Në Kolliman e Shallamovit, në anën tjetër të Njerëzimit

Postuar në 23 Korrik, 2023 18:35
Skerdilajd Zaimi

 

 Kush ka lexuar “Shënime nga shtëpia e të vdekurve” të Dostojevskit me siguri ka marrë një shije nga “vendi ideal” për një burg. Rus të paktën. Siberia, Rusia e Largët, një emër, një entitet që është horizonti i pakapshëm, efemer i çdo imagjinate dhe orientimi. Ja, atje izolohet njeriu, në një zhvendosje gjeo-psikologjike nga qytetërimi për të kuptuar përjashtimin nga rendi social.

Mirëpo në shënimet e shkrimtarit rus sërish ne prekim një botë njerëzore, një hierarki kriminale patjetër, dhune dhe diktati, por aty nuk shpërbëhet asgjë. Aty njeriu vishet në një këmishë force që është mbijetesa e më të fortit. Por a nuk ndodh kjo edhe në jetën e zakonshme, në një formë apo në një tjetër? Aty intelektuali njeh basifondin e shoqërisë, e vëzhgon atë, e prek nga afër, duke kuptuar kështu atë gjeometrinë e autoritetit, pjesë e të cilit është edhe ai. Dhe e kupton këtë edhe me “privilegjimin” që ka, me shmangien që i bëhet nga trajtimi “shtazëror” që krimi i rezervon subjekteve të veta “natyrore”.

Shtëpia e të vdekurve” është një koloni të përjashtuarish, një destinacion për të cilin qytetërimi nuk pranon të diskutojë.

Por poshtë këtyre shënimeve, poshtë kësaj kronike burgu dhe izolimi, ka edhe më. Ka vende që e kumtojnë të keqen që në emër. 

Sepse ka disa emra që hyjnë në historinë e njerëzimit e që kumbojnë të njohur vetëm me një ngjarje, me një spektakël asgjësues, me një gjëmë. Ato duket sikur janë aty për të emërtuar fundin, mbarimin e çdo gjëje. Ato janë ngulitur në tru dhe imagjinatë si profeci të apokalipsit dhe të keqes që vetëpagëzohet me to njëkohësisht me shpalosjen e vet të plotë.
Vezuv, Krakatoa, Nagasaki, Hiroshima, Pinatubo, Tunguska, Vargas, Tangshan. 

Por njeriu ka rezervuar me vullnetin e vet, për Veten, me vetëdije të plotë emra edhe më të tmerrshëm, spektakli i të cilëve konsumohet si sterilizim moral dhe fizike. Regjimi bolshevik prodhoi diçka të paimagjinueshme. Të pa verbalizueshme.

Kollima dhe Vorkuta, që nga vetë emrat që mbajnë tingëllojnë se ishin parathënë për t’u bërë të njohura vetëm një herë të vetme: nga çnjerëzimi që përmbushën si profeci të vetes.

Tregimet e Kollimës” të Varllam Shallamovit, janë një lloj ungjilli i shkruar me thonj dhe rënkime. Janë Dëshmia e Dorëzimit përfundimtar të njeriut te njeriu. Autori ngjan sikur tregon me metaforën e rrjepjes për së gjalli të Bartholomeut, rrjepjen shpirtërore të njeriut nga njeriu. De-psikologjizimin e tij deri në kufirin e pahulumtuar dhe hibrid të të vdekurit të gjallë; me dhunën fizike të racionalizuar vetëm për të mbajtur qenien njerëzore në funksion pune, me ushqimin që është një dietë hedhurinash dhe mbetjesh, me kërcënimin absolut të të ftohtit siberian, i cili të shkatërron, por edhe ai të mban gjallë, por edhe me reduktimin edhe  të ngjyrave në një

të përhime brigjesh, malesh, shiu, qielli, njerëzish me rroba të grisura dhe të përhimëta; të gjithë shumë të butë…në një farë harmonie të vetme ngjyrash, një harmoni që duket sikur është krijuar nga djalli

Ky është varianti siberian i “Metropolis” të Fritz Lang. 

Çfarë ka vallë përtej Kollimës? Dhe a krijon dot djalli një harmoni të tillë?
Në Kollima, me vetë emrin që duket se flet për mijëra kilometra pyll e dëborë, ftohtë, akull dhe bosh, ka çdo gjë. Prifti, shkrimtari, fermeri, zyrtari i dënuar, ushtaraku. Të gjithë bërë bashkë në një masë viskoze, në një xhelatinë shpirtërore që për shkak të urisë, urisë së pambarimtë “nuk kanë më vullnetin as të vrasë veten”.

Mjaftonte të haje një vakt të vërtetë që dikush të gjente më në fund vullnetin për të vrarë veten!​

...

