Edhe Beni punoi pas krahëve të mia!
Kryeministri i vendit Edi Rama ka dalë dje me një mesazh politik rreth asaj që mund ta quajmë çështja “Ahmetaj”. Një mesazh që gërsheton apologjinë e reformës në drejtësi, shpalljen e saj si arritje historike dhe me këtë rast kalimin në devizën qeverisëse për luftë ndaj korrupsionit të niveleve të larta.
Në dallim nga një kryeministër që interpreton provat e ndryshme, që e cilëson përgjimin si të dhënë dhe jo fakt akuzues, që deklaron se do ta takojë edhe në burg një të shpallur non grata si Vangjush Dako, por që flak si pa të keq kryebashkiakë apo deputetë për raste flagrante shkeljesh, kjo e djeshmja ishte një paralajmërim për atë që mund të rekomandohet për lexim vere: rotacion elitash në PS. Apo klanesh.
Zoti Rama e shpalli fajtor ish-zëvendësin e tij. Nuk heshti, as anashkaloi siç ka bërë p.sh me Sekretarin e Përgjithshëm të Kryeministrisë, Engjëll Agaçi. Jo, e shpalli fajtor. Në sytë e z. Rama, Arben Ahmetaj është fajtor. U përmend një “dosje voluminoze” e SPAK, organ që më herët është gjykuar për njëanësi, u përdorën metafora dhe u arrit deri aty sa për herë të parë veprimi i reformës në drejtësi të vlerësohet si domosdoshmëri edhe me humbjen e pushtetit. E parë me sytë e të pandehurit Arben Ahmetaj, z. Rama po thotë publikisht: do shkosh në burg, sepse aty (më) duhesh.
Denoncimi në fjalë është paralajmërim për të gjithë njerëzit me pushtet në PS. Paralajmërim se askush nuk ka letër garancie dhe ky lloj shantazhi për qenie me instinkt politik është imperativ për veprim imediat. Por qëllon që në atë parti askush nuk e ka stofin e politikanit, por vetëm të shërbyesit dhe në këtë kuadër, kjo që po ndodh të kujton atë fabulën e mitologjisë që ndonëse Hadi të çon në ferr dhe është Ferri, atij duhet sërish t’i lutesh.
Në një kontekst social, denoncimi i z. Rama ngjan të jetë një konfirmim me pritmëritë për koka turku dhe viktima me imunitet, pse pakënaqësia dhe përçmimi ndaj pandëshkueshmërisë dhe luksit të disave me pushtet, po e tensionon limfën sociale. Zoti Rama në një farë mënyre i është bindur turmës dhe është renditur me shumicën, por është e qartë se me këtë akt ai ka pranuar se në rrotullat e drejtësisë po hyn shqyrtimi i korrupsionit të qeverisë së tij. Dhe këtu përgjegjësisë askush nuk mund t’i ikë. Zoti Rama do të luajë edhe për ca kohë partizanin e drejtësisë, por kjo nuk e nxjerr atë pa lagur, sepse struktura e qeverisjes së tij është personale. Lexoni se çfarë shkruante para disa ditësh një nga këshilltarët e tij, Mero Baze:
Nuk mund të them dot që Edi Rama nuk e di që Shkëlzen Berisha është ortak tek ai resorti që ka dhënë ky si investitor strategjik në Laëlz…Nuk besoj dot që Edi Rama nuk e di që ai që ka marrë kullën 64 katëshe (në Tiranë), është i punësuar i Shkëlzenit… Ok, nuk e ka emrin, por e dimë se si funksionojnë, mund t’i bësh nja dy provokime të vogla dhe ata të tregojnë vetë se kush janë dhe si funksionojnë. Dhe këta e dinë, por thonë le të bëjnë ndonjë lek…
Në aspektin e qeverisjes së vendit, që është shumë më i rëndësishëm, Edi Rama ka vetëm një problem, që nuk e korrigjon dot si kryeministër. Nuk e duron dot viskozitetin ligjor të shtetit. Pra, që të zbatojë procedurat. Rama e vizaton një gjë, i thotë ma bëj pak. Ai që është poshtë duhet të bëjë tender, procedurë, duhet të ketë… Shteti është i ngadaltë dhe ai nuk e duron dot. Problemet që shkaktohen me bashkëpunëtorët e tij, kam frikë se vjen nga presioni që ky ka që nuk e duron dot, që do të bëjë një gjë, e ka objektivin jo të keq por shteti funksionon si shtet dhe jo si ndërmarrje private…Ai i ka të gjitha, por nuk ka shtetin, që është mekanizëm që vepron, sepse shkon në burg ministri, kryetari i bashkisë, tejkalojnë procedura, mendojnë që meqenëse ky na tha bëhet, kjo bëhet…
Mund të sillen shembuj të tjerë sa të duash, meqenëse mohimi është bërë mënyrë të ekzistuari. E në këtë kuptim, askush nuk mund të besojë se një njeri si Arben Ahmetaj do mund ta bënte dosjen mal siç tha z. Rama pa dijeninë së paku të këtij të fundit.
Ajo që pamë dje është një shfaqje e detyruar e dikujt që e di shumë mirë se askush nuk e beson më, por që po luan aktin e tij për të mbajtu në lundrim një anije që e ka fundin të afërt. Korrupsioni në këto nivele dhe me këtë faturë nuk mund të gjenerohet nga një ministër, as nga një grup i strukturuar. Sepse askush nuk ka fuqi të kalojë VKM radhë pa rënë në sy. Jo, ai është vendim politik për një ekonomi kryesore në këtë vend. Siç janë resortet në jug, koncesionet e rrugëve e kështu me radhë. Sepse siç e pamë, Edi vizaton një gjë e do gjejë patjetër dikë që do i thotë: e bëj unë!
Shkëlqim Cani me siguri që do binte dakord me këtë përkufizim që po bëjmë.
s.zaimi
Add new comment