Antikythera, mes kinemasë dhe të vërtetës së krijimit
Seria e fundit e Indiana Jones merret me Mekanizmin e Antikytheras, që është për arkeologjijë një mekanizëm që imiton të themi një atlas të sistemit diellor. Për mekanizmin ka patur debate të shumta, hipoteza që shkojnë deri te ajo e një teknologjie aliene, ushqyer kjo nga fakti se mekanizmi është një ndër artefaktet më komplekse të gjetura nga periudha e antikitetit grek dhe romak.
Në serinë e mirënjohur, mekanizmi shërben si çelës për të gjithë skenarin, pasi i konsiderohet se ai shfrytëzon një çarje në përmasën e Kohës dhe e manipulon atë përmes një aparati që vë në zbatim parimin e orës për të bërë udhëtime në kohë. Skenari plotësohet me faktin gati ekzotik se atë mekanizëm e ka zhvilluar Arkimedi ndaj edhe epilogu zhvendoset në Sirakuza.
Nisur nga popullarizimi që kinemaja u bën artefakteve të caktuara duke I zhvedosur ato në një narrativë ekzotike, Smithsonian ka sqaruar përmes një interviste se çfarë është mekanizmi i Antikytheras, që ka marrë emrin nga ishulli grek, pranë të cilit u gjet në fillim të shekullit të 20-të. Në kohën e zbulimit të saj, pajisja aktuale historike ishte gati një grumbull metali të gërryer. Ekspertët filluan të kuptojnë rëndësinë e objektit vetëm në vitin 1902, kur, i vendosur në atë kohë në Muzeun Arkeologjik Kombëtar në Athinë - u shpërbë për të zbuluar një rrjet të ndërlikuar ingranazhesh. Në dekadat që pasuan, studiuesit kanë përdorur rreze X, skanime CT dhe mjete të tjera për të studiuar 82 fragmentet e mbijetuara të objektit me madhësinë e një ore tavoline, që besohet se daton afërsisht midis viteve 200 dhe 60 p.e.s.
I intervistuari është Jo Marchant, autor i librit “Decoding the Heavens: Solving the Mystery of the Ëorld's First Computer”, botuar në vitin 2008.
***
Cili është mekanizmi Antikythera? Pse është unik?
Ky është shembulli më i sofistikuar që kemi për teknologjinë e lashtë greke. Ky është kulmi. Ne nuk njohim asgjë tjetër aq komplekse sa kjo. Nuk ka asgjë që i afrohet. Mekanizmi mbahej në një këllëf druri. Ai përbëhej nga rrota ingranazhesh prej bronzi dhe në pjesën e përparme kishte një numerator të madh. Në vend që të tregojë kohën, tregon lëvizjet e diellit, hënës dhe planetëve në qiell. Kur kthen dorezën anash për të lëvizur rrotat e marsheve, ecën përpara dhe mbrapa në kohë. Rrota drejton këta tregues matematikorë, duke treguar pozicionet e trupave qiellorë, datën, kohën e lojërave atletike. Ka një kalendar, ka një numerator parashikimi të eklipsit dhe mbishkrime që japin informacion se në çfarë pozicioni janë yjet. Fusha me numra dhe shigjetat tregojnë gjithçka që duhet të dini për gjendjen dhe funksionimin e kozmosit.
Të paktën 30 rrota ingranazhesh prej bronzi kanë mbijetuar. Por ndoshta kishte shumë më tepër se kaq fillimisht. Nuk jam i sigurt se ka edhe një rrotë tjetër ingranazhesh që ka mbijetuar nga lashtësia. Nuk ka pajisje të tjera si kjo, para apo pas Antikythera-s, derisa të arrijmë te shpikja e orëve moderne mekanike në Evropën mesjetare.
Si u zbulua mekanizmi?
