Rinia është themeli i zhvillimit të vendit

Postuar në 28 Qershor, 2023 20:50
Jurgis Çyrbja - Deputet i Kuvendit të Shqipërisë. Qarku Durrës, PS

 

Takimet e vazhdueshme me njerëzit e thjeshtë dhe me komunitetin në tërësi janë gjithmonë kënaqësi e privilegj, e ndër to ka momente të veçanta tejet frymëzuese, sidomos kur takohem me të rinj e të reja të cilët sapo kanë hedhur hapat e para për realizimin e ëndrrave të tyre. 

Disa ditë më parë isha i ftuar në festën e maturantëve të Ishmit dhe Manëz, ku jo vetëm u ndjeva krenar për ata të rinj dhe rezultatet e tyre të shkëlqyera në provimet e maturës shtetërore, por edhe u inkurajova nga planet e tyre për të ardhmen dhe dëshira që ata kanë për të dhënë kontributin e tyre maksimal për zonën e tyre, vendin dhe shoqërinë tonë.   

Disa prej tyre ndanë me mua se aspirojnë të ndjekin studimet e larta për Teknologji Informacioni, disa mësuesi, juridik dhe menazhim biznesi, e padyshim nuk mungonin as mjekët e ardhshëm, me të cilët diskutova edhe mbi vendimin e rëndësishëm për provimin e automatizuar që do të jetë pas provimeve të maturës, për të gjithë ata maturantë që kanë vendosur të zgjedhin programin “Mjekësi e Përgjithshme.”

Për qeverinë shqiptare rinia është në qendër të zhvillimit. Ajo është forca dhe themeli i progresit. Mbi këtë rëndësi të veçantë u hartua Strategjia Kombëtare për Rininë 2022 – 2029, dokumenti ku do bazohen politikat për aktivizimin, përfshirjen dhe mbështetjen e të rinjve, duke synuar hartimin e politikave rinore kombëtare integruese, dhe si një platformë për adresimin e problemeve të ndryshme me të cilat përballen sot të rinjtë, duke nxitur përfshirjen e tyre në proceset vendimmarrëse, si edhe në punësimim, edukimim, teknologjinë dhe inovacionin, shtimin e aktiviteteve në lidhje me artet dhe kulturën, sportin, vullnetarizmin etj. 

Rinia shqiptare është evropiane me mendje, zemër, aspirata dhe ide, ndaj edhe Strategjia Kombëtare për Rininë 2022 – 2029 do të jetë në përputhje me Strategjinë Evropiane për Rininë 2019 – 2027.
Ekonomia e fortë sjell zhvillim të qendrueshëm dhe rinia është motorri i zhvillimit ekonomik, kësisoj programi i qeverisë e vendos theksin te rinia si forca që do të përshpejtojë progresin drejt Shqipërisë së gjeneratës tjetër.

Ndaj edhe është punuar për të siguruar jo vetëm mundësi më të mira arsimimi, duke shtuar investimet në teknologji dhe infrastrukturë laboratorike, duke punuar për rritjen e vlerës së diplomave në tregun e punës, fuqizimin e universiteteve në vend, por edhe duke krijuar mundësi reale që të rinjtë të jenë sipërmarrësit e ardhshëm në fushat e inovacionit e teknologjisë, në mënyrë që të konkurrojnë denjësisht në tregun global e të lartësojnë emrin e vendit tonë kudo në botë.

Falë nismave të qeverisë të gjithë të rinjtë e moshës 21-26 vjeç, që zotërojnë minimalisht një diplomë universitare Bachelor, mund të aplikojnë në Programin Kombëtar të Praktikave të Punës në Thirrjen VIII, për 1597 pozicione të lira në institucionet e administratës shtetërore, shoqëri tregtare dhe OJF. Gjithashtu, Këshilli i Ministrave miratoi në tetor 2022 vendimin për procedurat, kriteret dhe rregullat për zbatimin e programeve të formimit profesional nëpërmjet mbështetjes financiare të ofruar, sipas procedurave të konkurimit, për kurset e formimit profesional të organizuara nga institucionet e formimit profesional, publike apo private.

I njohur si Programi i Kodimit, aplikimet nisën më 23 janar të vitit 2023, e në këto 5 muaj ka pasur mbi 3000 aplikime, prej të cilave 524 të rinj kanë filluar tashmë kurset e programimit dhe kodimit.

Së shpejti do të nisë zbatimi i Garancisë Rinore që do të thotë se të rinjtë që do të regjistrohen në zyrën e punësimit, dhe brenda 4 muajve do t’u sigurohet një ofertë e vlefshme në përputhje me nevojat individuale. Të rinjve do t’u ofrohet ose trajnim ose edukim i mëtejshëm me mbështetjen e skemës ‘Voucher’ dhe në rastin e atyre të rinjve të arsimuar, por të papunësuar do t’u ofrohet mundësi punësimi.

Falë vizionit dhe punës së qeverisë Shqipëria shihet si qendër rajonale për sipërmarrjet e reja në ekonominë digjitale duke ofruar e mundësuar një kthesë cilësore në punësimin rinor.

Me një pasuri të tillë njerëzore që ka vendi ynë suksesi drejt të ardhmes është i padiskutueshëm. Mjafton të kthejmë kokën pas në qeverisjen e vjetër për të kuptuar sa shumë është bërë e arritur nga qeverisja socialiste, e cila siç u shpreh edhe kryeministri Rama:

Një nga gjërat që ne duam të bëjmë është që ta vëmë qeverinë e vendit nga pozitat e ndjekësit impotent të zhvillimeve siç ka qenë deri më sot, në pozitat e udhëheqësit të zhvillimit. Ndaj edhe ne do vazhdojmë të ecim vetëm përpara

Duke punuar e ecur edhe më shumë përpara, të rinjtë do ndihen më të fuqizuar për t’u shprehur me zërat dhe talentet e tyre, për të patur mirëqenie aktive, për të arritur potencialin e tyre të plotë dhe për ta përshpejtuar zhvillimin e vendit.

I shpreh mirënjohje të thellë të gjithë të rinjve të qarkut të Durrësit, ku unë kam privilegjin të shërbej, për dëshirën e tyre të madhe për të kontribuar në shoqëri, e në veçanti maturantëve të Ishmit, Manzës, Shijakut, Durrësit e të gjithë qarkut, i uroj suksese në rrugëtimin e tyre universitar e profesional, duke dhënë më të mirën e tyre e duke shpalosur energjinë progresiste dhe vlerat më të larta njerëzore në të gjithë sektorët e jetës së vendit.

Rinia është shpresa dhe siguria e të ardhmes së vendit ndaj nuk ka privilegj më të madh e mision më fisnik se sa të punosh për rininë e ta vendosësh atë në qendër të jetës dhe zhvillimit të vendit.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.