Të gjitha ndjenjat njerëzore – dashuria, miqësia, zilia, njeridashja, mëshira, etja për lavdi, ndershmëria – na kishin braktisur së bashku me mishin që kishim humbur gjatë kohës së urisë sonë të gjatë. Në atë shtresë të vockël muskulare që kishte mbetur akoma në kockat tona dhe që na jepte ende mundësi të hanim, të lëviznim, të merrnim frymë dhe bile të sharronim trungjet dhe të hidhnim me lopatë gurët e dheun në karrocë dhe bile të shtynim karrocën nëpër trapin që nuk kishte të sosur deri në galerinë ku nxirrej ari, nëpër një rrugë të drunjtë deri në aparatin e shpëlarjes, në këtë shtresë muskulare kishte vetëm inat që është ndjenja më e qëndrueshme njerëzore…

Ne ishim mësuar të pajtoheshim me gjithçka, të rrinim urtë, ishim çmësuar të habiteshim. Nuk kishim as krenari, as sedër, as egoziëm, kurse xhelozia dhe pasioni na dukeshin koncepte marsiane dhe madje gjëra fare boshe…Ne ishim të disiplinuar dhe të bindur ndaj shefave. E kuptonim se e vërteta dhe gënjeshtra janë motra me një nënë, se në botë ka mijëra të vërteta.

Është ky një ndër të shumtat pasazhe që rrëfen atë shndërrimin e shpejtë të njeriut në një diçka tjetër, kushtëzuar nga raporti me shtetin e mishëruar nga komandanti, arma, gardhi, racioni ushqimor dhe forca. 

Forca fizike krijon në Kollima epërsi morale. Ndaj edhe më shpejt vdesin trupmëdhenjtë. Pas njëfarë kohe ata janë të mbaruar

vëren Shallamovi, duke na kujtuar se kush ka ngrënë pak në jetën e mëparëshme, e mban më mirë lëtyrën e kampit. 

Njeriu është kapitali i më  çmuar-, thënia gjen në faqet e këtij libri një aplikim kirurgjikal, cinik, pasi në Kollima vdes vetëm po nuk arrin të punosh. Dhe kjo logjikë vë në kontekst hierarkinë. 

Mbi të burgosurin ishte përgjegjësi, edhe ky një i dënuar. Por shteti nuk e kishte humbur mendjen. Ai përdorte çdokënd që kishte sadopak vlerë: një mjek të dënuar për mjek, një inxhinier për punë çfarë do. Mbi përgjegjësit janë rojet dhe pastaj komandanti. Por askush nuk duhet të mendojë se komandanti është absolut. Jo. Mbi të është Mjeku. Nëse Mjeku rekomandon se iksi duhet të pushojë, letra e tij nuk diskutohet veçe nga një komision mjekësh. Iksi do qetësohet për t’u rikthyer sërish në aftësitë për të rrëmuar në minierë. Koha është e çmuar, thërrimet dhe hedhurinat që quhen ushqim nuk duhet të shkojnë kot. Por edhe Mjeku e ka Nemesin e vet: Hajdutët. Hajdutët janë sekti më i fuqishëm, që vret, paraziton, spiunon, shërben dhe mbijeton pa punë. Ata i shpëtojnë rregullit të përgjthshëm, vetëm sepse funksionojnë si polici paralele kundër të gjithë të burgosurve të tjerë. Ata janë edhe agjentët e fundmë të çdo zhbbërjes së çdo mbetjeje njerëzore te i burgosuri.

Vjedhësi ishte ai që shtronte punëtorin në dru dhe e detyronte të punonte. Dhjetëra mijëra vetë ishin rrahur për vdekje nga vjedhësit. Qindra mijëra njerëz që kanë qenë në burg janë prishur nga “ideologjia” e vjedhësve dhe kanë mbaruar së qeni njerëz. Diçka prej vjedhësi ka zënë vend përgjithnjë në shpirtin e tyre. Nëse është i ashpër dhe mizor komandanti, nëse është i shtrirë edukatori, nëse është i papërgjegjshëm mjeku, këto janë fare të parëndësishme në krahasim me forcën shkatërruese dhe prishëse të botës së vjedhësve…Vjedhësit nuk janë njerëz…

Qielli dhe toka bashkohen në një simfoni të vetme post-biblike në Kollima dhe kundrojnë shfaqjen e njeriut të shekullit të 20-të, “shekullin e dyshimit, vigjilencës dhe mobesimit”, shekullin ku njeriu që ka udhëtuar mijëra vjet mes Parajsës dhe Ferrit ka mbërritur në Kollima, e ka shpikur atë madje, një zonë ku e paimagjinueshmja është bërë realitet. 

Ku zbulohet se “edhe në një vendim pushkatimi ka ndonjë kënaqësi ogurzezë, një imagjinatë që nuk kërkon justifikim”. Në Kollima njeriu piqet me veten, pasi ka zhveshur të gjitha lëvozhgat e civilizimit për të dalë më në fund përballë gjyqit të vetes për atë që është: një kafshë që ia del të mos gjykojë më, as të kritikojë. Por vetëm të qëndrojë mbi dhe.

“Tregimet e Kollimës” janë ndër ato libra që nuk të lënë indiferent dhe nuk duhen lënë mënjanë si ndër të shumtit e letërsisë. Sepse Shallamov nuk ka bërë letërsi, ai ka verbalizuar përvojën e tij, ka shkruar në mënyrë grafike një tablo të panjohur të njeriut, duke sfiduar me prova se çdo besim tek etika jonë e paqes dhe mirëqenies, rrezikon të jetë e rreme. 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.