Zhytësit që po punonin në Mesdhe zbuluan anijen e mbytur në vitin 1900. Anëtarët e ekuipazhit të anijes së lashtë lanë itinerarin e parashikuar dhe u strehuan në këtë ishull të vogël të Antikythera-s, i cili është i bukur, por shumë i pabesë. Është një ishull djerrë, me shkëmbinj të thepisur dhe të thellë që bien drejt e në det. Ata u strehuan aty dhe kur stuhia kaloi, u zhytën sërish. Zhytësi i parë që zbriti u kthye i tmerruar, duke thënë se si kishte parë një grumbull kufomash të kalbura në shtratin e detit - burra, gra, kuaj. Doli se këto nuk ishin kufoma, por mbetje statujash. Ata kishin zbuluar një anije të mbytur që ishte plot me thesare. Zhytësit gjetën edhe ngarkesa të tjera që dikur kishin qenë në anije. Duke punuar për qeverinë greke dhe nën drejtimin e arkeologëve, ata kaluan rreth dhjetë muaj duke tërhequr statuja mermeri dhe bronzi, ari dhe bizhuteri, mobilje si një fron, armë, tasa të bukur qelqi, amfora që mund të kenë qenë mbushur me verë dhe vaj ulliri.
Anija u nis midis viteve 70 dhe 60 p.e.s. Po kthehej në perëndim nga bregu i Azisë së Vogël, Mesdheu lindor. Fillimisht, mendohej se ishte një anije romake që sillte në shtëpi thesare të grabitura. Analiza e mëtejshme e mbytjes sugjeron se ishte në fakt një anije tregtare greke që po transportonte këtë ngarkesë luksoze drejt atdheut. Sido që të jetë, nuk ia doli.
A e krijoi Arkimedi mekanizmin Antikythera?
Ciceroni ishte shkrimtar dhe politikan rreth shekullit të parë p.e.s. Ai ka përshkrime të pajisjeve që tingëllojnë mjaft të ngjashme me Antikythera. Por aty nuk gjen asnjë detaj teknologjik se si mund të kenë funksionuar mekanzimat, kështu që historianët kurrë nuk kanë qenë në gjendje t'i marrin ato aq seriozisht. Ciceroni foli për makinat prej bronzi, globe që rrotullohen për të treguar lëvizjet e qiejve. Dhe njërën prej tyre ia atribuoi një filozofi të quajtur Posidonius, i cili jetoi në Rodos në shekullin e parë p.e.s. pikërisht në kohën kur studiuesit mendojnë se anija Antikythera u ndal në ishull. Teoria kryesore është se pajisja është bërë në një punishte në Rodos, ndoshta punëtoria e Posidoniusit, ndoshta si një porosi për një blerës të pasur që jetonte në Greqinë veriore dhe ishte duke u transportuar nga Rodosi në Greqinë e veriut, kur u mbyt anija.
Ciceroni gjithashtu shkroi për një pajisje tjetër që ai tha se ishte ndërtuar nga Arkimedi, matematikani dhe shpikësi legjendar. Arkimedi jetoi disa shekuj shumë herët dhe nuk mund ta ketë krijuar këtë mekanizëm të veçantë Antikythera. Por ai mund ta kishte shpikur lehtësisht këtë ide të përfaqësimit të universit ose lëvizjeve qiellore në një mekanizëm duke përdorur rrota ingranazhesh bronzi. Ndoshta mund të ketë qenë pak më e thjeshtë dhe më pas është rafinuar, duke përfshirë qasjet më të fundit astronomike gjatë shekujve. Nuk e dimë me siguri. Por Arkimedi mund të jetë “i dyshuari” ynë kryesor si shpikësi i të gjithë kësaj linje të teknologjisë.
Si e përdonin grekët e lashtë?
Ajo që më pëlqen vërtet në lidhje me mekanizmin është se sa funksione të ndryshme ka brenda një pajisjeje të vetme. Mund ta mendoni pothuajse si iPad-in e lashtësisë, sepse i keni të gjitha këto aplikacione të ndryshme: çelësin në pjesën e përparme që ju tregon diellin, hënën dhe planetët rreth qiellit; parashikimet e eklipsit në pjesën e shpinës; dhe parashikimet e Olimpiadës. Në varësi të cilit ekran po shikon, ke të bësh me të gjitha këto funksione të ndryshme.
