J. Robert Oppenheimer, “babai i bombës atomike” dhe i parandalimit bërthamor!

Postuar në 26 Korrik, 2023 19:46

Shkrimi i mëposhtëm është publikuar në Buletinin e Shkencëtarëve Atomikë, në vazhdën e debateve që ka provokuar filmi i Chritopher Nolan, “Oppenheimer”, që trajton pëmes biografisë së shkencëtarit në fjalë, krijimin e bombës atomike. Është roli i shkencëtarit dhe administratorit, përgjegjësia mes të dyjave dhe sidomos vendimi për ta përdorur bombën, si të vetmen mënyrë për të detyruar politikën të vendosë kontrollin ndërkombëtar mbi energjinë atomike. 

Autorja japoneze i përmbahet kësaj qasjeje duke mos absolutizuar aktin e hedhjes së bombës mbi Hiroshima, por duke e parë Oppenheimer në dritën e nje vizioni për kontrollin dhe sigurinë globale, vizion që kishte si faturë 6 gushtin e vitt 1945. Është një debat i hapur dhe pa përgjigje fituese, por deri më tani, teza se kontrolli erdhi pas bombës i jep të drejtë Oppenheimer. Filmi nga ana e vet është një arritje më vete, që nuk ka heronj të vërtetë, veç aktorëve dhe regjizorit. 

***

Shiho Nakazawa

Ka disa pikëpamje të ndryshme rreth Oppenheimer në Japoni. Disa mund të jenë të interesuar për arritjet e tij shkencore si fizikan teorik, ndërsa të tjerë mund ta konsiderojnë atë si viktimë të të këqijave të mekartizmit*. Politologët mund të thonë se nuk mund ta injorojnë planin e tij të parealizuar për kontrollin ndërkombëtar të energjisë atomike ose të pyesin pse "babai i bombës atomike" ishte kundër zhvillimit të bombës me hidrogjen. Por pothuajse të gjithë japonezët që e dinë për Oppenheimer, e kujtojnë emrin e tij çdo verë, veçanërisht në ditët e përkujtimit të Hiroshimës dhe Nagasakit.

Rrjedhimisht, unë nuk mund të jap një panoramë të gjerë për atë sesi e shohin Oppenheimer-in në mbarë Japoninë.

Por si studiuese e politikës ndërkombëtare, unë mund të jap këndvështrimin tim personal, të kufizuar për J. Robert Oppenheimer - për të cilin shkrova një libër në vitin 1995. Ai ishte njëkohësisht shkencëtar dhe administrator në një epokë të rëndësishme, domethënë, ditët më të hershme të epokës atomike.

Në këtë ese, do të fokusohem në qëndrimin e tij ndaj politikës amerikane në lidhje me armët bërthamore, dhe do ta krahasoj atë me fizikanët e tjerë në të njëjtën epokë, të cilët gjithashtu u përpoqën ta largonin botën (herë me sukses e herë jo) nga një garë e armëve bërthamore. Unë do t'i krahasoj përpjekjet e Oppenheimer në këtë arenë me ato të Niels Bohr dhe Leo Szilard, përkatësisht, dhe më pas do t'i krahasoj të gjitha me luftëtarin e Luftës së Ftohtë, Edward Teller.

Së pari, megjithatë, na duhet të dimë paraprakisht rolin e shkencëtarëve dhe politikëbërjen në ditët e para të zhvillimit bërthamor.

Shkencëtarët dhe politikëbërja

Kur u zbulua ndarja bërthamore në vitin 1938, kërkimi dhe zhvillimi i energjisë atomike ishte pothuajse plotësisht në duart e shkencëtarëve. Kjo vijoi njësoj në vitet e para; kur Presidenti Roosevelt ngriti një grup ekspertësh në fushat e shkencës, ekonomisë dhe ushtrisë për të shqyrtuar mundësinë e një arme bërthamore në 1939 (i njohur si Komiteti Këshillimor për Uraniumin), shkencëtarët në bordin e të cilit - si Leo Szilard , Eugene Wigner dhe Edward Teller – e morën menjëherë iniciativën. Që nga ai moment, kërkimi dhe zhvillimi bërthamor u zgjerua nën kontrollin e organizatave të tilla si Komiteti i Kërkimeve të Mbrojtjes Kombëtare dhe Zyra e Kërkimit dhe Zhvillimit Shkencor, të cilat mbikëqyreshin nga shkencëtarë dhe inxhinierë si Vannevar Bush dhe James Conant.

