Emigrantët, plani i Ruandës bëhet ligj në Britani
Britania ka gati një ligj të ri për emigracionin, me të cilin synon t’i japë fund hyrjes së të huajve në vend, kryesisht përmes kanalit të Lamanshit. Ligji i ri ndalon kërkesat për azil nga të gjithë të ardhurit nëpërmjet Kanalit dhe rrugëve të tjera "të paligjshme" dhe do t'i transferojë ato në vende të treta, si Ruanda. Ligji që u propozua si zgjidhje për numrin gjithnjë e më të madh të azilkërkuesve që mbërrijnë nga veriu i Francës, është kundërshtuar nga Agjencia e OKB-së për Refugjatët, duke e cilësuar si "shkelje të ligjit ndërkombëtar", e cila mund të kthehet në precedent.
Ligji i ka kaluar në Dhomën e Ulët dhe Senat dhe merr formën përfundimtare pas formalitetit të "miratimit mbretëror" nga Mbreti Charles III. Më shumë se 45,000 emigrantë mbërritën në brigjet e Anglisë juglindore me varka të vogla në vitin 2022 - një rritje vjetore prej 60 për qind në një rrugë të rrezikshme që është përdorur nga gjithnjë e më shumë emigrantë të paligjshëm që nga viti 2018.
Emigracioni, si i ligjshëm ashtu edhe i paligjshëm, ka qenë prej kohësh një çështje kyçe politike në Britaninë e Madhe dhe element kyç në fushatën e referendumit të Brexit në 2016, i cili shënoi largimin e Britanisë nga BE-ja. Kryeministri Rishi Sunak e mbështet planin e ri, në një kohë kur Home Office pranon se sistemi i azilit u kushton taksapaguesve 6 milionë paund (7.8 milionë dollarë) në ditë. Edhe pse Gjykata e Apelit e hodhi poshtë muajin e kaluar planin e Ruandës, qeveria është e vendosur për ta çuar përpara, duke e sfiduar vendimin në shkallën tjetër të gjyqësorit.
Plani i Ruandës, i shpallur fillimisht nga kryeministri Boris Johnson vitin e kaluar, u bllokua në minutën e fundit nga Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut. Grupet e të drejtave të njeriut e kundërshtojnë planin duke thënë se Ruanda nuk mund të konsiderohet vend i sigurt.
Add new comment