U de-Qametizua situata

Postuar në 24 Qershor, 2023 21:38

Ajo që ndodhi sot në Rusi ka pasoja të rëndësishme në shkallë të gjerë. Megjithë kthesën e Progozhin para Moskës(për ironi mësymja e grupit me emër gjermanik Wagner nisi në të njëjtën ditë me operacionin Barbarosa) pushteti i Putinit është cënuar. Ai është ripërcaktuar në raportet që duhet të mbajë, duke e bërë të paparashikueshëm çdo zhvillim. Megjithatë zhvillimi i sotshëm përcjell mesazhin se kriza kryesore ruse sot fermentohet, brenda jo në frontin e Ukrainës. 

Duke mos konsideruar për momentin ndonjë të papritur që është tipike e Rusisë, mund të thuhet se në kontinent Rusia ka humbur peshën që kishte dhe autoritetin e një fuqie që është kërcënim, pavarësisht se ajo nuk heq dorë nga operacionet në Ukrainë. 

Efekti imediat i saj është në aleatin e vet në Ballkan, Aleksandër Vuçiç që ka parë sot të tretet për pak orë siguria e tij kryesore. Është e qartë se angazhimi rus në Ballkan nuk ka më pritmërinë e mëparëshme dhe lidhjet e shkurtra me një grup si ai i Prigozhin është tani aventurë më vete. Situata e krijuar e favorizon Kosovën në kuptimin që kërcënimi serb ka pësuar humbje të ndjeshme në peshë dhe tashmë negociimi dhe ndërmjetësimi duhet të këmbëngulet që të jenë në pozita të barabarta. 

I ashtuquajturi përshkallëzim është term retorik dhe jo objektiv përderisa Serbia kërcënonte me aludimin e ndërhyrjes ruse. Përtej kësaj situata nuk ka pse të ushqejë arrogancë ndaj Serbisë as edhe revansh, apo kokfortësi, por sot alibitë për një qamet të radhës nuk ekzistojnë më. E parë ftohtë dhe drejtpërdrejt fati në një mënyrë i shkoi Kosovës në derë meqenëse ajo u vu në pozitën e të akuzuarit se po nxiste një konflikt të ri në Europë. Ndaj asnjë centimetër pas dhe negociim i pastër dhe i sinqertë.

Kërcënimin rus e përmendi edhe zëdhënësi i Qametit në Tiranë, i cili një ditë më pas u la në baltë nga fati dhe tashmë duhet të gjejë ndonjë moment tjetër për të këputur kucurin e radhës. Se edhe nuk rri dot, por edhe ndonjë punë do e bëjë. Hajd, për hajër!

s.zaimi

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.