bere ate nje figure qesharake. Vetem nje akademik megalloman si Artan Fuga mund ti thure elozhe nje figure te tille.
Kam pershtypjen se zoti Zaimi
Kam pershtypjen se zoti Zaimi nuk eshte ne dijeni te reagimeve te Neritan Cekes, nje personalitet ne kete fushe, por edhe te Apollon Baces ne lidhje me ceshtjen ne fjale.
Reagimi nga ana e PD-se eshte brenda normalitetit politik. Kemi te bejme me nje afere tashme te diskretituar si korruptive, ku jane perfshire edhe ndoca figura te konsideruar te respektuar te huaja. E para kjo. E dyta, reagimi politik eshte korrekt, sepse vete keto personalitete te huaja te trashegimise, qe jane caktuar te mbiqkyrin kete sit te trashegimise, e kane bere politike ate, duke bere deklarata te patakta, te pafalshme keto per studiuesit apo shkencetaret serioze. Ne raste te tilla, te diturit e vertete, vetepermbahen.
Ajo qe di une, bie fjala, eshte qe "Butrinti" eshte nje kulture greko-latine; te gjitha shenjat flasin per kete. Por, ajo qe nuk di eshte nese popullsia qe e perconte kete kulture aty ishte vendase, greke, latine apo e perzier. Besoj se nje gje te tille, askush nuk e di, edhe ata qe jane thinjur duke e u marre me kete pune. Nje gje tjeter qe di une, eshte se gjithe territori ku shtrihet Butrinti eshte pjese e nje territori shume me te gjere, qe perfshin edhe veriperendimin e Greqise se sotme, dhe per te cilet historianet e lashte greke, ata qe krejt bota i konsideron si baballaret e historise, i kane quajtur territore BARBARE, jo-greke. Ne keto rrethana, une si shqiptar them qe Butrinti ishte veper e vendasve , ndikuar nga kultura greko-latine, dhe e banuar prej tyre. Nje grek, mund te thote te kunderten, dhe e mirekuptoj. Por, kur del nje studiues, me aureolen e personalitetit, dhe me flet si Spartak Ngjela, duke i rene gjese me sepate se kjo gje eshte keshtu, nuk eshte ashtu, une i jap te drejte zonjes politikane ne reagimin e saj.
Doli edhe i mencuri tjeter, i
Doli edhe i mencuri tjeter, i zbritur ne Tirane nga Dukagjini apo Mirdita dhe midis banoreve vendas apo grekerve futi edhe Latinet.
Rrofte interneti qe i ben te gjithe dijetare, historiane e filozofe. Te gjithe ushqehen me recetat e Artan Fuges qe eshte kthyer ne bushter qe leh e mban ne goje duker perfolur gjithshka.
Zoteri, une kam zbritur nga
Zoteri, une kam zbritur nga malesite e Lumes. Latinet, ashtu si edhe greket, hyjne qe cke me te ne Butrint. I gjithe bregdeti adriatiko-jonian, ka ndikimin e tij greko-latin; nuk ben perjashtim Butrinti. Si kulture padyshim, por edhe si popullsi, logjikisht. Nuk duhet mencuri e madhe per ta kuptuar kete. Ja shikojini kolonite e vendeve perendimore anekend botes; ku ka ndikim te kultures angleze, spanjolle, franceze etj, aty patjeter qe ka edhe angleze, franceze spanjolle e keshtu me radhe. Aq me shume kur shqiptaret, nuk jane si keta popuj, por kane qene perhere shume prane dhe ne mes qyteterimeve te medha, dhe kane ndervepruar me to.
Sa per Artan Fugen, nuk shkoj aq larg sa ta fyej si ju, por mund te them se nuk me pelqen aspak menyra sesi i prezantohet publikut. Nje njeri, me te vertete i urte, do te fliste shume pak dhe do te jepte keshilla edhe me pak. Fuga ben te kunderten.
Add new comment