Por kur ai që njihej në atë kohë si Departamenti i Luftës i SHBA-së (tani Departamenti i Mbrojtjes) më në fund mori përgjegjësinë për ndërtimin aktual të bombave atomike, u ndërtua një sistem i rreptë i ndarë dhe rolet e shkencëtarëve ndryshuan në mënyrë dramatike. Shkencëtarët që kishin luajtur role udhëheqëse në kërkimin dhe zhvillimin bërthamor duhej të hiqnin dorë nga të qenit thjesht një element i ingranazhit. Edhe Bush dhe Conant - të cilët mbikëqyrën projekte të shumta jetike kërkimore të kohës së luftës, duke përfshirë Projektin Manhattan - e gjetën veten duke këshilluar politikëbërësit kryesorë në vend që të vendosnin se si do të përdoreshin në fund të fundit këto zhvillime të reja shkencore.

Pozicioni i Oppenheimer mund të shihet si i ngjashëm me atë të Bush dhe Conant. Megjithatë, gjatë periudhës ndërmjet fundit të Luftës së Dytë Botërore dhe 1954, kur u privua nga pozita e tij publike, ai kishte shumë më tepër ndikim se shkencëtarët e tjerë. Ai u cilësua si hero në lajmet e kohës dhe në shtypin e shkruar,  një platformë publike shumë me ndikim. Oppenheimer ishte lider në më shumë se 35 organizata, të tilla si komitetet thelbësore të qeverisë, këshillat, projektet kërkimore, e kështu me radhë.

Për më tepër, ai pranoi më shumë se 120 ftesa për paraqitje në TV, radio dhe leksione. Gjatë kësaj periudhe, Oppenheimer mund të ketë qenë njeriu më i famshëm në Amerikë. I vetëdijshëm për platformën e tij publike dhe fuqinë e tij si "influenceri" i fundit - nëse përdorim gjuhën e sotme - Oppenheimer u përpoq të merrte pjesë në proceset vendimmarrëse për politikën bërthamore. Ai inkurajoi personelin qeveritar që të kuptonte natyrën e dyfishtë të energjisë atomike, duke e quajtur atë njëkohësisht "rrezik" dhe "shpresë". Ai u përpoq të formulonte një politikë për ta kthyer rrezikun në shpresë; Plani Acheson-Lilienthal për shmangien e garës së armëve bërthamore është shembulli kryesor. Drafti i këtij plani të parë amerikan për kontrollin ndërkombëtar të energjisë atomike lindi nga ideja e tij.

Është shumë e mundur që Oppenheimer të ketë mësuar nga përpjekjet e Niels Bohr-it dhe ato të grupit të shkencëtarëve të Çikagos (i cili mblodhi atë që u bë i njohur si Raporti i Frankut që argumentonte kundër përdorimit të armëve bërthamore dy muaj para bombardimit atomik të Japonisë) për idenë e përgjitshme të kontrollit ndërkombëtar të armëve atomike dhe energjisë. Por plani i Oppenheimer ishte një propozim i plotë dhe i menduar politikash për zbatim. Me fjalë të tjera, plani i tij nuk ishte një prezantim idealist për të cilin ai akuzohet ndonjëherë, por një sugjerim praktik.

Oppenheimer dhe Bohr

Për Oppenheimer, Bohr nuk ishte thjesht një pionier i madh në teorinë kuantike, ai ishte si një baba që e ndihmoi dhe inkurajoi gjatë jetës së tij studentore në Evropë. (Sipas Prometheut Amerikan – një biografi magjistrale e Oppenheimer-it – një mik i Oppenheimer-it njëherë tha se “Niels Bohr ishte Zoti dhe Oppie ishte profeti i tij.) Bohr e organizoi laboratorin e tij në Kopenhagen si një lloj institucioni kërkimor ndërkombëtar ku u mblodhën shumë shkencëtarë me prejardhje të ndryshme.

