Politika si privilegj për t’u shërbyer njerëzve 

Postuar në 01 Gusht, 2023 21:18
Jurgis Çyrbja*

 

Politika përkufizohet si arti i qeverisjes, sfera e shpalosjes dhe zbatimit të ideve, mjeti për sigurimin e mirëqenies dhe funksionimin sa më efikas të të gjithë sektorëve të jetës së komunitetit e mbarë vendit. 

Por, mbi të gjitha, politika është një privilegj për t’u shërbyer njerëzve.  E një mision i tillë kaq fisnik ka qenë shtysa ime, qysh në krye të herës, për t’u përfshirë në politikë, gjithmonë krenar dhe përulësisht i nderuar për të shërbyer si zëri i komunitetit që përfaqësoj në Kuvendin e Shqipërisë, duke kontribuar me të gjithë aftësitë dhe idetë e mia për më shumë progres, duke punuar me përkushtim jo vetëm në legjislativ por edhe për rritjen e standardeve të jetesës së familjeve të thjeshta. 

Politika është një mjet transformues. Teksa kam ndjekur nga afër shqetësimet e njerëzve, nevojat e komunitetit për përmirësim në infrastrukturë apo zhvillim në zona dikur të harruara, apo në ndërtimin e shkollave e kopshteve, si në rastin e shkollës "Zyber Sallaku" në Kuçok të Manzës te e cila brenda pak javësh do të rifillojnë mësimin 263 nxënës në një godinë të rikonstruktuar dhe të zgjeruar, ku janë hedhur edhe themelet e një kopshti të ri, në të cilin ky komunitet i vogël prej 400 familjesh, do të kenë mundësinë të çojnë fëmijët e tyre në një kopësht me standard bashkëkohor, si edhe ndërtimi i një moli peshkimi në Njësinë Administrative Ishëm, për t’u ardhur në ndihmë peshkatarëve të zonës, shtrimi i shumë akseve rrugore, etj, forca transformuese e një politike të mirë ndihet edhe më shumë e të nxit për të shërbyer edhe më tej e për ta zgjeruar transformimin e jetës së komunitetit në çdo sektor.  

Politika është edhe përgjegjësi. Bizneset e vogla dhe ato familjare po lulëzojnë sepse shqiptarët janë duarartë dhe punëtorë e falë politikave mbështetëse fiskale të qeverisë po ndikojnë ndjeshëm në zhvillimin ekonomik lokal ndaj edhe konsultimi dhe bashkëbisedimi im i përjavshëm me ta është detyrim dhe nxitje, pasi përgjegjësia zgjerohet edhe më gjerë në lidhje me promovimin e produkteve vendase, përfaqësimin dinjitoz që shumë kompani të qarkut tonë po arrijnë në tregun ndërkombëtar, provominin në turizmin e zonës, punësimin e të rinjve, dhe rritjen e mirëqenies për familjet. Kësisoj privilegji dhe përgjegjësia e politikës janë të pandara e në themel kanë shërbimin ndaj njerëzve. 

Politika është edhe pasion që duhet të burojë nga zemra. Të duash njerëzit, të kujdesesh për nevojat e tyre, t’u qëndrosh në krah në përballjen me sfidat dhe nevojat e tyre dhe të komunitetit është motivim i lartë njerëzor e politik që të shtyn të shërbesh më shumë e të ecësh gjithmonë përpara. 

Përpara, vetëm përpara, pa e kthyer më kokën pas, që është edhe parimi i qeverisë shqiptare, pasi njerëzit dhe familjet e thjeshta, në qarkun e Durrësit e në mbarë Shqiperinë, meritojnë një të ardhme gjithnjë e më të mirë e më të begatë.  

Kjo është arsyeja që politika është e rëndësishme, idetë kanë rëndësi, demokracia ka rëndësi, sepse të gjithë ne jemi të thirrur të sjellim ndryshimin e vazhdueshëm te komuniteti dhe vendi ynë.

*Deputet i Qarkut Durrës, PS 

Comments

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.