Për 700 mijë €, sistemi politik del jashtë loje. Për dhjetëra miliona, mjafton një monolog!

Postuar në 24 Korrik, 2023 17:43

Në vitin tanimë të largët 2011 në televizionin Top-Channel paraqiti në transmetim atë që tashmë njihet si video Meta-Prifti. Video u transmetua më 11 janar dhe në një hapësirë kohe prej vetëm 10 ditësh, opozita e asokohe, e drejtuar nga Partia Socialiste vuri në veprim një skenar ekstrapolitik për t’i imponuar qeverisë së Sali Berishës rrëzimin nga pushteti. 

Video e mëposhtme është përgatitur në atë kohë ilustron se në prapavijë të videos Meta-Prifti u organizua një skenar që mund ta mbajmë me titullin e përcjellë nga Edi Rama: Zgjidhja e Re Politike.

Përfundimi: 4 të vdekur në bulevard dhe një çështje që mbetet ende pa zgjidhje ligjore. Dhe jo të vdekur dosido, por të paralajmëruar si të tillë. Ka patur mes PS-së njerëz që kanë deklaruar se të vdekurit ishin paradhënie, dihej se të tillë do të kishte.

Më 24 janar të atij viti, pra vetëm 3 ditë më pas, prokuroria regjistroi procedimin penal për akuzën e korrupsionit të zyrtarit të lartë dhe korrupsion pasiv të zyrtarit të lartë dhe më 11 shkurt u dërgua kërkesa për heqje imuniteti. Ilir Meta u largua nga detyra e zv.kryeministrit në janar të vitit 2011 për t’u rikthyer në pushtet me aleancën strategjike me PS-në.

Kjo ngjarje meriton të risillet në vëmendje për ta vënë në krahasim me arratisjen e tanishme të ish-zv.kryministrit Ahmetaj që sot u shpall në kërkim ndërkombëtar. Por edhe për të kujtuar regjistrin demagogjik dhe konfliktual të z. Rama në atë kohë, që kishte me vete edhe përgjegjësinë për t’u përballur njëherë me forcë me Sali Berishën që e frustronte përherë.

Sot opozita është e vdekur, sot drejtësia kërkon arrestimin e z. Ahmetaj dhe sot z. Rama ka bërë monologun e vet për të na thënë se unë e kreva detyrën time.

Është cinike ndoshta por protesta e 21 janarit në atë kohë, me 4 të vrarë, u motivua nga një 700 mijë eurosh për të cilën diskutonte Ilir Meta me Dritan Priftin. Një shumë të cilën sot me aferën e inceneratorëve e ka marrë vetëm një grup prej 2 apo 3 gazetarësh, nëse do t’u besojmë raportimeve të ndryshme.

SI vallë kur Ilir Meta zv.kryeministër kapet në video(kujtoni që Edi Rama thotë se përgjimet nuk janë provë) kërkohet një Zgjidhje e Re, sistemi politik del jashtë loje, kurse ku ministrat e PS-së vjedhin radhë, apo kapen nën akuzë njëri pas tjetrit, kemi të bëjmë me përgjegjësi personale?

Do të mjaftonte vetëm kjo pasqyrë, e sjelljes së PS-së në opozitë në vitin 2011 për të marrë përgjegjësinë e dorëheqjes së kryeministrit si model të cilin ai vetë e inauguroi dikur. Nga ana tjetër relacionet feudale që funksionojnë sot në atë parti, nuk kanë më asnjë lidhje me partinë e dikurshme që bënte qarkullim dhe rinovime titullarësh pas debatesh dhe diskutimesh. Ikja e një ministri ishte çështje publike, sot ardhja e një ministri të ri thjesht bëhet publike duke u konsideruar punë personale e kryeministrit.

Është fatkeqësi kur sheh se dy reagime kaq të kundërta për ngjarje kaq të ngjashme tregojnë sa dorëzimin e shoqërisë, implikimin e opozitës, aq edhe rënien në pikiatë të çdo morali qeverisës nga një e ashtuquajtur e majtë progresiste. Mbrojtja me manovra e korrupsionit është sjellje kriminale, sikundër do vënë në dukje se një shpjegim për gjendjen e çmobilizuar të një pjese të shoqërisë është edhe teknika manipulative e kryeministrit që kërkon falje, del me monologje, largon njerëz, i shet e i blen, me gazetarë-analistë që i ka si testikulin e tretë. Kaq pak donte kjo shoqëri të (vetë)manipulohej duke provuar se e vetmja parti, apo I vetmi grup që e do pushtetin edhe me çmimin e krimit në këtë vend, është ajo që është në pushtet sot.

s.zaimi

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.