Një vizitë në kohën e fundit sovjetike përmes historisë së Çikatilos
Ekzekutimi – Kazn, një thriller rus i vitit 2021 që fton shikuesin të vizitojë përmes një rikrijimi skenik gati perfekt, ditët e fundit të Bashkimit Sovjetik. Shndërruar tashmë në një habitat distopik ku njerëzimi shtyn ditët e ekzistencës së vet.
Subjekti huazon nga aktiviteti i një prej vrasësve serialë më të njohur, Andrei Çikatilo, i mbiquajur Kasapi i Rostovit, errësira shpirtërore dhe ekzistenciale e të cilit paralelizohet me një gri të pakufizuar sociale, skenike, jetësore dhe edhe gjuhësore.
Skenat e spitalit psikiatrik, dhuna brutale dhe verbale, presioni psikologjik në procesin e pyetjeve barazon të dy krahët në një kontekst të përbashkët çnjerëzimi dhe ku askush nuk është pa mëkat.
Ka një zbrazëti natyrore, një aspekt spartan të zyrave, veshjeve, një thatësirë të vërtetë estetike, ose më mirë një estetikë funebre, të dorëzimit, që e përshkruan kaq mirë një kohë të rënies së përgjithshme.
Rindërtimi psikologjik i vrasësit Andrei Valita është një alegori e përgjithshme për natyrën njerëzore, shtysa e të cilit drejt krimit është Frika. Frika për mbijetesë, e manifestuar në forma të ndryshme. Çikatilo i dubluar me dy personazhe në film portretizohet si një individ pa identitet, i cili kërkonte rrugëdalje dhe afirmim të ekzistencës te eliminimi i femrës që ishte në relacionin seksual dëshmi e impotencës së tij.
Mirëpo nga kjo sindromë vuajnë pak a shumë edhe dedektivët që e ndjekin që jetojnë në një realitet shpirtëror të mbyllur dhe të definuar nga obsesioni për ta kapur. Filmi e përcjell shumë mirë aspektin psikologjik me të vërtetat e thella të rrëfyera nga të gjithë, të cilat befas shërbejnë për të kuptuar më mirë veprimet dhe natyrën e tyre. Në një shoqëri “të re” pa motiv, edhe vrasësit janë pa motive. Janë të tillë.
Gjetja finale është një qark i mbyllur dhe logjik i aktit të vrasjes që kërkon përherë llogari: mes dy dedektivëve që përfundojnë viktima të njëri – tjetrit aplikohet Ekzekutimi Etrusk, lidhja e vrasësit me viktimën deri në përfundimin e të dyve. Vetëm kjo është drejtësia që mbyll një zinxhir gjaku ku e përgjithshmja nuk mund të ketë zë.
Add new comment