Mark Rutte largohet nga politika

Postuar në 11 Korrik, 2023 16:08

Trembëdhjetë vjet pasi mori detyrën, kryeministri më jetëgjatë në Holandë, do të lërë karrigen e kreut të qeverisë, për atë të mësimdhënësit. Mark Rutte njoftoi tërheqjen nga politika, pasi qeveria e tij rat ë premten.

Në krye të Partisë së Popullit për Liri dhe Demokraci (VVD) prej 17 vjetësh, Rutte do të jetë tashmë një mësues i studimeve sociale, në një shkollë lokale në Hagë.

"Nuk është krejt pa emocion ky vendim", u tha ai gazetarëve pasi njoftoi dorëheqjen. "Por është mirë kur e kalon stafetën."

Por para se të nisë detyrën e re, Rutte do ta drejtojë qeverinë deri në zgjedhjet e 15 nëntorit.

Si shumë bashkëkombës të tij, Rutte mbahet mend për udhëtimin me biçikletë për në zyrën e kryeministrit, refuzimin e luksit dhe mbulimin e shpenzimeve të veta, deri te kafeja.

Pavarësisht profilit të ulët, ai e ngriti veten dhe vendin e tij relativisht të vogël në nivelet më të larta të dinamikës së pushtetit evropian.

Largimi i tij i papritur nga politika holandeze ngre pikëpyetje për Holandën, si dhe për Bashkimin Evropian, ku Rutte gjeti terren për të çuar përpara axhendën e vendit të tij: tregtinë e lirë dhe të bazuar në rregulla, kujdesin fiscal dhe vlerat sociale liberale.

Rutte njihet për aftësinë e tij për t’u mbijetuar krizave politike. Miqtë e përshkruajnë më shumë si menaxher të aftë sesa si lider vizionar. Ai ia ka dalë t’i ulë rivalët në tryezën e bisedimeve dhe të gjejë kompromisin me ta. me fjalë të tjera, është mishërimi i kulturës holandeze të konsensusit: pragmatik, fleksibël dhe pa vizion.

Aftësia e Rutte për të arritur te konsensusi në koalicionin qeveritar me katër parti është vënë në pikëpyetje kohët e fundit. Ndërsa punonte për një plan qeveritar për imigracionin, ai spekuloi hapur për një ndarje brenda koalicionit, gjatë kohës që negociatat ishin në vazhdim e sipër.

Sistemi holandez i azilit nuk ka kapacitete të mjaftueshme pritëse për të ardhurit e rinj, ndërsa fluksi është relativisht i lartë. Megjithatë, kriza e kësaj vere nuk është aq intensive sa ishte vitin e kaluar, kur për muaj të tërë qindra azilkërkues flinin shpesh jashtë me pak ose aspak akses në ujë të pijshëm, objekte sanitare apo kujdes shëndetësor.

Politikanë nga D66, CDA dhe ChristenUnie - partnerët e koalicionit të Rutte – kanë folur për tensionim të panevojshëm të marrëdhënieve midis partnerëve qeverisës.  

Qëndrimi i Rutte ka bërë që disa të sugjerojnë se rënia e qeverisë është një zgjedhje e qëllimshme për të shkuar të zgjedhje të reja. Sondazhet tregojnë se VVD e Rutte do të bëhet sërish partia më e madhe, pavarësisht se një parti rurale që përfaqëson interesat e fermerëve arriti një fitore të papritur në zgjedhjet provinciale të këtij viti.

Duket se ka qenë një lëvizje shumë strategjike,” thotë për Politico.eu Simon Otjes, asistent profesor i politikës holandeze në Universitetin Leiden. “Ndërsa dosjet e tjera, si planet për të reduktuar emetimet e azotit, janë shumë më komplekse, migrimi është një temë më e favorshme për t'u përdorur”.

Rutte është përballur me presion nga krahu i djathtë i partisë së tij për të mbajtur një qëndrim më të ashpër ndaj emigracionit. Në të njëjtën kohë, dy të tretat e holandezëve besojnë se rregullat e migracionit duhet të jenë më të rrepta, çka e bën tërheqëse për VVD-në t'i "bëjë zgjedhjet e ardhshme një referendum mbi migracionin", shtoi Otjes.

Sfida tjetër për partinë e Rutte-s do të jetë gjetja e një lideri të ri, i cili do ta drejtojë partinë në zgjedhjet e vjeshtës.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.