Bohr e njohu natyrën e energjisë atomike më herët se kushdo tjetër dhe idetë e tij formuan bazën e planit të Oppenheimer për kontrollin ndërkombëtar të energjisë atomike. Për shembull, të dy shkencëtarët këmbëngulën sa rëndësi kishte të siguronin besimin ndërkombëtar duke ofruar akses të hapur në informacionin bazë në këtë fushë dhe të shmangnin garën fatale të armëve duke krijuar një agjenci ndërkombëtare që do të kontrollonte materialet bërthamore.

Por në të njëjtën kohë, midis tyre kishte dallime serioze. Bohr u përpoq të ngrinte kontrollin ndërkombëtar të energjisë atomike përpara se të bëheshin bomba atomike, por Oppenheimer nuk mundi ta propozonte planin para hedhjes së bombave. Unë nuk kam ndërmend ta dënoj Oppenheimer-in për këtë, sepse e di që ai mori përgjegjësinë për përfundimin (dhe për rrjedhojë përdorimin) e bombave atomike si kreu i Laboratorit Shkencor të Los Alamos. Megjithatë, nuk mund të heq nga mendja se pika më e dobët e planit të Oppenheimer për kontrollin ndërkombëtar të energjisë atomike mund të jetë ky moment i veçantë në histori. Mendoj se pas përdorimit të armëve shkatërruese, pa e zbuluar paraprakisht natyrën e tyre, ishte shumë e vështirë të fitoje bashkëpunimin e vendeve të tjera, veçanërisht BRSS-së.

Unë dua të ndalem te një ndryshim tjetër midis Bohr dhe Oppenheimer. Ndërsa Bohr ishte autoriteti në botën akademike; në Projektin Manhattan, ai ishte vetëm një këshilltar më shumë. Bohr nuk ishte në qendër të asnjë organizate të Projektit. Pra, kur Bohr donte të paraqiste planin e tij për kontrollin ndërkombëtar të energjisë atomike, ai duhej t'i afrohej direkt kryeministrit Churchill dhe Presidentit Roosevelt. Edhe pse ai apel i drejtpërdrejtë rezultoi dështim i plotë, ne nuk duhet të harrojmë idenë universale të Bohr-it.

Ndërsa sa i përket Oppenheimer-it, ai ishte një figurë qendrore gjatë luftës në administrimin e politikës bërthamore amerikane dhe vijoi ta luante këtë rol kritik deri rreth vitit 1954, kur u mbajtën seancat e sajuara të sigurisë që sollën rrëzimin e tij. Arsyeja pse Plani Acheson-Lilienthal u përqendrua më shumë në bashkëpunim sesa plani zyrtar i SHBA-së për kontrollin ndërkombëtar të energjisë atomike (Plani Baruch, i cili u karakterizua nga shprehjet e tij armiqësore) ishte se Oppenenheimer kuptoi se ai mund të dërgohej në një negociatë ndërkombëtare si përfaqësues i SHBA-ve.

Është e lehtë të jesh cinik dhe të thuash se një negocim i tillë ishte i pamundur sepse Lufta e Ftohtë kishte filluar tashmë. Por unë mendoj se duhet të kemi parasysh se si një nga shkencëtarët kryesorë që hapi derën e epokës atomike, Oppenheimer vërtet u përpoq ta shndërronte "rrezikun" në "shpresë".

Oppenheimer dhe Szilard

Megjithëse Oppenheimer dhe Szilard morën pjesë në Projektin Manhattan dhe e kuptuan domosdoshmërinë e kontrollit ndërkombëtar të energjisë atomike, ata vepruan në mënyra të ndryshme. Disa nga ndryshimet ngjajnë me ato që ekzistonin midis Oppenheimer dhe Bohr. Por kishte një ndryshim shumë më të habitshëm midis Oppenheimer dhe Szilard: ndryshimi në qëndrimin ndaj përdorimit të bombave atomike.

Oppenheimer e mbështeti idenë e hedhjes së bombave atomike në qytetet e mëdha pa paralajmërim.

Szilard ishte kundër përdorimit të bombave atomike dhe shpërndau një peticion mbi këtë çështje midis grupit të shkencëtarëve të Çikagos. Ai gjithashtu i kërkoi Teller-it të bënte të njëjtën gjë në Laboratorin e Los Alamos, gjë që u ndalua nga Oppenheimer.