Grekët nuk e përdorën pajisjen për të bërë punë. Ata nuk po bënin një motor me avull apo makineri industriale. Ata po gjenin modele për qiejt. Pse? Çfarë po përpiqeshin të bënin? Nuk duket se kjo ishte një pajisje navigimi. Astrologjia është një tjetër mundësi. A mund ta jetë përdorur për horoskopin? Sepse mund ta kthesh atë në një datë të caktuar dhe të shohësh gjithçka që po ndodhte në qiell në atë pikë. Në fakt ka disa sugjerime astrologjike mbi mekanizmin. Në çelësin e parashikimit të eklipsit, përmenden ngjyrat dhe drejtimet që lidhen me eklipset e ndryshme të parashikuara, ndoshta një drejtim që supozohej të frynte era ose ndoshta drejtimi nga i cili do të bllokohej disku.
Por përsëri, do të kishte qenë shumë më e lehtë nëse për horoskopin do të përdoreshin tabela astronomike që ishin të disponueshme në atë kohë. Nuk do të duhej diçka si mekanizmi Antikythera. Pra, shpjegimi në të cilin shumica e studiuesve kanë konverguar, dhe ai që ka më shumë kuptim për mua, është se ky është më shumë një mjet filozofik ose një pajisje mësimore. Është përmbledhje e njohurive se çfarë është universi dhe si funksionon ai, dhe ishte një mënyrë për ta ndarë atë njohuri me njerëzit e tjerë.
Disa nga mbishkrimet në të janë pothuajse si titrat që mund të shihni në një ekspozitë. Ato u drejtohen njerëzve laikë. Ato nuk janë udhëzime për një profesionist. Ata shpjegojnë se çfarë po ndodh ndërsa mekanizmiu është duke punuar. Ideja që mekanizmi shpreh në fund ishte ajo e universit si një makinë, si diçka që funksionon sipas rregullave të parashikueshme matematikore që ne mund t'i studiojmë dhe kuptojmë. Për një pjesë të madhe të historisë njerëzore, universi është parë si një qenie hyjnore, ose ndoshta një lodër e perëndive, diçka mjaft magjike. Planetët lëviznin në mënyra të paparashikueshme dhe shpesh ata shiheshin edhe vetë si perëndi. Kjo pajisje përfaqëson një ndryshim të kuptimit të universit si diçka shumë më matematikore, diçka shkencore, ku ka këto parime numerike prapa asaj që po ndodh, dhe ju mund ta modeloni atë në një makineri. Një aspekt tjetër që përmendet në të vërtetë nga Ciceroni është ideja e një krijuesi hyjnor të universit. Ciceroni ka thënë mes rreshtave të tij diçka të tillë:
Shikoni një makineri të kozmosit dhe e dini se duhet të ketë pasur një krijues, një projektues
Pajisja po tregonte se vetë universi duhet të ketë një krijues, kështu që ka shumë parime të thella fetare dhe filozofike të mishëruara në të.
Çfarë na thotë mekanizmi për grekët e lashtë?
Një nga ato që mësojmë është se ne nuk e dimë gjysmën e atyre që kanë të bëjnë me aftësinë e njerëzve në botën e lashtë, sepse shumë pak ka mbijetuar. Ne sapo e kemi marrë këtë pajisje. Nëse ky mekanizëm nuk do të kishte mbijetuar në një anije të mbytur dhe ne nuk do të kishim pasur fatin ta gjenim, sot nuk do të kishim asnjë ide për këtë degë të teknologjisë dhe atë që grekët e lashtë kishin aftësinë të bënin me të. Kjo thjesht ngre pyetjen se për çfarë tjetër nuk ia kemi idenë. Mbështetja vetëm te arkeologjia na kufizon duke çuar në një nënvlerësim të madh të asaj që këta njerëz të lashtë ishin të aftë të bënin.
Mekanizmi përfaqëson gjithashtu një rrëfim mbresëlënës të zgjuarsisë njerëzore. Kjo makineri ishte nën det për më shumë se 2000 vjet, kështu që siç mund ta imagjinoni, nuk është në gjendje të mirë. Është në copa, është goditur dhe gërryer, dhe shtresa të ndryshme të saj janë shkrirë së bashku. Rreth dy të tretat e saj kanë humbur, në fakt. Është vërtet frymëzuese se si shkencëtarët kanë studiuar shtresat dhe kanë përdorur teknologjinë ndërsa bëhet më e avancuar - kështu që fillimisht duke i pastruar ato, duke studiuar pajisjen me sy dhe më pas me rreze X. Kjo e fundit është përdorur për të provuar të veçohen shtresa të ndryshme, duke kryer skanime CT dhe duke provuar teknika të ndryshme ndriçimi për të nxjerrë në pah detajet e sipërfaqes. Sot, kemi përfunduar me një ekip mjaft të madh ndërkombëtar njerëzish nga disiplina të ndryshme, të cilët kanë punuar së bashku në përpjekje për të kuptuar se çfarë ishte kjo gjë.
