Të dhënat nuk flasin mirë për “tregun rajonal”
Scan Tv publikonte sot një evidencë të vetën, bazuar mbi të dhënat e INSTAT, sipas të cilës tregtia e vendit tonë me rajonin ka njohur rënie. Të frikshme madje siç shkruan televizioni në fjalë. Konkretisht:
Në analizë janë marrë shkëmbimet në vlerë me Kosovën, Serbinë, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi dhe Bosnje Hercegovinën, ku rezulton se krahasuar me periudhën Janar-Qershor 2022, shkëmbimet tregtare në vlerë kanë pësuar një rritje të papërfillshme vetëm me Maqedoninë e Veriut, ndërsa me vendet e tjera rezulton në rënie. Kështu në total janë shkëmbyer mallra midis Shqipërisë dhe 5 shteteve në rajon në vlerën e afro 69.2 miliardë lekëve në 6 muaj nga 76.4 miliardë që u regjistruan një vit më parë. Shkak për këtë mund të jetë edhe rënia e çmimeve të produkteve përgjatë këtij viti.
Të dhënat tregojnë se vlerën me të madhe të shkëmbimeve të mallrave e kemi me Kosovën e cila në 6 mujor regjistrohet në 25.7 miliardë lekë, ndjekur nga Serbia me 17.1 miliardë lekë, Maqedonia e Veriut, Mali i zi dhe në fund renditet Bosnja dhe Hercegovina me vetëm 2.6 miliardë lekë. Sa i takon grup mallrave më të shkëmbyera mes palëve, rezulton se me Kosovën importojmë më shumë ushqim, pije duhan dhe eksportojmë shumë materiale ndërtimi dhe metale
Sipas këtij ekspozimi rezulton se ecuria e marrëdhënieve tregtare në rajon nuk ka asnjë zhvillim cilësor që të mund të justifikonte në aspektin ekonomik të paktën, nisma të bujshme të bashkëpunimit rajonal. Qoftë ky Procesi i Berlinit, qoftë Ballkani i Hapur. Në rajon ka patur edhe më herët nisma që kanë synuar përafrim tregtar të paktën, apo financim në formën e një Plani Marshall. Pakti i Stabilitetit mund të vijë në mendje si një ndër rastet, por asgjë nuk ka funksionuar. Tregtia e një vendi atipik si Shqipëria, që thuajse nuk prodhon, është e orientuar nga vende të BE-së dhe Turqia. Në këto kushte, mbrojtja e nismave si Ballkani i Hapur është asgjë më shumë se çështje imazhi, jo bilanci objektiv.
Këtu ka rëndësi të sillet në vëmendje deklarata e presidentit serb në Beograd, së fundmi, i cili u shpreh se ai dhe kryeministri i Shqipërisë, janë të parët që rivendosën dialogun pas shumë viteve shkëputjeje. Dhe kjo është e vërtetë. Por vetëm kaq. Të mbrosh dhe promovosh projekte rajonale pa bilanc është e rrezikshme, sepse ezauron edhe atë pak optimizëm që mund të ketë mbetur për bashkëpunimin.
Një tjetër çështje që lidhet drejtpërdrejt me Procesin e Berlinit është edhe menaxhimi i fondeve. Dje u publikua lajmi se BE-ja ka pezulluar lëvrimin e një fondi të caktuar për bujqësinë, nën arsyetimin e korrupsionit. Ministria e Bujqësisë nuk e përgënjeshtroi një gjë të tillë, por dha një shpjegim të vetin që e servirte anullimin me çështje administrative. Kjo njollë zbardhet në media pak kohë para Samitit të Tetorit, ku pritet të merren financime të mëdha nga BE-ja në kuadër të nxitjes së integrimit rajonal dhe përshpejtimit të proceseve europiane, duke besuar se paraja do të jetë një incentivë më e efektshme se premtimet.
Mirëpo fondet mund të premtohen dhe madje të jetë vullnet për t’i lëvruar, puna është se në cilën adresë shkojnë. Të mos bëjmë sikur nuk e kuptojmë se edhe skandalet e njëpasnjëshme të qeverisë kanë edhe ato ndikimin e tyre në raportet që dërgohen në Bruksel dhe është e dukshme se besimi në elitat e stabiokracjsë sikur ka rënë. Pavarësisht militantizmit eurofil të dikujt në këtë kohë pasigurie. Problemi që mbetet ende pa adresim është sesi duhet që financimi masiv nga BE-ja të kthehet në përpjestim të drejtë në element mirëqenieje për qytetarët e zakonshëm dhe biznesin. Përndryshe, statistikat e fondeve janë përherë të larta, puna është se “Ne” nuk shohim kurrë ndonjë gjë të prekshme. Dhe nëse ka diçka që përvoja na e mëson është se njerëzit duan gjëra konkrete: remitancat p.sh janë konkrete. Heqja e vizave po ashtu. Të tjerat, janë shumë të rëndësishme, por larg perceptimit.
s.zaimi
Add new comment