Sa të mirë janë këta socialistët!

Postuar në 26 Korrik, 2023 18:38

Top-Channel, televizion kombëtar, ka postuar 31 foto nga parada e socialistëve në hyrje në mbledhjen e Asamblesë së partisë.

Është një si lloj zakoni i vjetër që takimet e Partisë Socialiste fotografohen në hollësi dhe njerëz të saj të drejtimit shfaqen nën aurën e një mode elitare që reflekton mirëqenie, stil, pushtet, vanitet, arrogancë – personale dhe të tufës që nuk çahet, si dhe luks. Me tepri madje. Se edhe u shkon, nuk ke çfarë thua! Kujt shqiptari tjetër mund t'i shkojë?!

Fotot që përcillen me komente apo që janë në kënde që sugjerojnë komentin politik, janë edhe propozime për të kuptuar koniunkturën që sa provokohet nga subjektet e partisë, aq edhe imagjinohen nga një lloj gazetarie paçavure që e kërkon “lajmin” politik si puna e zagarit: aty ku ia hedhin kockën. Ta zëmë me kë hyri kryeministri, kë përshëndeti me zë të lartë, kujt i qeshi, çfarë ka veshur, eci vetëm apo me të tjerë?!

Kush është ylli i momenti? Taulant Ballën e shoqëron duke qeshur – po sigurisht duke qeshur në mënyrë politiko-profesionale ministrja Kumbaro, pastaj ministri i Drejtësisë, socialistë që përqafohen e kështu me radhë. 31 foto për një mbledhje partie nga një televizion kombëtar, mbledhje që mbahet me dyer të mbyllura. 31 foto për parinë, që ka lezet ta shohësh. Lum ata që i shohin nga afër, Shalsin, Margaritin, Veliajn, Gjiknurin, Ballukun. Më me fat janë ata të cilëve u flet Edi, u shkel syrin. U jep të njohur se "i njeh si gazetarë". I quan për të gjallë. 

Nuk është kjo fatkeqësia apo zori. Është dëshira dhe bindja profesionale e shumëkujt se "ky është lajmi”, se këto detaje bëjnë diferencën, se këto klikohen, se këto shihen. E kështu me radhë, në një rishpërfaqeje të komplekseve të inferioritetit të një gazetarie që qëndron pas dere përjetësisht duke mbajtur shqisat gati për skupin dhe duke investuar në njohjet personale.

Ndërkohë që tema e mbledhjes, se çfarë do të ndodhë, pse do të ndodhë e kështu me radhë, janë në fund. Në fund fare. Edhe atëherë me burime dhe foljet magjike: Thuhet se, pritet të…

s.zaimi

Comments

Submitted by Asterisk (not verified) on

Ndërkohë që tema e mbledhjes, se çfarë do të ndodhë, pse do të ndodhë e kështu me radhë, janë në fund. Në fund fare. Edhe atëherë me burime dhe foljet magjike: Thuhet se, pritet të…

- Shume e drejte kjo qe shkruan. Por fatkeqesisht keto qe thua ti une i kam pare dhe ne dhenien e nje kronike nga ndonje varrim i ndonje qyqari/qyqareje qe ka patur fatin e keq te linde e te vdese ne ate vend. Media e prishur dhe pa rregula ku lajmi po nuk qe prodhohet. Jam shume i sigurt qe ndonje nga keto (foto)reporteret do hidhet para ndonje makine ndonje dite kur nuk do te kete lajme me mbledhje kryesish, thjesht per te pasur ekskluzivitetin e lajmit ... nga burime te sigurta...

Submitted by Leonardo Di Cap... (not verified) on

Te Panorama ka nje rubrike qe quhet paparazzi e cila nxjerr foto gjasme pa mendje te vipave te ketij vendi dhe ku mbi 90% e ketyre fotove jane politikane. Ne te gjithe boten keto lloj rubrikash jane te mbushura me fotot artisteve e sportisteve dhe vetem nje perqindje e vogel mund ti rezervohet politikaneve, pasi ky lloj 'informacion' kete natyre ka. Jetojme ne nje republike tipike lindore, se vetem ne keto vende adhurohet pushtetari ne cdo qelize.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.