Pse mendoni se ekipi i Dial of Destiny vendosi të shfaqë mekanizmin Antikythera?
Mekanizmi "Antikythera" me të vërtetë i magjeps njerëzit. Është një nga ato gjëra që kur dëgjon për herë të parë për të, dhe sigurisht ky ishte reagimi im, mendon: “Si nuk e dija që kjo ekzistonte? Si mund të ekzistonte një kompjuter mekanik i lashtë grek që parashikonte eklipset dhe që u gjet në një anije të mbytur?” Tingëllon e pabesueshme. Është shumë jashtë asaj që ne do të prisnim të gjenim dhe larg asaj çfarë dinim më parë për grekët e lashtë. Janë këto lidhje të natyrshme që ne bëjmë me diçka pothuajse magjike ose të mbinatyrshme. Pajisja është një zgjedhje e natyrshme nëse po kërkon për diçka që ekziston në të vërtetë, por do t’i shtosh një dozë “magjie”.
Është gjithashtu absolutisht i lidhur me kohën. Është një makinë kohe në një kuptim. Kur e kthen dorezën anash, po lëviz prapa në kohë, po kontrollon kohën. Ti po e sheh universin ose duke ecur me shpejtësi përpara ose duke u kthyer mbrapsht, dhe ti vetë e zgjedh shpejtësinë dhe mund ta ndalësh në çdo moment të historisë që dëshiron.
Çfarë misteri mban ende mekanizmi?
Ne dimë shumë për mënyrën se si funksionoi dhe çfarë bëri. Por sigurisht për sa i përket mënyrës se si funksionoi dhe çfarë tregoi numëratori, shumë detaje mungojnë. Ne e dimë se i tregoi planetët, por si i tregoi ata? A kishte tregues? A kishte unaza që lëviznin? Këto janë debate që studiuesit po bëjnë për detajet e mekanizmit.
Misteri tjetër i madh është se do të ishte vërtet mirë të gjesh më shumë pajisje si kjo. Ne kemi vetëm një, kështu që nuk kemi asgjë për ta krahasuar atë. Por duket se kjo nuk ishte e vetmja pajisje e këtij lloji. Është thjesht i bërë shumë mirë, shumë i sofistikuar, shumë kompleks. Është mjaft i vogël, aq i vogël sa mund të lejon ta përdorësh pa pasur nevojë për syze zmadhuese për të parë të gjithë komponentët, dhe në përgjithësi me një teknologji si kjo, do të duhej të ishte nisur me një mekanizëm më të madh dhe më të thjeshtë. Ky është një dizajn shumë i sigurt. Është padyshim produkt i zhvillimit të dekadave apo brezave.
Zhytësit janë kthyer shpesh në anijen e mbytur në Antikythera që rreth vitit 2012. Një nga gjërat që do të donin të gjenin është ose më shumë pjesë të këtij mekanizmi ose më shumë pajisje si ajo. Për mua, kjo do të ishte mënyra më emocionuese në të cilën mund ta çonim historinë përpara.
A mundet publiku ta shikojë pajisjen?
Mekanizmi "Antikythera" është i ekspozuar në Muzeun Arkeologjik Kombëtar në Athinë. Është një gjë e pabesueshme. Është shumë më e vogël nga sa do të prisnit, por është i bukur dhe i ndërlikuar. Ti sheh si ai është dëmtuar dhe gërryer nga koha. E kupton fare lehtë se është i lashtë, se ka qëndruar në fund të detit për mijëra vjet. E megjithatë, kur e shikon nga afër, duket i njohur. Duket si pjesa e brendshme e një ore xhepi ose orë me zile. Është një formë teknologjie që e kemi kudo rreth nesh sot. Është një ndjesi e jashtëzakonshme të gjesh këtë lidhje dhe të shohësh një shpikje që ka qenë kaq ndikuese në formësimin e historisë njerëzore që nisje të saj.
Përktheu: Gazmira Sokoli
Add new comment