Divorci i shëndetshëm i Kosovës me paternalizmin e rremë të Tiranës

Postuar në 16 Qershor, 2023 20:53
Skerdilajd Zaimi

 

Nëse ka një vlerë të rëndësishme, qoftë edhe në kuptimin e pasojës, kriza e tanishme në Kosovë, kjo është ristabilizimi në pozita të tjera i marrëdhënieve dhe perceptimit të Shqipërisë në të dhe me të. 

Kjo duket sa nga qëndrimi i kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, që nuk po përfillet në këtë situatë, aq edhe nga reagimet e mediave pranë tij. 

Paradoksal këtu dhe absurd është interpretimi që i bëhet qëndrimeve dhe veprimeve të kryeministrit Kurti ndaj Shqipërisë dhe njerzve pranë tij. Siç e dimë qëndrimet e Prishtinës zyrtare ndaj Tiranës zyrtare për këtë situatë janë reaktive. Ato pasuan ndërhyrjen e paarsyetuar dhe të pakuptuar ende të z. Rama për në çështje në të cilën ai mund të prononcohet për aq sa e lejojnë dhe i takon. Zoti Rama përdori kredencialet e kombësisë për të përcjellë një qëndrim të Perëndimit të cilin Kosova e di dhe e ka kuptuar kush është. Për rrjedhojë leximi i ndërhyrjeve të z. Rama në prizmin e shqiptarësisë nuk kuptohen mirë dhe as priten mirë pavarësisht qëllimeve. Sepse ato u prezantuan si manovër tinzare dhe e panatyrshme e një shteti që ka disa detyrime shtesë ndaj Kosovës. 

Në këto kushte protestat ndaj një qëndrimi të tillë janë të pritshme. Reagoi opozita, pati një protestë edhe sot. Pse atëherë kjo interpretohet si përpjekje e Kurtit për të destabilizuar Shqipërinë, kur nga sa kemi parë kryeministri i Kosovës ka qenë tërësisht indiferent ndaj qëndrimeve të z. Rama? Neutraliteti, ose patriotizmi neutral i Tiranës që po vihet re kësaj radhe mund të ketë shije të hidhur për disa, por nuk ka befasuar kënd dhe as sëkëlldis të tjerë. Kjo është e qartë nga fakti se askush nuk u zhgënjye. Është pikërisht kjo arsyeja që e detyron shumicën pranë z. Rama të faktoriziojë një polemikë të cilën e kemi parë edhe ndaj opozitës në Tiranë, duke kundërvënë antiamerikanizmin e shpikur të Kurtit ndaj filoamerikanizmit të qëndrueshëm të z. Rama. Ky është fiksion sepse zhvillohet në terrenin e paqëndrueshëm të një shteti të dështuar si Shqipëria, litania filoamerikane e së cilës ka diskredituar prej kohësh veten.

Ka aktorë që e lexojnë këtë sjellje të z. Rama si mënyrë për të zgjidhur problemet e veta personale. Ndoshta nuk është kështu, pasi në 10 vjet në pushtet ne kemi parë të njëjëtin rol. Kemi të bëjmë me një kuptim tradicionale të politikës së jashtme përkundër një energjie të re në Kosovë, që mund të ketë gabime, minuse, por është autentike dhe në qëllime pozitive. 

Sot Kosova nuk po lufton vetëm për barazi faktike me Serbinë, në një rrugë gjatë së cilës po has shumë pengesa. Sot Kosova po subjektivizon realisht veten si entitet me arsyen e vet në tryezën e diskutimeve dhe përveç kësaj, ajo po përmbush divorcin ndaj një marrëdhënieje të pervertuar, hipokrite, e disa herë përçmuese me Shqipërinë, të cilën edhe për naivitet e ka çmuar si Shteti Amë. Dhe ky është zhvillimi që u katalizua nga Kurti, por ka kohë që ka nisur. Sa për gjinkallat e Tiranës dhe këngën e tyre të njohur, atë ne duhet ta shohim si atavizëm të një paternalizmi të rremë, politik e kulturor që është përdorur si levë pushteti dhe ndikimi edhe me Serbinë, e që sot po kap fundin e vet. Për fat të mirë! 

Comments

Submitted by dori (not verified) on

Shkruan z.Zaimi: "Ka aktore qe e lexojne kete sjellje te z.Ramasi menyre ... ndoshta nuk eshte keshtu, pasi 10 vjet ne pushtet kemi pare te njejtin rol". Eshte e vertete qe eshte ne te njejtin rol, por ka nje ndryshim cilesor ne personazhin qe e luan ate. Para 9 viteve beri buje ne Beograd me thirrjen per njohjen e Kosoves. Krejt e panevojshme kjo. Duke pare qendrimin e mepasshem deri me sot, kushdo me mendje te kthjellet ka te drejte te dyshoje, nese ajo thirrje patetike ne zemer te Serbise kishte te bente me rolin qe do te luante me vone. Kjo e para. E dyta, akuza qe i ben Berisha nuk mund te anashkalohet me kaq lehtesi. Afera Mcgonigal me te vertete qe eshte halli me i madh qe ka pasur Rama qe kur eshte futur ne politike. Une besoj qe eshte halli i jetes se tij tashme. Eshte e pashmangshme qe ky hall kaq i madh te mos kete ndikuar ne precipitimin dramatik ne rolin e personazhit qe luan ai.

Submitted by SPAK (not verified) on

Nuk na e ka fajin askush tjeter pervec ne Shqiptareve qe kemi nje inteligjence te ulet dhe te prapambetur! Kosova nuk eshte bere akoma shtet eshte prtektoriat! Edukohini dhe beni Paqe!

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.