Dihet në mesin e historianëve se Szilard ishte autori i vërtetë i "letrës së Ajnshtajnit" drejtuar FDR, e cila filloi zhvillimin e bombës atomike në Shtetet e Bashkuara. Duke njohur terrorin e situatës që do të shkaktohej nëse bombën atomike do ta prodhonte i pari Hitleri, Szilard zgjoi me sukses interesin e qeverisë së Shteteve të Bashkuara. Qëllimi i tij ishte ta bënte Amerikën lider të epokës atomike dhe të pengonte Hitlerin ta shtinte në dorë këtë armë. Kështu, pas dorëzimit të Gjermanisë në maj 1945 dhe largimit të rrezikut, Szilard pyeti veten pse ata duhet të vazhdonin të zhvillonin bomba atomike, dhe ai filloi përsëri avokimin për pozicionin e tij.

Szilard u bë një nga anëtarët që hartuan "Raportin e Frankut", i cili propozoi domosdoshmërinë e negociatave të hershme me BRSS dhe paraqiti planin për kontrollin ndërkombëtar të energjisë atomike. Për të arritur kontrollin ndërkombëtar në të ardhmen, Raporti i Franck arriti në përfundimin se nuk duheshin përdorur bombat atomike kundër Japonisë, sepse një përdorim i tillë do të bëhej pengesë për çdo ndjenjë besimi dhe bashkëpunimi ndërkombëtar që do të ishte thelbësor për kontrollin ndërkombëtar. Raporti i Franck-i cili iu drejtua Sekretarit të Luftës së SHBA-së Henry Stimson- nuk iu dorëzua Sekretarit. Pra, Szilard kaloi në veprime më të drejtpërdrejta siç është peticioni i përmendur më sipër.

Disa japonezë e vlerësojnë kundërshtimin e Szilardit ndaj përdorimit të bombës. Por pyes veten nëse vetë Szilard mendonte vërtet se mund të ndryshonte vendimin e qeverisë për të përdorur bombat atomike. Nuk dua të nënkuptoj se ai ishte hipokrit; parafytyroj se qëllimi i tij i vërtetë ishte të tregonte qartë përgjegjësinë e një shkencëtari që mori pjesë në zhvillimin e kësaj arme të tmerrshme.

Pas luftës, Oppenheimer tha: "Ndiej se kam gjak në duart e mia". Nuk mendoj se kjo ishte vetëm një shprehje e njëhershme: Oppenheimer duhet të ketë ndier keqardhje kur e tha këtë. Por një keqardhje e tillë ishte e ndryshme nga qëndrimi i Szilard, i cili jo vetëm që nuk e njohu përgjegjësinë morale, por njëkohësisht vuri në dyshim përdorimin e bombave atomike shumë kohë përpara Hiroshimës dhe Nagasakit. Oppenheimer, si një nga anëtarët e Panelit Shkencor të Komitetit të Përkohshëm (i cili diskutoi shumë gjëra të rëndësishme për zhvillimin e luftës dhe përdorimin e mundshëm të bombave atomike) shprehu qartë mendimin e tij se bomba duhej të përdorej kundër Japonisë sa më shpejt të ishte e mundur. Si drejtues i Laboratorit të Los Alamos - i cili ndërmori procesin përfundimtar të zhvillimit të bombave atomike - ai nuk mundi të mohonte përdorimin e armës së re.

Siç përmendëm më herët, Raporti i Franck përfundimisht nuk u lexua nga Sekretari Stimson. Në vend që të lexohej, ai raport iu dorëzua Panelit Shkencor. Oppenheimer i shkroi Stimson-it për Raportin e Frankut në mënyrë indirekte rreth dy javë pas konferencës më të rëndësishme të Komitetit të Përkohshëm (31 maj 1945), duke thënë se "mendimet e kolegëve shkencëtarë për përdorimin e armëve nuk janë unanime". Ai e përmblodhi Raportin si "një propozim të një demonstrimi thjesht teknik" - që me gjasa do të thotë se duhet të hulumtohet një përpjekje për të hedhur një bombë bërthamore në një zonë të izoluar dhe të papopulluar për të treguar se çfarë mund të bëjë kjo armë e re - në vend që të shpjegonte argumentet e tij pro dhe kundër një qasjeje të tillë. Siç e përmenda, Raporti rekomandonte fuqishëm që të kishte një dialog me BRSS përpara përdorimit të bombave atomike dhe këmbëngulte se vendosja e kontrollit ndërkombëtar të energjisë atomike do të ishte mënyra e vetme për të shmangur garën e armëve.

