Me miq të tillë kujt i duhen armiqtë!?
Nuk mbahet mend që në një samit të BE-së, dhe atë në një kohë kur Evropa është në luftë, të jetë biseduar në nivelin më të lartë për situatën në Kosovë dhe tensionet në raportet mes Kosovës dhe Serbisë. Liderët e BE-së diskutuan për këtë temë në një takim me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg. Pastaj edhe në takim të liderëve të BE-së, e ditën e dytë edhe formalisht kur para tyre raportoi përfaqësuesi i lartë Josep Borrell. Porosia ishte e qartë dhe e pritur: të bëhen hapa të menjëhershëm për depërshkallëzim, të zhvillohen zgjedhjet e jashtëzakonshme në katër komuna në veri, të zbatohen të gjitha marrëveshjet dhe mbi të gjitha ajo për Asociacionin. Dhe, nëse kjo nuk do të ndodhë, do të ketë pasoja negative.
Por fokusi kësaj radhe ishte edhe te pasojat. Sepse, edhe pse përmenden pasojat për të dyja palët, ato për momentin i ndien vetëm Kosova. Dhe disa liderë, siç mësohet nga burimet diplomatike, kanë tërhequr vërejtjen se institucionet e BE-së duhet të kenë një “qasje më të balancuar”, sepse nuk mund të ketë masa vetëm ndaj Kosovës. Dy prej liderëve dolën edhe publikisht me porosi për nevojën që BE-ja të jetë e balancuar në qasje. Ishin kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviq, dhe ai i Sllovenisë, Robert Gollob. Por edhe liderë të tjerë thuhet se i kanë dhënë këto porosi brenda në takim.
Edhe më ashpër ndaj institucioneve të BE-së ishin të martën shumica e deputetëve në Komisionin për Politikë të Jashtme të Parlamentit Evropian. Ata kritikuan të dërguarin e posaçëm të BE-së, Miroslav Lajçak, dhe drejtorin e Drejtorisë së Përgjithshme të Komisionit Evropian për Zgjerim, Jan Coopman për qasje të njëanshme, kundër Kosovës dhe ledhatuese ndaj Serbisë. Lajçak me lehtësi të madhe hodhi poshtë këto akuza, duke thënë se ai “kritikohet edhe se është tepër në anën e Prishtinës” dhe si shembull përmendi zëdhënësen e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Zaharova. Si student i Institutit Shtetëror për Marrëdhënie Ndërkombëtare në Moskë, ai do të duhej të kishte njohuri të mjaftueshme për të mos barazuar propagandën e zëdhënëses së Ministrisë ruse me kritikat e deputetëve të Parlamentit Evropian. Arsyetimi i Lajçakut se “mua më kritikojnë nga të dyja palët - kjo do të thotë se punoj mirë” është pak sa tepër i thjeshtëzuar.
Por, përkundër kritikave ndaj Lajçakut dhe Borrellit si ideatorë të sanksioneve ndaj Kosovës, sidomos pasi u inkurajuan nga qëndrimet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në BE ka pothuajse konsensus se autoritetet e Kosovës kësaj radhe e kanë përgjegjësinë kryesore për nxitjen e tensioneve pas insistimit që katër kryetarë të komunave të shkojnë në ndërtesat komunale. Nuk ka kritika pse po sanksionohet Kosova, por pse nuk po sanksionohet Serbia, e besa as Republika Sërpska. Prandaj
është fascinuese shpejtësia, vendosmëria dhe gatishmëria për të sanksionuar Kosovën
Kur SHBA-ja vendosi sanksione ndaj liderit të Republika e Sërpskas në Bosnjë-Hercegovinë, në BE u përgjigjën se “ne kemi procedurat tona” si arsyetim për të mos marrë masa ndaj këtij entiteti. Kur disa politikanë serbë të Kosovës, po ashtu, u sanksionuan nga SHBA-ja, BE-ja po ashtu heshti. Dhe në Bruksel, sikurse tash edhe në Uashington, ka një shqetësim për mënyrën se si po komunikohet me Qeverinë e Kosovës. Sepse po shtohen dëshmitë se në këtë komunikim nuk ka më aq shumë sinqeritet. Shembulli i fundit ishte deklarata e ministrit të Brendshëm Xhelal Sveçla se ka pasur koordinim me partnerët ndërkombëtarë kur u vendos që dy organizata të shpallen terroriste. Të katër partnerët kryesorë dolën me demant të kësaj.
Në Bruksel në biseda private shumë diplomatë pyeten se si është e mundur që BE-ja me shpejtësi dhe vendosmëri aq të madhe t’i vendosë sanksione të ashpra Kosovës, çfarë nuk i ka vendosur askujt nga rajoni deri tash. Përgjigjja më e thjeshtë është “sepse është e lehtë dhe e mundur”. Histeria antkosovare në Bruksel krijon përshtypjen sikur Kosova është një “Rusi në rajon” dhe vetëm sa nuk e ka nisur invazionin kundër vendeve fqinje. Por edhe vendet e BE-së që tash “çuditen me ashpërinë e sanksioneve të pabalancuara” janë hipokrite, sepse kanë mbështetur përfaqësuesin e lartë Borrell dhe të dërguarin e tij Lajçak kur kanë propozuar që Kosova të dënohet ashpër për sjelljen e saj.
Gjatë samitit të BE-së, duke pranuar se ka pasur vërejtje ndaj Shërbimit të Jashtëm të BE-së dhe Komisionit Evropian për ashpërsi ndaj Kosovës e butësi ndaj Serbisë, një nëpunës i BE-së tha se “i vjen keq për sanksionet ndaj Kosovës”. Pas pak minutash, pasi mendoi, erdhi dhe sqaroi: “Dëgjo: kur thashë se më vjen keq për sanksione ndaj Kosovës mendova se më vjen keq se Kosova na ka sjellë në situatë që të mos kemi rrugëdalje tjetër pos të vendosim masa!”. Natyrisht se nuk jemi naivë as të besojmë se i vjen keq për sanksione e as të besojmë se nuk ka pasur asnjë rrugëdalje tjetër. Sepse sanksionet janë gjithmonë mjetet e fundit, pasi provohen të gjitha të tjerat. E disi, duke e ditur si funksionojnë institucionet e Bashkimit Evropian, nuk jemi të sigurt se para vendosjes së sanksioneve të ashpra ndaj Kosovës të jenë shteruar vërtet të gjitha opsionet e tjera.
Autoritetet e Kosovës, nga ana tjetër, nuk duhet të relativizojnë peshën e sanksioneve siç tentoi ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla, duke vendosur fokusin në faktin se ato “janë të përkohshme”. Habit pak edhe sjellja e opozitës në Kosovë e cila, në mënyrë legjitime sulmon Qeverinë për shkak të sanksioneve, por në asnjë mënyrë nuk kritikon qëndrimin joparimor dhe të pabalancuar të BE-së. Sepse thënia se “sanksionet janë kundër Qeverisë e jo popullit të Kosovës” janë të pasakta. E sa për ata në BE që thonë se “këto masa janë vërejtje nga miqtë” më së miri shkon fjalia në anglisht “with friends like this - who needs enemies” (me miq të tillë kujt i duhen armiqtë!?”.
Burimi: Koha Ditore
Add new comment