Një "demostrim teknik" u propozua si vetëm një nga alternativat ndaj përdorimit ushtarak, gjë që nuk ishte qartazi pika kryesore e Raportit. E kam të pamundur të mos mendoj se Oppenheimer qëllimisht nuk e mori në konsideratë ose nuk e qarkulloi Raportin e Frankut përpara përfundimit të luftës.

Oppenheimer dhe Teller

Mënyra më e lehtë për t'i krahasuar këta dy shkencëtarë mund të gjendet në shprehjet: "babai i bombës atomike" dhe "babai i bombës me hidrogjen". Por kërkohet një analizë më e thellë.

Për Teller-in, një hungarez i lindur, i cili u arratis para pushtimit nga nazistët, vetëm për të parë në fund hyrjen e Ushtrisë së Kuqe të Stalinit - kërcënimi që do të përbënte pasja nën notërim e bombave atomike nga Hitleri apo nga BRSS ishin në thelb të njëjta. Prandaj, kur filloi Lufta e Ftohtë, ai vendosi të ndiqte pa hezitim zhvillimin e bombave me hidrogjen. Dhe ndjesia se u trajtua keq në Projektin Manhattan, dukej se ishte një motiv tjetër për Tellerin për zhvillimin e një arme të re.

Edhe Oppenheimer mund ta njihte situatën e rëndë të Luftës së Ftohtë dhe ndjeu seriozisht se marrëdhëniet SHBA-BRSS po përkeqësoheshin. Por kërcënimi që ndjeu nuk ishte i njëjtë me atë të Tellerit. Për Oppenheimer-in, gara e pafundme e armatimeve që do të përshpejtohej nga bomba me hidrogjen ishte kërcënimi i vërtetë.

Në atë kohë, Oppenheimer mund të ndante të njëjtën frikë që Bohr dhe Szilard duhej të kishin ndier. Nuk mendoj se ky kërcënim ishte arsyeja e vetme, por ishte më e madhja pse Oppenheimer kundërshtoi zhvillimin e bombës me hidrogjen.

Më duket shumë mbresëlënës artikulli me të cilin Oppenheimer kontribuoi në Foreign Affairs në korrik të 1953, i quajtur “Armët atomike dhe politika amerikane”; Më duket se ky artikull tregon se si Oppenheimer arriti në konkluzionin e tij përfundimtar pas ditëve të gjata dhe të vështira të luftës. Në të, Oppenheimer vuri në dukje së pari vështirësitë e negociatave me Bashkimin Sovjetik dhe tha se në një situatë kaq serioze, politika bërthamore amerikane u bë "mjaft e thjeshtë" - se mund të kishte vetëm një politikë "le të vazhdojmë përpara". Tani e tutje,

dy Fuqitë e Mëdha do të jenë secila në gjendje t'i japin fund qytetërimit dhe jetës së tjetrës, por jo pa rrezikuar të vetën. Ne mund të krahasohemi me dy akrepa në një shishe, secili i aftë të vrasë tjetrin, por vetëm duke rrezikuar jetën e tij

Propozimi që Oppenheimer paraqiti për të shmangur situatën e "dy akrepave në një shishe" ishte i ngjashëm me atë të Bohr-it ose të Raportit të Frankut. Për mua, kjo ngjashmëri është pikërisht situata që mbetet e vërtetë edhe sot.

* McCarthyism-i ishte shtypja dhe persekutimi politik i individëve të krahut të majtë dhe një fushatë që përhapte frikën e ndikimit të supozuar komunist dhe sovjetik në institucionet amerikane dhe të spiunazhit sovjetik në Shtetet e Bashkuara gjatë fundit të viteve 1940 deri në vitet 1950.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.